Juristi Romeo Kara, ka komentuar situatën politike në vend. Në një intervistë për gazetën “SOT” ditën e djeshme teksa u pyet lidhur me thirrjen e Endrit Braimllarit në SPAK për aferën e lobimit në SHBA të LSI me 700 mijë euro, ai u shpreh se është regjistruar disa muaj më parë nga ish- deputeti Halit Valteri një kallëzim penal lidhur me lobimin e LSI-së në SHBA dhe sipas tij, në kuadër të këtij kallëzimi, SPAK-u ka filluar hetimet përkatëse, të cilat sigurisht që do të shtrihen në disa shtete dhe mbi disa persona.
Ai u shpreh se Meta është i rrezikuar, pasi ligji parashikon përgjegjësi penale për financime të paligjshme të aktiviteteve politike.
Sipas tij, nëse hetimet do të bëhen të plota, duke zbuluar edhe origjinën e vërtetë të parave atëherë përgjegjësia penale do të bëhet më e rëndë. I pyetur lidhur me bashkëpunimin Meta-Berisha në zgjedhje dhe qëllimin pse janë bërë bashkë, Kara u shpreh se ata janë prej kohësh në ortakëri të plotë në vjedhjen dhe shkatërrimin e Shqipërisë.
-Si e shikoni thirrjen e Braimllarit në SPAK për aferën e lobimit në SHBA të LSI me 700 mijë euro?
Është regjistruar disa muaj më parë nga ish-deputeti Valteri një kallëzim penal lidhur me lobimin e LSI-së në SHBA, qëllimi i së cilës ka qenë dalja e Metës në një fotografi me Trumpin dhe disa takime politike. Në kuadër të këtij kallëzimi, SPAK-u ka filluar hetimet përkatëse, të cilat sigurisht që do të shtrihen në disa shtete dhe mbi disa persona, të cilët kanë pasur dijeni apo kanë qenë të përfshirë në këtë çështje. Unë konstatoj thellim të hetimeve dhe dëshirë për zbardhjen e plotë të së vërtetës, gjë që sigurisht do të çojë patjetër në hapjen e një procesi penal, pasi ka pak gjasa që SPAK-u të kërkojë pushimin e çështjes.
Fakti që kemi një letër-porosi lidhur me këtë çështje, na bën të besojmë se, SPAK-u, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, mund të kërkojë nga homologët e tij në USA, instalimin e një komunikimi zyrtar për çështjen në fjalë në mënyrë që të realizojë si e parashikon ligji: njoftimet, marrjen e provave, asistencën ligjore, kryerjen nga partnerët amerikanë të: hetimeve, pyetjeve, marrjen e informacioneve, konfirmimeve, verifikimeve, administrimeve të dokumenteve apo deklarimeve.
Duhet parë në vazhdim se, me çfarë kushtesh do të reagojë pala amerikane për përdorimin e akteve të saj. Janë kushte të cilat janë të detyrueshme nga autoritetet shqiptare brenda kufijve të caktuara nga ligji. Rezulton se, nga viti 1991 e deri më tani janë së paku 31 lobime të bëra nga politikanët shqiptar në SHBA pa folur për ato në Europë. Unë shtroj pyetjet: çfarë qëllimi kanë lobime të tilla, kur ato kryhen jashtë kanaleve zyrtare dhe diplomatike, ndërkohë që kërkuesi i lobimit ishte kryetar parlamenti dhe asnjë takim apo aktivitet i tij nuk duhej të dilte jashtë kornizës protokollare?
Çfarë qëllimi kanë lobime të tilla, të bëra nëpërmjet kompanive offshore dhe parave të padeklaruara në KQZ, të pajustifikuara nga burimet financiare të LSI-se dhe të paligjëruara? A janë këto para të prejardhura nga korrupsioni, trafiku apo financimet destabilizuese ruse? A kemi raste të tjera të ngjashme? Unë kam konstatuar sipas një researchi se, që në 6 prill 2017, gazetari Besar Likmeta ka publikuar në reporter.al shkrimin: LSI pagoi mbi 300 mijë dollarë për lobim në SHBA dhe deklaroi vetëm 1/3 në KQZ.
