Rihapja e Gërdecit mund të sjellë telashe te familja “Berisha”. 26 perona humbën jetën në atë shpërthim, por familjarët e tyre edhe sot duan drejtësi.
Dënimet që u dhanë ishin qesharake dhe e pësuan niveli më i ulët, ndërkohë që zyrtarët e lartë vijojnë të shijojnë paratë. Një ndër individët që pati guximin të flasë për Gërdecin, është Gjenerali Luan Hoxha. Ai ka dhënë një dëshmi në ambasadën amerikane, ku përmend ish-ministrin e Mbrojtjes dhe djalin e ish-kryeministrit.
Më poshtë gazeta po publikon një kabllogram të publikuar nga Wikileaks, i cili përmban një raportim të ish-ambasadorit Withers për Departamentin e Shtetit.
Kabllogrami për Gërdecin (20 qershor 2008)
Qëndrueshmëria dhe intensiteti i ngjarjeve të fundit politike, nga kalimi i ndryshimeve kontroverse kushtetuese në Kosovë në mes të prillit e deri te mos votimi i pesë kandidatëve për Gjykatën Supreme, kanë pak kuptim në sipërfaqe pa një motiv të fshehtë. Në kryeqytet qarkullojnë thashetheme mbi cilat mund të jenë këto motive, por zyrtarët më të lartë, duke përfshirë kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit Topalli dhe Presidentin Topi, u shmangen spekulimeve të tilla, duke u përqendruar te lufta politike e momentit. Në këtë klimë politike gjithnjë e më të tensionuar, ish-shefi i Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, kërkoi nga ambasadori të diskutojë shkarkimin e tij, bashkëpunimin e tij me Prokurorin e Përgjithshëm dhe pikëpamjen e tij për faktet mbi Gërdecin.
-Në një takim me ambasadorin më 17 qershor që e kishte kërkuar ai, shefi i sapopushuar i Mbrojtjes, Luan Hoxha, që paraqiti anën e tij të ngjarjeve lidhur me shpërthimin e Gërdecit më 15 mars. Në dallim nga deklaratat publike të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të cilat ia hedhin fajin operacional për Gërdecin ushtrisë, Hoxha pohoi se që nga fillimi i këtij operacioni, të gjitha vendimet ishin marrë nga ish-ministri Mediu, që nga zgjedhja e Gërdecit si vendi për shkatërrimin e këtyre municioneve, e deri te cilat lloje municionesh do të shkatërroheshin dhe në çfarë afati kohor. Hoxha pohoi se stafi i tij ishte urdhëruar për të transportuar municionin në vend dhe për të ruajtur vendin, asgjë më shumë.
-Hoxha tha se, kur vizitoi Gërdecin në mes të vitit 2007, ushtarët e tij po i kryenin këto dy detyra dhe në sipërfaqe nuk dukej se kishte diçka të dyshimtë. Ai akuzoi se gjatë gjysmës së dytë të projektit, duke filluar nga dhjetori 2007, ai ishte urdhëruar nga Mediu, për shqetësimet e tij të deklaruara me shkrim kryeministrit Berisha (dhe Kryetares së Kuvendit Topalli dhe Mediut), si dhe pas presionit të drejtpërdrejtë nga telefoni nga “një i ri”, të cilin më vonë e identifikoi si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që të vazhdonte të dorëzonte municione të kalibrit të lartë në Gërdec dhe ta bënte këtë gjë pa vonesa.
I pyetur nëse ai e kishte raportuar këtë informacion te Prokurori i Përgjithshëm, Hoxha u përgjigj se po, ai i kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet tek hetuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, përveç informacionit në lidhje me djalin e Berishës. Për këtë, tha ai, nuk ishte e sigurt të flitej. Ambasadori theksoi se nëse hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme do të jetë i suksesshëm, ata që e dinë të vërtetën duhet të flasin.
Hoxha e pranoi se ai duhet të flasë në interes të drejtësisë, por nuk konfirmoi se do ta bënte një gjë të tillë. (Shënim: Hoxha tha se ka shumë të tjerë që e dinë këtë informacion.)
-KOMENT: Ky është incidenti i dytë i një zyrtari që i shpreh haptazi shqetësim, në kufi me frikën, për sigurinë personale dhe profesionale, Ambasadorit në konfidencë. (I pari erdhi nga Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu) Disa prova të jashtme mbështesin versionin e ngjarjeve të Hoxhës.
Si shef i Mbrojtjes, marrëdhëniet e Hoxhës me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të ndera dhe në marrëdhëniet tona me të ai dukej të ishte shpesh i painformuar dhe se i mungonte autoriteti i mjaftueshëm për të kryer detyrat e zyrës së tij. Sipas informacionit publik, Prokuroria e Përgjithshme duket se po e përqendron hetimin e saj larg ushtrisë dhe mbi Mediun, ndoshta sepse aty e kanë çuar provat deri më tani.
-Nëse versioni i Hoxhës përmban elemente të së vërtetës, kjo mund të ndihmojë në shpjegimin e një pyetjeje me rëndësi të ditës – përse kryeministri ka shtuar sulmet e vazhdueshme ndaj institucioneve të pavarura pikërisht në këtë periudhë, duke alarmuar bashkësinë ndërkombëtare dhe duke e shtyrë atë që të vërë në pikëpyetje kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ka ende shumë për t’u bërë lidhur me ratifikimin e NATO-s. /Kliti Topalli
Kabllogramet e Wikileaks për Gërdecin, ja raportimet e Luan Hoxhës