“Historia e dashurisë në distancë” mes Pep Guardiolës dhe Xhulia Roberts duket se nuk ka një fund të lumtur për trajnerin spanjoll. Guardiola e kishte cilësuar një prej idhujve të tij aktoren e njohur amerikane dhe e kishte cilësuar si një nga dështimet e karrierës së tij faktin që ajo kishte shkuar të vizitonte Mançester Junajtid dhe jo Mançester Sitin gjatë një vizite në Angli disa vite më parë.
Pas këtyre deklaratave, ishte aktorja ajo e cila e uroi në rrjetet sociale trajnerin e Mançester Sitit menjëherë pasi ekipi fitoi Ligën e Kampioneve duke mundur në finale Interin. Por duket se dashuria e saj e vërtetë mbetet Mançester Junajtid.
Pas miqësores mes Mançester Junajtid dhe Arsenalit në turneun në SHBA, ajo u shfaq duke bërë foto me trajnerin Ten Hag dhe futbollistët e “djajve të kuq” si Rashford, Maunt, Kasemiro e Bruno Fernandes. Dhe duket se të Junajtid ishin përgatitur për një thumbim ndaj rivalëve historikë, pasi i dhuruan asaj një fanellë të personalizuar me numrin 1 në shpinë.