Romeo Kara, juristi, i cili denoncoi aferat e CEZ-DIA ka komentuar për herë të parë lajmin se Kastriot Ismailaj pronari i Kompanisë DIA i përfshirë në aferën 400 milion euro të CEZ-DIA dosje në të cilën janë të akuzuar Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe Ilir Meta është liruar para dy ditësh nga burgu. Ai ka bërë dhe një deklaratë të bujshme.
Sipas tij jeta e tij është në rrezik dhe ai që po e ruan për ta hequr qafe është Ilir Meta. “Me këtë lirim mbyllet çështja e mashtrimit dhe vjedhjes së shumave të mëdha por jo çështja e korrupsionit. Së pari është njëlloj drejtësie që është bërë standard në Shqipëri. Një person i fuqishëm ka vuajtur në burg gati maksimalisht.
Pjesa tjetër do të jetë për korrupsion dhe krim të organizuar dhe pastrim parash që duhet të vijojë. Te pjesa e parë kemi një fitore të Shqipërisë për herë të parë për këtë rast. Për herë të parë një person dënohet për këtë lloj vepre”, tha Kara. Kurbani i kësaj çështje sipas juristit Kara duhet të ishin bërë Sali Berisha dhe Ilir Meta, për të cilët sipas tij ka prova se kanë qenë të lidhur me Kastriot Ismailajn.
“Këta janë hajdutë ordinerë të veshur me kostume shumë të shtrenjtë, me dinjitet shumë të ulët. Turpi i SPAK është që merret me cironkat e Rovena Vodës. Kemi dhe prova, çfarë duan më tepër këta.
Po të bëhej Meta me Berishën kurban i drejtësisë nuk do të kishim sot inceneratorë. Krahu tjetër bën inceneratorë, por nuk çuan partinë atje për të bërë presion. Tani çfarë bën SPAK, nëse këta vijnë na kërcasin dhëmbët, po merremi me këta që janë të urtë. Po kalojnë te PS”, u shpreh ai.
Ismailaj në rrezik për jetën
I konsideruar dikur si dora e Ilir Metës në aferën CEZ-DIA, Ismailaj, sipas juristit është më i rrezikuar tashmë që ka dalë nga burgu dhe duhet të ruhet. “Ai nuk besoj se pi kafe poshtë ballkonit të vetë tani që është liruar. Do ruhet edhe nga Meta.
Ai është rrezik për Metën. Ai në burg do ishte më i sigurt. Atij nuk i ha më barku për Metën dhe Metës për atë. Meta i çoi kallahusë në burg, për çfarë ia çoi?”. Nëse Ilir Meta nuk hetohet, Kara është shprehur se do të bëjë kallëzim ndaj SPAK për shpërdorim detyre. “Ky lirim nuk ka më vlerën e një suksesi që u arrit nga drejtësia.
Por ka këtë që këta s’e kanë ndërmend të merren me Metën. Ai është në krye të kësaj afere. Së shpejti do bëj kallëzim në SPAK për shpërdorim detyre të SPAK. Nëse këta s’e bëjnë këtë punë do të merrem unë. Këta janë peng një pjesë e tyre kanë lidhje me Metën një pjesë e tyre bëjnë akoma me gisht”, tha ai në një studio televizive.
Implikimi i Metës në aferën CEZ-DIA
Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, ka dëshmuar se Ilir Meta ka rekomanduar Kastriot Ismailajn me kompaninë DIA si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, ka rrëfyer se Meta pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje.
Hetuesit mund të konfirmojnë udhëtimet e Metës në Çeki, por edhe çështjet e diskutuara. Ndërkaq, vetëm në një rast, 1 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2019, Meta i kërkon Kastriot Ismailajt, 200 mijë (besohet euro) me urgjencë. Gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ka rrëfyer lidhjet e forta mes Ilir Metës dhe bashkëshortit të saj. Ajo ka treguar për vizitat familje dhe SMS-të që Meta i niste Kastriot Ismailajt duke i kërkuar para.
Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në dosjen e dënimit të Kastriot Ismailaj me 11 vite burg, dënim i konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave, prokuroria ka konstatuar se qëllimi i Kastriot Ismailaj nuk ka qen mbledhja e borxhit të për llogari të CEZ dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave të CEZ, sigurisht në bashkëpunim me CEZ, pasi CEZ nuk humbiste asgjë, por xhepat e shqiptarëve.
Ismailaj paraqiste fatura fiktive, merrte paratë nga CEZ dhe më pas CEZ favorizohej nga qeveria Berisha-Meta. Pasi Ilir Meta u bashkua me PS, në vitin 2015, Sali Berisha e ktheu në kauzë implikimin e Metës në çështjen CEZ-DIA, kërkoi dorëheqjen dhe hetimin e tij.
/Elmas Bogdani