Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata ka vendosur 30 ditë burg të tjera për Ervis Martinaj, një nga protagonistët e përfshirë në masakrën e 4 tetorit në ish-Bllok
Gjykata ka lënë kështu në fuqi të njëjtën masë për biznesmenin pas provave të reja të paraqitura nga prokuroria. Kujtojmë se sot Martinajt i mbaronte afati për masën e sigurisë prej 30 ditësh qëndrimi në burg.
“Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë me 30 ditë burg masën e arrestit për Ervis Martinajn, i cili u përfshi në përplasjen me armë zjarri në zonën e Bllokut. Gjykatësi Artan Gjermeni ka lexuar akuzat për Martinajn, pastrim e produkteve të veprës penale, falsifikim dokumentash, fshehje e pasurisë, dhe organizim i lojërave të paligjshme. Janë këto akuza të ngritura nga Prokuroria për Martinajn dhe pritet që 30 ditët e tjera të sigurohen prova të reja për të kërkuar masën arrest me burg. Gjykatësi rilexoi në vendimin e tij përgjimet nga telefoni i Martinaj, ku bisedon me miqtë e tij, bisedat para përplasjes me armë.
Pas ekspertimit kimik të bërë, Gjykata konstatoi se kishte gabim. Nuk u konstatua mbetje të nitriteve në duart e Martinajt. Sipas aktit të ekspertimit të celularit, karta SIM nuk korrenspondon me telefonatat që i janë bërë Martinajt,” raportoi gazetari Klajdi Bodlli për BalkanWeb
Prokuroria siguroi prova të reja për vrasjen në ish-Bllok, të cilat rëndojnë pozitën e Ervis Martinaj, aktualisht në burg.
Prokuroria ka zbuluar biseda në aplikacionet Whatsapp dhe Telegram të Martinajt me miqtë e tij pak minuta para ngjarjes ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha. E pikërisht me viktimën por edhe disa miq të tjerë duket se ka komunikuar 36-vjeçari Martinaj. Gazetarja Lala duke cituar burime nga prokuroria, raportoi se kur Martinaj është paraqitur në lokalin Monopol iu ka kërkuar miqve të afroheshin dhe të paraqiten aty të pajisur me armë.
Pra, sipas prokurorisë nuk ka qenë takim i rastësishëm siç ka thënë Martinaj në dëshminë e tij dhe sherri nuk ka pasur si shkak ngacmimet e këngëtares Elvana Gjata por konflikte të mëparshme. Kjo është një provë e re por ekspertiza e telefonit mund të nxjerrë të tjera detaje. Ndërkohë në bazë të provave balistike, rezulton se Martinaj nuk ka qëlluar me armë mbrëmjen kur ndodhi ngjarja.