Ai i referohej BIRN-it në të dhënat e tij, të dhëna të siguruara nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane, cilat flisnin se, përgjatë vitit 2016, LSI ka bërë pagesa në vlerën e 267 mijë dollarëve për kompaninë e lobimit në Uashington, Global Security and Innovative Strategies, GSIS, lobim në favor të LSI-së, pranë Kongresit Amerikan dhe Administratës Amerikane. LSI i ka deklaruar vetëm 1/3 e kësaj shume si shërbime konsulence, pa sqaruar më tej origjinën e këtyre parave. Pra lobimi i bërë publik më 2018 nga revista amerikane Mother Jones, nuk është i pari dhe i vetmi i kryer nga LSI.
Dhjetë muaj më parë, u publikua një tjetër artikull i Kronen Zeitung, i cili i referohet tashmë Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, ku pretendohet se, lobimi është bërë, vetëm për të siguruar një foto të Metës me presidentin Trump, në ceremoninë e inagurimit të këtij të fundit. Pagesat lidhur me këtë lobim janë rreth shumës 700 mijë dollarë dhe lëvruar nëpërmjet avokatit të kompanisë Dorelita Limited, Iraklis Fidetzis, kompani e regjistruar në Qipro, në favor të McKeon Group.
Dorelita Limited është regjistruar si shell compani nga një tjetër avokat, Andreas Petrou në Nicosia të Qipros. Kjo kompani rezulton se, 1/3 e klientëve e ka ruse duke përfshirë midis tyre edhe Oleg Derpasken, manjatin e aluminit, person i afërt me Putinin.
Dy biznese të Deripaskes kishin të njëjtën adrese me firmën ligjore të Petrou. Ato janë: EN+Corporate Services Limited dhe ACL Aluminium Construction Limited ku vetë Petrou ka qenë drejtor i tyre. Petrou rezulton i lidhur edhe me katër biznese te tjera ruse të zotëruara nga Deripaska. Në 2017 është akuzuar edhe Basha për një lobim të tillë në Uashington me një shumë prej 500 mijë dollarësh për një foto me Trump dhe një shkrim në Breitbart Neës. Pagesa është bërë serish nëpërmjet një kompanie offshore.
Akuza ishte për pastrim parash dhe falsifikim në shumën prej 675 mijë dollarësh të paguar për një kompani lobimi pjesë e Muzin Capitol Partners e drejtuar nga Nicolas Muzin. Edhe këtu është konstatuar një lidhje me financime ruse.
Kur Bashën e pyeten lidhur me lobimin rus, pasi edhe Berisha e akuzoi se ishte marr peng nga Rama dhe USA prej këtij lobimi, ai u përgjigj: Berisha të pyes listën e të ftuarve në festën e tij familjare. Nga ky moment, Berisha nuk e ka përmendur më lobimin rus të Bashës. Një raport i DASH publikon një listë me emra partish që kanë përfituar nga Rusia 300 milion dollar që nga viti 2014 midis të cilave PD.
Prandaj kemi një rritje të dominimit rus në rajonin tonë dhe rritje të rrezikut të destabilizimit të rajonit. Kjo është evidentuar edhe nga zyrtari amerikan Palmer. Palmer ka theksuar se, rusët kanë sponsorizuar një puç në Malin e Zi, kanë punuar kundër marrëveshjes së Prespës, duke bllokuar integrimin europian të Maqedonisë së Veriut etj. Rusia, thotë Palmer po përdor: financimet e faktorëve politik.
-A është i rrezikuar Meta?
