Juventusi ka mposhtur Barcelonën në Camp Nou me rezultatin 3-0 në kuadër të javës së fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Me këtë fitore të thellë Juventusi i rrëmben edhe vendin e parë, falë fitores më të thellë në transfertë, pasi Barca e kishte mposhtur në ndeshjen e parë 3-0.
Të dy klubet kanë kaluar fazën e grupeve, duke ndarë nga 15 pikë në grupin e tyre.
Zonja e Vjetër e ka nisur shumë mirë ndeshjen, duke fituar penallti që në minutën e 11-të.
Ronaldo depërton në zonë, pengohet nga një mbrojtës katalanas dhe gjyqtari vendos për penallti.
Ishte vetë Cristiano Ronaldo që u ktheu në gol penalltinë për 1-0. Juventusi duket se kishte ardhur të fitonte dhe këtë e tregon edhe aksioni në minutën e 20-të kur rezultati shkoi në 2-0.
Një kombinim i bukur mes Juan Cuadrados dhe Weston McKennie, ku ky i fundit me një goditje akrobatike shënoi një gol shumë të bukur. Barcelona kishte dy raste të mira në këtë pjesë me Lionel Messin, por që në të dyja rastet Gigi Buffon ishte në vend.
Në pjesën e dytë, Juve sërish e nisi furishëm. Ne minutën e 50-të mbrojtësi Clement Lenglet luajti me dorë në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti pasi shikoi videon në VAR.
Ronaldo sërish ishte i saktë për 3-0 nga pika e bardhë në minutën e 52-të.