Juristi Romeo Kara e ka cilësuar tepër të rëndë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mbajtur në detyrë presidentin.
Në një intervistë për gazetën “Sot”, ai ka komentuar vendimin, duke thënë se gjyqtarët mbyllën sytë para fakteve. Sipas tij, Meta jo vetëm shkeli Kushtetutën dhe duhej shkarkuar, por duhej dhe të arrestohej sepse bëri thirrje për kryengritje.
Sipas tij, thirrjet për të marrë kosat e sfurqet ishin vepër penale. Ai u ndal dhe te zhvillimi i ditëve të fundit, ai i dosjes së CEZ. PS ka kërkuar të dhëna se çfarë po ndodh me këtë dosje dhe juristi që denoncoi skandalin ka sqaruar se në çfarë faze ndodhet procesi.
-Zoti Kara, Gjykata kushtetuese në orën 23.00 të së mërkurës doli me një njoftim se ka vendosur të rrëzojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin e presidentit nga detyra. Si e patë këtë vendim?
Në Kuvend ka jo pak juristë, në sallë si deputetë dhe në administratën e tij, të cilët kanë pasur realisht një bindje se, presidenti Meta e kishte tejkaluar në mënyrë të përsëritur pragun etik dhe atë ligjor përgjatë ushtrimit të detyrës së tij, sidomos kur ai në mënyrë të hapur u bë palë në fushate dhe bëri thirrje publike për armatosje pikërisht në kulmin e fushatës elektorale rreth një vit më parë.
Thirrja publike për të rrëmbyer armët, ishte e hapur, e përsëritur dhe e drejtpërdrejtë, pa lënë asnjë ekuivok lidhur me vërtetësinë dhe qëllimin e saj. Në përgjithësi njerëzit kanë pasur një perceptim të plotë të asaj çfarë panë dhe dëgjuan në mënyrë të përsëritur përgjatë fushatës elektorale të vitit 2021 se, presidenti Meta iu drejtua atyre jo figurativisht, drejtpërsëdrejti për të rrëmbyer sfurqe e kosa dhe t’i dilnin për zot Kushtetutës edhe vendit.
Në funksion të këtij qëllimi, besoj se këto sfurqe e kosa nuk duhet trajtuar asesi si vegla pune, pasi nuk u sugjerua prej presidentit një punë çfarëdo, por pikërisht mbrojtja e vendit dhe Kushtetutës.
Çfarë do të thotë të mbrohet Kushtetuta me kosë? Ne të gjithë e kuptojmë, por vetëm Gjykata Kushtetuese jo. Besoj se në një vend normal ky president do të duhej të ndalohej dhe arrestohej në flagrancë, pasi vepra penale e konsumuar prej tij, ka qene publike, e drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të përsëritur, duke mos lënë vend për një lajthitje të çastit.
Me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, çdokush mund të ngrejë nesër turma të armatosura me sfurqe e kosa dhe të mos përgjigjet kurrë më përpara ligjit. Nuk po i hyj analizës tjetër, nëse pas fjalëve sfurqe e kosa nënkuptohej automatikë e topa dore, të cilat u kapën me shumicë të murosura rreth një vit më parë në Tiranë, por nuk u bë kurrë i ditur destinimi i përdorimit të tyre.
A kishin lidhje ato baza me armë me atë qëndrim të Presidentit, kjo ngelet për t’u parë. Gjithsesi, këto thirrje të rënda antikushtetuese të dala publikisht në mënyrë të përsëritur nga ana e Presidentit si dhe lëkundja e humorit të tij si shenjë e qartë depresioni, nuk kanë marrë trajtimin e duhur nga Gjykata Kushtetuese, prandaj ne sot gjendemi të fyer dhe tradhtuar nga vendimi i saj.
Te injorosh faktet dhe provat kështu hapur në publik si në këtë rast, do të thotë të luash me dinjitetin personal dhe atë të institucionit të Gjykatës. Unë dhe shumë si unë, sot mendojmë, edhe pse nuk e kemi lexuar akoma arsyetimin e vendimit, ashtu si gjykatësi që doli kundër këtij vendimi. Mund të themi që ai gjykatës i shpëtoi nderin atij institucioni.