Sigurisht që Meta është i rrezikuar. Ligji parashikon përgjegjësi penale për financime të paligjshme, të padeklaruara dhe të pajustifikuara të aktiviteteve politike. Nëse hetimet do të bëhen të plota, duke zbuluar edhe origjinën e vërtetë të parave atëherë përgjegjësia penale do të bëhet më e rëndë duke u pasuruar me shkelje të tjera si p.sh.m pastrimi i produkteve të veprave penale dhe/apo vjedhja nëpërmjet mashtrimit, korrupsionit, trafikut apo financimeve ruse etj. Meta ka kohë që po ecën nga afera në aferë dhe nga skandali në skandal, duke na bërë të çuditemi, jo më për rrezikimin e tij, por për mbijetesën deri më tani të tij, pa u përballur seriozisht me drejtësinë.
-Si ju duket bashkëpunimi Meta-Berisha? Pse janë bërë bashkë?
Ata janë bashkë prej kohësh në ortakëri të plotë në vjedhjen dhe shkatërrimin e Shqipërisë, duke luajtur herë pas here demagogjikisht rolin e kundërshtarit të njeri tjetrit, ndërkohë që them me bindje se, çibani politik LSI, është edhe produkt i ndihmës pas kuintave të Saliut dhe sigurisht i bekimit të tij.
Ata janë koka te ndryshme të së njëjtës kuçedër politike, që po mban peng Shqipërinë, koka të cilat duhen “prere” nga shpata e drejtësisë, pasi kuçedrat janë të pangopura dhe kurrë nuk largohen vullnetarisht. Tashmë perdja e aktit të fundit të tyre politik ka rënë dhe ata po dalin lakuriq përballë çdokujt, që ka sy për të parë dhe mendje për të arsyetuar. Unë i shoh realisht në të njëjtin hall, përballë ndryshimeve të pritshme politike, natyrisht të prira nga një kërkesë për ringritjen e drejtësisë dhe instalimin e ndëshkimit të korrupsionit politik.
-Po vizita e Escobar si ishte dhe mesazhi që SHBA nuk e njohin Berishën a është një mesazh për SPAK që të nisin hetimet për të duke qenë se është non grata?
Vizita e Escobar ishte pikërisht në momentin e duhur me mesazhin e duhur, të drejtpërdrejtë, pa ekuivok dhe shterues. Qëndrimi i State Departament përkundrejt Berishës, është absolutisht definitiv, i pandryshueshëm dhe parimor dhe çdo bashkëpunëtor i tij sigurisht që do të trajtohet si ai.
Besoj se, këtë mesazh e mori të qartë pehlivani politik Meta edhe taborri antiamerikan i berishistëve, të cilët besojnë përrallat se, shumë shpejt non grata e tij do të fshihet dhe se ai do të rehabilitohet. Jo vetëm kaq, por duke parë qëllimin e Berishës për t’iu kundërvënë këtij qëndrimi amerikan, nëpërmjet kartës së destabilitetit, Escobar shprehu qartë se, ka ardhur koha që Berisha të përballet me drejtësinë. Besoj se shumë shpejt do të kemi edhe zhvillime konkrete në këtë drejtim. Përballjen e Berishës me drejtësinë, tashmë nuk ka asnjë presion apo pazar politik që mund ta ndal.
-Cili është vlerësimi juaj si jurist dhe si qytetar për situatën politike në vend, në këtë prag zgjedhjesh lokale? Çfarë nuk shkon dhe çfarë ju mendoni se duhet ndryshuar?
Përveç konfliktit politik midis partive, gjë që karakterizon edhe këto zgjedhje lokale të cilat po trajtohen me rëndësinë e atyre qendrore, unë konstatoj një konflikt madhor, midis popullit dhe klaneve politike të veshura apo të fshehura pas kornizave partiake. Me kushtetutë tek ne dhe ne demokracitë europiane, sovraniteti i takon popullit, por, në realitet, ky sovranitet i është mohuar popullit dhe i është rrëmbyer nga klanet politike. Referendumi si shprehje kuptimplotë e ushtrimit të sovranitetit të popullit ekziston vetëm në letër.
