Juristi Romeo Kara e sheh dënimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla si sinjal për goditjen e pushtetarëve të lartë në Shqipëri. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u dënua tre ditë më parë me 2 vjet burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit. Por në lidhje me këtë zhvillim të fortë dje ka reaguar edhe juristi Kara.
Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” shprehu bindjen se dënimi i ish-kreut të akuzës i ka hapur rrugë luftës kundër pandëshkueshmërisë në vendin tonë. Madje, shtyrja e Llallës drejt burgut, sipas zotit Kara, është sinjal i pastër se po shkohet tek të paprekshmit, ndërsa kërkoi edhe konfiskimin e pasurisë së ish-kryeprokurorit.
“Dënimi i Llallës, i lehtë në dukje, ka një vlerë realisht të madhe, pasi hap siparin e ndëshkueshmërisë kaq të shumëpritur në Shqipëri. Pavarësisht se ai u dënua vetëm dy vjet, të cilat duken shumë pak nëse vlerësojmë pritshmërinë e publikut, sërish ky dënim është shumë i rëndësishëm. Procesi penal kundër tij u zgjat, por falë një monitorimi shembullor, nuk doli fiasko, por me një dënim. Ish-Kryeprokurori i Republikës shpallet fajtor në të dyja shkallët e gjykimit, pasuria i konfiskohet dhe ai duhet të vuajë dy vjet dënim me burg. Llalla u zhvlerësua tërësisht dhe drejtësia tregoi se, kur ajo ka dëshirë e vullnet, mund ta realizojë barazinë përpara ligjit”, deklaroi ai.
Pas Llallës fshihen Meta dhe Berisha
Por dënimi i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla duket se do t’iu hapë telashe edhe dyshes Berisha-Meta. Të paktën kështu mendon juristi Romeo Kara, i cili gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, akuzoi presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se kanë qenë mentorë të ish-kryeprokurorit Llalla. Madje, prerë dhe qartë zoti Kara theksoi se dënimi i ish-Kryeprokurorit është kambanë alarmi edhe për presidentin dhe ish-kryeministrin.
Sipas tij, zotin Llalla e katapultuan në krye të institucionit të akuzës Berisha dhe Meta. “Monitorimi që iu bë procesit “Llalla”, flet qartë se, miqtë e tij, të cilët e emëruan dhe e mbajtën në atë post, sigurisht që kanë tentuar ta ndihmojnë për t’i shpëtuar një dënimi të mundshëm, pasi ky dënim është sipari i hapjes së dënimeve edhe për vetë ata, por gjykoj që e patën të pamundur për ta konkretizuar një ndihmë të tillë.
Parë në këtë këndvështrim, dënimi i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është një sukses i drejtësisë së re. Largimi i tij kuturu, flet për një pamundësi garancie se, ai do t’i shpëtonte këtij dënimi nëpërmjet ndërhyrjes së miqve të tij, Ilir Meta dhe Sali Berisha. Ndëshkimi këtë radhë e gjeti rrugën, ndërsa Adriatik Llalla dhe për disa kohë do të bredhë rrugëve me dënimin që do ta ndjeke nga pas”, nënvizoi ditën e djeshme ndër të tjera juristi Romeo Kara për gazetën “SOT”.