Ish-deputeti Halit Valteri ka depozituar në SPAK një kallëzim penal kundër presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Në studion e lajmeve të MCN TV, Valteri tha se i ka vënë në dispozicion organit të akuzës dokumentet që provojnë akuzën për korrupsion.
Këto të fundit, ai tha se i janë vënë në dispozicion nga gazetarë të huaj, pas interesit të tij lidhur me një artikull të botuar në gjermanen “Kronen Zeitung” pak javë më parë.
“Këtë javë më kanë ardhur këto dokumente. I kam përgatitur së bashku me disa miq të mi. Sot bëra një kallëzim në SPAK për korporatën LSI dhe çiftin udhëheqës të tij.
Nuk kam asnjë paralajmërim për ta. Ne jemi përpara një afere, që dyshohet se ka ndodhur për shkak të lobimit për të lartësuar figurën e zotit Meta. Flitet për dy lobime, dy kontrata me vlerë 690 mijë dollarë e padeklaruar.
Prisja t’i kisha këto dokumente dhe shumë të tjera që t’i bënim transparente”, tha Valteri.
Valteri tha se kreu i shtetit po ndikon te mediat që çështjes të mos i jepet vëmendja që meriton.
“Sot përpara SPAK ishin 15 media. Sapo përmenda emrin e Ilir Metës 10 ose 12 u larguan. Pra ka një qasje për të kapur të gjithë ata që nxjerrin në pah skandalet e tij. Kam rënë në gjurmë të këtij skandali pasi kam parë artikullin e “Kronen Zeitung”, u shpreh Valteri.