Demokracia si sistem vjen si produkt i arsimimit, informimit të pavarur, përqafimit të normave morale të pandryshueshme dhe vetëndergjegjësimit për t’u bërë pjesë aktive e jetës politike dhe vetëorganizimit. Demokracia është shumë më tepër se sa thjesht votohet një shumicë. Ajo është një kompleks institucionesh ligjore dhe kontrolli mbi ekzekutivin, të cilat barazpeshojnë pushtetet dhe garantojnë forcimin e sistemit, mbajtjen e premtimeve, rritjen e vlerave, si dhe duke pasur si produkt, një qëndrueshmëri të rritjes ekonomike dhe konsumit.
Demokracitë e dobëta si kjo e jona, kanë disa karakteristika të përbashkëta. Së pari, ato dallojnë për paaftësinë për të mbajtur premtimet, për t’iu shmangur klientelizmit, ulur korrupsionin, mbajtur zgjedhje të lira, forcuar sistemin e drejtësisë, mosprodhimin e mirëqënies, mosndërtimin e tregut të lirë, paaftësinë kontrolluese në çdo sektor, paaftësinë për t’iu përshtatur sfidave, rrethanave në ndryshim, mbajtjen në fre të nivelit të borxhit të jashtëm e të brendshëm, mbajtjen nën fre të grupeve të interesit, të cilat ndikojnë në ligjvënie dhe në shpërndarjen e të ardhurave dhe rritjen e pabarazisë, vrasjen e shpresës për barazinë e mundësive, ku njerëzit të besojnë se, duke punuar fort dhe me aftësi do të kenë mundësinë të bëjnë përpara, qarkullimin e elitave, të cilat fuqizohen aq sa e trashëgojnë pushtetin, duke manipuluar sistemin e zgjedhjeve, vullnetin e votuesve dhe rrënimin e sovranitetit të ligjit, ku barazia përpara ligjit supozohet se është e padiskutueshme.
Kemi një shthurje të sistemit, i cili po tregon paaftësi rigjeneruese dhe përshtatëse. Kushtetuta, jo vetëm që nuk është perfeksionuar, por biles edhe është shkelur apo anashkaluar dhe gjykata kushtetuese nuk ka marr akoma rolin e gardianit të rendit juridik. Kodi zgjedhor është tërësisht në kundërshtim me kushtetutën, duke deformuar në thelb vullnetin politik të popullit, si në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu edhe në mënyrë të përfaqësuar. Tashmë është polarizuar jo vetëm politika, por edhe shoqëria.
Paratë e elitës politike kanë dalë dhe po dalin nga vendi, duke shmangur jo vetëm tatimet, por edhe ushqyer hemorragjinë ekonomike. Jo vetëm nuk kemi industrinë që kishim përpara viti ‘90, por edhe sindikatat që lozën rol kyc në ndërrimin e sistemit, janë bërë pjesë e pazarit politik dhe drejtohen nga uzurpues, që përjetësuan veten e tyre në krye të tyre, që shpërdoruan besimin e punonjësve, pronat e tyre dhe të drejtat e tyre, duke hequr dorë nga cdo politike punësimi, mbrojtje elementare të vendeve të punës, minimumit jetik etj, vetëm për interesa personale.
Qëndrimi i tyre, përvecse jo etik dhe moral, është edhe i jashtëligjshëm, prandaj ashtu si dhe pushtetarët e korruptuar, ata duhet të përballen me drejtësinë. Sindikatat duhen ngritur nga e para, sipas standardeve të simotrave të tyre në vendet e Europës Perëndimore dhe Amerikes se Veriut. Industria dhe sindikatat duhet të jenë patjetër faktor kyc rregullues dhe kontrollues i sistemit politik. Kemi nevojë për një qeveri të fortë dhe njëkohësisht larg autoritarizmit, kontribuese në rritjen e parametrave të demokracisë, që operon vetëm në mënyrë kushtetuese dhe jep plotësisht llogari.
