Kanë mbërritur pasditen e sotme në kryeqytetin shqiptar Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn. Pas takimit që zgjati më shumë se një orë në Kryeministri, Juncker dhe Rama kanë dalë në një konferencë shtypi të përbashkët për mediat.
Kryeministri Edi Rama deklaroi:
“Vizita është përmbushja e një zotimi të vjetër, por të mbajtur në momentin më të mirë të mundshëm, pasi vjen pak kohë para momentit të vendimmarrjes për rekomandimin e KE për hapjen e negociatave dhe pak kohë pas publikimit të strategjisë së re të zgjerimit, e cila përbën një bazë inkurajuese për të gjitha vendet e rajonit tonë.
Ne u takuam në dhjetor në Bruksel dhe sot pata mundësinë dhe privilegjin ta informoj për zhvillimet e reja. KE ka rekomanduar që në nëntor të 2016 hapjen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë duke nënvizuar çuarjen para të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të Vettingut. E informova Presidentin se sot që flasim ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës të niveleve më të larta, që janë tërhequr nga Vettingu, që faktikisht nuk do të jenë më pjesë e sistemit.
Tregues i qartë, që vettingu ka filluar të funksionojë si shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivit, drejtësi e re dhe e pavarur. Presim në vijim edhe hapjen e çështjeve konkrete me rezultate konkrete nga komisionet e Vettingut. Ka hyrë në proces ‘Forca e Ligjit’. Ndryshimet, prokurori i përgjithshëm dhe çeljen e një serë dosjesh që flinin në prokuroi. Rekomandimin e meritojmë, shpresojmë që vendet anëtarë do të përgjigjen pozitivisht.
Detyrat e shtëpisë i kemi kryer deri në këtë pikë. Keqardhje që nuk arritëm t’u presim me një kohë mesdhetare, po është një mënyrë për t’iu bërë që të nidheni si në Bruksel ‘shi, gri dhe mërzi” tha Rama.
Jean-Claude Juncker deklaroi në Tiranë se:
“Bisedimet kanë nisur më parë. Kur erdha në vizitën e parë në Tiranë, kryeministri ishte kryebashkiak dhe dëgjova rezervat që shprehën të tjerët për të. Shqipëria dhe Ballkani janë vende miq, që janë perspektivë evropiane, pasi Shqipëria është një vend evropian, jemi ndarë nga historia, por nuk duhet humbur kaq shumë kohë për t’u ndarë.
Bëhet fjalë për ta rishikuar historinë përmes pajtimit. Konstatoj që Shqipëria nuk pushon së akumuluari progres, ka bërë shumë reforma impresionate, progresi është mbresëlënës, nëse vijon kështu, KE do të rekomandojë hapjen e negociatave. Nuk kam ardhur për të bërë premtime bosh, por vetëm mund të inkurajoj Shqipërinë që të vijojë reformat, sidomos në luftën kundër krimit, vettingut, organizimit të gjykatave. Do të jemi përkrah Shqipërisë për ta ndihmuar të përgatisë anëtarësimin. Mbështesim Shqipërinë edhe në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor. Rikonfirmoj, se vendi i Shqipërisë është në gjirin e BE” deklaroi ai.