Nga Anri Bala
Tani e more guximin dhe me gjithë kthesat dhe spërdredhjet, fshehjeve e lehjeve, nga ata që ti u besove, përsëri ata kur panë rrezikun tek dera e tyre, thirrën: “Zot, larg bythës time!” dhe të shitën. Tani, ti je aty, përball të mirës dhe të keqes, i vetmuar, ndaj dole për të kërkuar ndihmën tonë… si koleg!
Në të vërtetë, unë dhe miqtë e mi, nuk të njohim si gazetar, sepse u vetemërove gazetar, mbasi administrata të la në rrugë dhe fillove zanatin e investiguesit. Mirëpo, siç duket nuk e ke zanat or mik, e megjithëse nuk jemi as miq e as të njohur, mik dhe koleg do të mbaj, deri kur të dalë e vërteta, edhe kur dyshoj, sikur integriteti yt gazetaresk lë për të dëshiruar.
Me sa më kujtohet, ti the, se ndjehesh i rrezikuar për jetën, por nuk the nga kush?! Nga ata që të vunë përpara të tregosh të “vërtetën”, e që ti mendon se luftonin drogën, apo nga ata që i sulmove si “kriminel”, që e kanë luftuar dhe po e luftojnë drogën?! Këtu dyshoj për integritetin tënd profesional. Ata që ti thua, se ishin të interesuar dhe kanë luftuar drogën, janë ata që na krijuan një shtet amerikano-latin brenda shtetit, me drogë, kartel droge, banda, polici, ushtri dhe kufi!
Si gazetar prej 16 vjetësh, siç pretendon zotrrote, vërtet nuk e ke parë, si të gjithë gazetarët që kanë sy e vesh aty në terren, duke investiguar dhe informuar, për luftën e shtetit të “kriminelëve” me shtetin e Lazaratit.
Vërtet nuk e ke parë flakën e krismave e bombave, kallashëve, mortajave, snajperëve dhe lulzimin e drogës së Lulzimit, Mulit, Bujarit dhe Saliut, që rritej e i jepte begati atij shteti plot 6 milardë euro në vit, që pastroheshin në piramida fiskale?!
Vërtet, nuk e ke parë, se atje u rrëzua një shtet kriminal, me policët e tij, me ushtrinë e tij, me milionerët e tij dhe fukarenjtë argat, për të fituar bukën e gojës?!
Vërtet, nuk e ke kuptuar, se ata qytetarë ishin armatosur, siç armatoset çdo shtet, kishin kufijtë e tyre, sikurse i ka çdo shtet dhe të drejtën e tyre, nga ata që e krijuan dhe i dhanë pavarësinë krimit… për tu mbrojtur?!
Vërtet, nuk e di, se eleminimi i shtetit të kartelëve të drogës, i krijuar me vullnet politik të asaj kohe, u la me gjak dhe për koincidencë, djaloshi i vrarë kishte mbiemrin e këtij vrasësit të bulevardit, që doli të të mbronte, garantonte dhe të siguronte, se “populli” ishte me ty, por… për atë?!
Nuk besoj se e hëngre, më fal… e besove?!
Po helikopterin e rrëzuar në Dukagjin dhe vrasjen e pilotit nga bandat e hashashit, nuk i ke parë?!
Sigurisht që i ke parë, por ishe zyrtar dhe gazep-ar dhe kurrë nuk mund të ishe ky që na thua sot, investigues gazetarë. Integriteti yt profesonal, të them të drejtën është i dyshimtë, duke mos dashur të të fyej deri kur të dal e vërteta, nuk dua të them atë që mendoj unë dhe shumë koleg, që ti nuk ke integritet.
Ndjehesh i rrezikuar për jetën dhe gjete mbrojtje tek “lugetërit” e varrezave?! Vërtet, ti po na thua si dëshmitar apo si ushtarë, se jeta jote është e sigurtë, në duart e atyre që kanë një përvojë të gjatë kriminale kur ishin në pushtet, me rrahje, plagosje e deri vrasje gazetarësh, qytetarësh, opozitarësh, djegie gazetash e marrje peng bisnesmenësh e dëshmitarësh, që sot nuk u gjenden as kockat?!
Tani më thuaj, nga kush ke frikë kolegu im?! Nga këto që njoh unë, që i kanë bërë gjëmën Shqipërisë, apo nga këto që i njeh ti, që përveçse ndonjë gudulisje, që ne të “moralit gazetaresk” na dhemb si gryerje bajonete, kur thonë të vërtetën për “shumatoren” e gazetarëve, askujt nuk i kanë prekur një fije floku.
Po të garantoj unë, ruaju nga ata që të futën në këtë lojë, për të ta futur, sepse nuk u duhesh më, as si dëshmitarë! Kurse palës që akuzove dhe investigove u duhesh, sepse nuk kanë çfarë humbasin. Ndaj koleg, mos u tremb për lugën e çorbës, e ishalla këta që ti u beson, i nderon, i ndihmon, do të lënë ta vjellësh. Je i mbrojtur nge ne të gjithë, e nëse e vërteta është me ty, pak rëndësi ka se si e nxorre dhe si u solle, rëndësi ka se është e vërtetë, ti meriton gjithë respektin e mundshëm. Nëse është një shpifje apo makinacion, për t’i shërbyer një kauze antishqiptare dhe antikombëtare, si ajo e luftës kundër drejtësisë së re, e kurdisur nga ata, që kanë haqe e gjaqe për të paguar, na ke borxh të madh, vetëm se guxove të gënjesh, duke na e poshtëruar dhe përdhosur emrin… gazetarë.
Nëse quhet gazetari kjo që bëre ti, që uroj kurrë të mos të jetë e vërtetë, atëherë gazetaria në këtë vend nuk është kazan, por një hale që qelb, e duhet mbyllur. Në një vend, ku qorri e horri, ushtari dhe zagari, perversi dhe imorali, pushtetari dhe ofiqari, bëjnë gazetarin, nuk ekziston gazetaria por… çmenduria./Ekskluzive.al