Dështimi ynë në demokraci nisi nga zbatimi i saj, nga qeverisja, e cila nuk krijoi kurrë institucione të forta, larg familjarizimit dhe nepotizmit, nuk luftoi korrupsionin dhe duke mos u bazuar në meritokraci, nuk arriti kurrë të jetë një shërbyese e suksesshme publike në lidhje me: shëndetësinë, arsimim e punësimin, nuk luftoi grupet e jashtëligjshme të interesit, nuk liberalizoi tregun, nuk luftoi spekulimin me cmimet, monopolet, oligopolet, duopolet, nuk ushqeu lirinë e individit, sigurinë e rendit juridik, të jetës, pronës, dinjitetit etj.
Si kemi institucionet ashtu kemi edhe vlerat kulturore të shoqërisë sonë, e cila është larg ndikimit pozitiv të moralit hyjnor, i cili vazhdon të trajtohet për reminishence nga e kaluara, si opium për popullin. Besimi ndikon që normat të pranohen dhe respektohen jo vetëm nga arsyeja, por edhe nga ndjenjat. Duam të shkojmë drejt Europës pa marr parasysh rolin determinues të klerit atje.
Nëse Europa dhe Amerika e Veriut vlerësoi saktë Zotin dhe mësimet e shenjta, tek ne janë krijuar zotat e rremë, liderët e politikës, fjala dhe dëshira e të cilëve, trajtohet si ligj hyjnor, të cilat po ti kundërshtosh, të përballin me inkuizicionin e këtyre zotave të rreme, inkuizicion çnjerëzor si çdo inkuizicion, i cili është thjesht çnjerëzor. Është fakt se, liderët politik shqiptarë, nuk po qeverisin, por, po sundojnë, duke u mbështetur tek uzurpimi i çdo lloj lirie, tek nënshtrimi i bashkëpunëtorëve dhe institucioneve, duke u kthyer vetë në institucione, pra duke uzurpuar të drejta kushtetuese, duke rrënuar vetëqeverisjen qendrore dhe vendore, duke uzurpuar sovranitetin e ligjit dhe të të gjithë popullit.
Në shumë raste, janë vetë institucionet shtetërore që operojnë jashtë ligjit. Është e domosdoshme dhe jetike edukimi në shkollë, se si ne duhet të ecim sipas normave, të mësojmë të drejtat tona, detyrat dhe si realizohen ato. Arsimi duhet të ngrihet në nivelin e qëllimeve tona më të mira. Na duhet shteti ligjor dhe llogaridhënës në çdo strukturë të tij, rendi ligjor dhe qeverisja llogaridhënëse, e cila kufizohet dhe i nënshtrohet rendit ligjor.
Nëse duhet të vendosim drejtësi, duhet të arrijmë parametrat e mësipërm dhe anasjelltas, nëse duam të arrijmë parametrat e mësipërm duhet patjetër që të vendosim drejtësinë, si sfidën madhore për të bërë veten dhe vendin. Njerëzit kanë të drejtat e tyre natyrore, që mbizoterojnë mbi çdo të drejtë tjetër duke i paraprirë atyre, prandaj ajo është e drejta bazë e të të gjitha të drejtave.
Ato janë e drejta për jetën, e lirisë, e drejta për të jetuar me dinjitet, synimi drejt lumturisë, e drejta e besimi etj. Të gjitha këto të drejta kanë një armik, tiraninë, pavarësisht formave të saj. Ne kemi nevojë për një ndryshim gjithëpërfshirës, revolucionar, që të realizojmë ndryshimin, lëvizjen përpara për të prishur një barazpeshë mosvepruese pengmbajtëse, të imponuar nga pazari politik, ku vendimmarrësit e përzgjedhur, janë bërë bllok përkundër ndryshimit. Është koha për revolucion dhe për ti dhënë një mësim politikës, që të dalë nga stadi i interesit vetjak dhe klanor.