Parlamenti europian pritet të votojë për paketën e re të masave për të mbrojtur ambjentin dhe për të reduktuar emetimet atmosferike. Një vendim që Brukseli duhet ta diskutojë më pas me qeveritë dhe që do të jetë në drejtim të politikës ambientale të Bashkimit Europian në vitet e ardhshme.
Dokumenti është pagëzuar me emrin «Fitfor55». Në paketën e masave përfshihet dhe heqja nga qarkullimi brenda vitit 2035 të të gjithë automjeteve me naftë apo benzinë. Një masë që ende nuk është miratuar nga mazhoranca në komisionin europian pasi parashikohen pasoja shumë të forta në të gjithë industrinë automobilistike
Fitfor55 – është një projekt i Bashkimit Europian për të garantuar një të ardhme më të gjelbër dhe një nivel më të ulët të ndotjes dhe e merr emrin nga një objektiv të fiksuar për vitin 2030: reduktimin me 55% të të gjitha emetimeve ndotëse. Një tjetër ndihmë për realizimin e këtij projekti është dhe rritja e energjisë së rinovueshme me 40% brenda këtij dhjetë vjecari.
Por pika më e diskutuar mbetet ajo e automjeteve, pasi synohet heqja nga qarkullimi i të gjithë mjeteve me motor termik, pasi do të ketë hapësirë vetëm për motorët elektrike.
Por përvec industrisë automobilistike kundërshtim për këtë plan ka shprehur dhe zëvendësi i presidentes së komisionit europian, Frans Timermans. Ai u shpreh se industria në fjalë e ka bërë zgjedhjen e saj dhe nuk ka se pse të vështirësohet dhe më shumë situata. Ai madje e cilësoi si kaotik këtë projekt.
Por do të ketë kohë për ndërmjetësim pasi pas votimit të asamblesë do të nisë një fazë e re negociatash me qeveritë e secilit shtet anëtar në Bashkimin Europian.