Nga Anri Bala
Më në fund kalvari i vulës përfundoi! Beteja e gjatë me leva, zjarr, bomba dhe krisma e 8 Janarit u kurorëzua me fitoren e “revolucionarëve” të Rithemelimit.
Me vulë në dorë ky revolucion iu dha një fitore të pjesshme “qëndrestarëve” poshtë ballkonit të “Rrugës së Shpresëhumburve”, ligjërimin e pushtimit të dikurshëm të kalasë SHQUP, ku lideri i revolucionit imagjinar, sot i ngujuar, realizoi ëndrrën e humbur… marrjen edhe një herë të karriges së tij, për tu ulur aty përjetësisht, deri në vdekje, për të drejtuar luftën brenda llojit me ushtarët e mbetur, drejt fitores kundër Bashës.
Sot, shumë nga “demonkratët” po gëzojnë për gjëmën, sepse demokratët… ata të vërtetët, janë të tjerë dhe shumë më inteligjent se ata që shkojnë në SHQUP, për të kënduar dhe festuar një copë vulë ose kthimin në shtëpi të mbretit lakuriq.
Fatkeqësisht niveli i ulët mendor i atyre që i drejtojnë dhe humbja e shpresës nga ata që i ndjekin, nuk i lë të kuptojnë, se ajo vula, është e zezë sterr dhe ka hyrë si djalli në oborrin e kishës, dhe shumë shpejt do i bëj gjëmën PD-së ose varrin politik Berishës.
Nëse PD-ja, tashmë zyrtare, vazhdon të pëllas “lironi liderin” poshtë ballkonit, pa e larguar vetë “liderin”, atëherë kjo forcë politike ka vdekur. Me një lider të sanksionuar nga SHBA, MB dhe BE të rizgjedhur ligjërisht, do të ketë fatin e partisë së Dodik në Republikën Serbska të Bosnje Hercegovinës… asnjë mundësi për të ardhur në pushtet, pra do të kthehet në një fantazëm politike.
Por ka një shpresë dhe diçka për tu gëzuar: Përfundimi i Ilir Metës dhe PL në koshin e plehrave të aleancës… për një vulë që Berisha nuk e kishte.
Nëse demokratët do të sakrifikojnë dhe të gjejnë mënyrën për të patur një drejtues të ri, duke i larguar edhe Gazët “pa gaz”, që tashmë e mbaruan shërbimin si pjesa më e dyshimtë brenda PD-së të përdorur dhe të panevojshëm, e duke larguar përgjithmonë Berishën, por jo duke vendosur Gitën, e cila gëzon edhe ajo statusin “non grata” si babai i saj, kjo do të ishte prova madhore që kjo parti po reformohet dhe me siguri do t’i hapen gradualisht dyert e mbyllura të partnerëve ndërkombëtarë të pushtetit të ëndërruar gjatë.
Kthimi i vulës së njollosur nga gjykata, nuk mundet të trajtohet si sihariq, si të ishte Kostandini i vdekur që solli Doruntinën, kur ajo në fakt është vaji i kukuvajkës, që lajmëron mort. Ndaj demokratët e vërtet duhet të qajnë për hallin e madh që u ka rënë… të zgjidhni Partinë apo Salinë./Ekskluzive.al