Arrestimi me urdhër të SPAK i dy ish-drejtorëve të larguar që në shtator nga Bashkia e Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato, ka ngritur pluhur të ri akuzash politike mbi kryebashkiakun Erion Veliaj.
Veliaj është në shënjestër të mediave afër Berishës prej gati 18 muajsh, por në raportimet e ditës së sotme duket qartë sforcimi për ta lidhur Veliajn me të palidhshmen.
Kryebashkiaku i Tiranës akuzohet se është pronari i një hoteli që po ndërtohet në Durrës, pasi në listën e aksionerëve rezulton i ati i Redi Mollës.
Po cila është prova që Veliaj, i cili ka në duar gjithë Tiranën, paska shkuar të bëjë hotel në Durrës?
Prova e fortë rezulton një telefonatë e përgjuar e “një shtetaseje” që flet në telefon “me një shokun e vet”.
Ja çfarë shkruhet në një nga artikujt e ditës së sotme:
Njëra fjali:
“Në prill 2021, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të qershorit të atij viti, shtetasja J.B., e cila mendonte se punonte në një kompani private, i komunikon një shokut të vet duke i thënë se (…) !!
Fjalia tjetër:
“… Hoteli në Durrës sjell në vëmendje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, në komunikimet private të punonjëses J.B., përshkruhet si asgjë më pak se njëri prej aksionerëve pas hotelit. “Këtë hotelin po e bëjmë ne,” thotë punonjësja e kompanisë. “Është pronari jon… Lali eri… E kta”
Çfarë do të thotë “sjell në vëmendje”?! Dhe si mund të jetë provë se çfarë thotë dikush në telefon me dikë tjetër duke të përmendur emrin?!
Të dhënat e Open Corporates tregojnë se Mediterranean Investment Group që po ndërton hotelin në fjalë, është e biznesmenit Dritan Kadiu. Që për më tepër, ka lidhje me fushatat e PD-së.
Më poshtë raportimi vazhdon me fjalët:
“Kompania që përfitoi heqjen e taksave përmes statusit special ishte e lidhur me Redi Mollën – ish-drejtori i arrestuar i Ujësjellësit të Tiranës, i cili akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë. “Mediterranean Investment Group” u themelua në shtator të vitit 2020 dhe njëri prej aksionerëve ishte Selim Molla, babai i ndjerë i Redi Mollës, i cili ia trashëgoi aksionet në birit në shkurt 2024….”
Raportuesi ose nuk e di, ose e fsheh me dashje arsyen pse Selim Molla figuron aksioner në këtë kompani.
Arsyeja që ky raportim i fiksuar me Veliajn nuk e thotë, është që familja durrsake Molla është pronare e një pjese të tokës ku po ndërtohet hoteli, dhe si gjithë pronarët e tjerë ka të drejtën e përfitimit të përqindjes.
Vetë Veliaj i cili sapo është rikuperuar pas një ndërhyrje kirurgjikale i komentoi kështu artikujt që thonë se ai është pronar hoteli në Durrës:
“Kjo është gjëja e tretë më absurde që kam dëgjuar për veten. Kampion mbetet ai që ka thënë se jam djali i Ahmadinexhadit, kurse në vend të dytë ai tipi poshtë dritares, që thoshte se kam bërë skemat piramidale të vitit ‘97, nga gjimnazi. Jo, nuk kam ASNJE lidhje me ndonjë hotel, as në Durrës, as në Tiranë, as në gjithë globin!” (DITA)