-Ju jeni jurist, pse mendoni se Kushtetuesja arriti në këtë përfundim?
Fatkeqësisht, përzgjedhja e gjyqtarëve për këtë gjykatë është thjeshtë një pazar politik dhe balancë pushteti. Kuvendi emëron tre anëtarë, presidenti tre dhe Gjykata e Lartë tre anëtarë.
Në kushtet e Shqipërisë ata do të duhej të përzgjidheshin me votim direkt nga populli dhe jo nëpërmjet një procesi të ngatërruar dhe sabotuar disa herë ku dhe histerizmat e vetë presidentit nuk kanë munguar. Nëse do që ta vjedhësh, abuzosh dhe mbash peng një vend, mjafton të kapësh fort dy gjykata, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë tregoi se nuk i përgjigjet misionit të saj.
-Vendimi erdhi në një kohë kur presidenti nisi një proces presioni dhe shantazhi të fortë ndaj anëtarëve. Mendoni se ndikoi kjo, apo mund të kemi pazare Rama-Meta, pasi mos harrojmë që kemi një rezultat 6 me 1?
Shantazhi ndaj gjykatës nga ana e presidentit ka qenë publik dhe i përsëritur. Ai u ndihmua në këtë drejtim në mënyrë të hapur edhe nga Berisha me deklaratat e tij. Shantazhin Meta e njeh fare mire ashtu siç njeh kalkulimin dhe pazarin. Janë këto aftësi të tij, që kanë ndikuar në fuqizimin e tij politik edhe pse ai ka një nivel të kufizuar inteligjence. Këto që thashë luhen hapur në skenë, ndërsa lidhur me prapaskenën nuk kam ndonjë argument për të thënë, prandaj po i kursej hipotezat.
-A ka një qetësim të raporteve të Metës me SHBA, duke parë dhe reagimin e butë të ambasadës?
Nuk e besoj. SHBA nuk janë plastelinë për t’iu përshtatur Metës. Nëse çdo rast ato kanë sensin e parimit, sens të cilin nuk e ndryshojnë. Ky është pikërisht ndryshimi midis USA dhe Europës e cila në traditën e saj, ndikohet shumë nga ekuilibrat dhe jo nga parimet.
Nëse vlerësojmë ngjarjet e fundit, vizitat e zyrtareve amerikane dhe jo vetëm, të cilët e injoruan hapur presidentin duke mos e takuar, mund të themi se, qëndrimi i tyre vazhdon i njëjtë dhe i palëkundur.
Besoj se ata e kanë mbyllur tashmë kapitullin Meta dhe po presin kohën e duhur ta bëjnë edhe ceremoninë e rastit. Reagimi i ambasadës nuk ka qenë i butë, por diplomatik dhe mbase pak ironik. Përballjet e Metës me ligjin nuk mbaruan dje. Ato vetëm sa kanë filluar dhe e ardhmja e afërt do ta vërtetojë këtë gjë.
-Një debat i ditëve të fundit ka të bëjë me një dosje që ju e njihni fare mirë. Partia Socialiste i ka dërguar dje një letër prokurorisë, ku kërkon sqarime mbi hetimin e aferës së famshme CEZ. Ju keni qenë palë e këtij procesi, mund të na thoni çfarë ka ndodhur me këtë dosje?
Çështja e privatizimit te CEZ-it tashmë ndodhet prej gati dy vitesh për rekurs në Gjykatën e Lartë, dërguar nga ana ime. Shpresoj qe kjo gjykatë të mos vazhdojë me absurdin e pabazë të pushimit të kësaj çështjeje nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit.
Në zbatim të ligjit kjo çështje duhet të çohet për plotësim hetimi në SPAK ose direkt për gjykim, pasi dosja është pothuaj e plotësuar. Të shpresojmë që Gjykata e Lartë do të jetë objektive në këtë rast dhe në lartësinë e detyrës së saj.