Juristët kanë hedhur dje poshtë pretendimet e Presidentit Ilir Meta sa i takon dekretit për Sandër Lleshin. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Idajet Beqiri theksoi se duke qenë se qeveria me në krye kryeministrin ka dalë nga populli, atëherë e di vetë kryeministri se kë vendos në krye të Ministrisë së Brendshme.
“Emërimi dhe shkarkimi i ministrave bëhet nga Presidenti i Republikës mbi bazën e propozimit të kryeministrit. Qeveria dhe qeverisja është e atyre që populli në votim u jep shumicën.
Qeveria krijohet nga kryeministri. E di ai me kë ministër do të punoj për ta patur në kabinetin qeveritar”, tha avokati.
Ai shtoi se vendimi i Metës për të mos dekretuar Lleshin është në shkelje të Kushtetutës. Sipas tij, kreu i shtetit po tenton të pengojë punën e qeverisë.
“ Mosdekretimi nga Presidenti i Republikës i ministrit që propozon kryeministri, kjo është shkelja më e rëndë që i bëhet Kushtetutës së Republikës, parimeve të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe lirisë.
Kjo do të thotë që ti, fituesi i zgjedhjeve, ti që populli të ka mandatuar me votën e lirë, të qeverisësh sipas mendjes “surrugato” të një presidenti, i cili meqenëse ishte i partisë humbëse në zgjedhje, kërkon të sabotojë qeverisjen që do populli, duke i bërë pengesa artificiale kryeministrit që populli i ka dhënë votat për qeverisjen e vendit”, u shpreh Idajet Beqiri.
Ai shtoi se në këtë rast Kuvendi i Shqipërisë mund të vendosë se çfarë do të bëjë me dekretin e Metës.
“Sipas ligjit nëse Presidenti i Republikës nuk e dekreton ministrin e propozuar nga kryeministri brenda 7 ditëve, ose e refuzon emërimin, brenda 10 ditëve këtë dekret e miraton ose e hedh poshtë Kuvendi i Shqipërisë.
Dhe kështu mbyllet cikli, duke i hapur udhën vizitës mjekësore të Presidentit, pasi për asnjë arsye tjetër, veç arsyeve të shëndetit mendor, nuk mund të nëpërkëmbet neni 98 i Kushtetutës së Republikës”, tha Idajet Beqir