Juventusi shpallet kampion i Italisë për të tetën herë radhazi. Suksesin më të fundit, bardhezinjtë e zyrtarizuan edhe matematikisht pas fitores me përmbysje rezultati ndaj Fiorentinës, në ndeshjen e javës së 33-të të Serie A.
Ky është titulli i 35-të kampion në historinë e “Zonjës së vjetër”, por ajo që vlen më shumë të theksohet është fakti që është i teti në radhë, gjë që tregon dominimin total të futbollit të Apenineve.
Ndaj Fiorentinës në “Allianz Stadium”, Juventusi vuajti në pjesën e parë, aty kur Milenkoviç zhbllokoi rezultatin për ekipin “viola” që në minutën e 6, ndërsa Chiesa u ndal vetëm nga shtylla në minutën e 34-t në një mundësi të artë për të dyfishuar.
Në të vetmin aksion të rrezikshëm juventin, Alex Sandro arriti të shënonte dhe të barazonte shifrat përpara se të mbyllej pjesa e parë. Chiesa ishte në ditën e tij më të pafat ndoshta, pasi u ndal për të dytën herë, edhe nga traversa.
Megjithatë, me të filluar pjesa e dytë presioni juventin u rrit dhe bardhezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 52-të, duke detyruar Pezzellën të fuste topin në portën e tij, pas një aksioni të shpejtë të Cristiano Ronaldos.
Tashmë, në 5 javët e mbetura, Juventusit do t’i duhet të “stërvitet”, pasi tanimë nuk ka as Champions për të luajtur.