Mbi 1 mijë shtetas shqiptarë janë riatdhesuar brenda 4 muajve të fundit. Lajmi u konfirmua nga Policia e Shtetit dhe Ambasada Britanike në vendin tonë. Këta persona, siç përmendet në komunikatën zyrtare, kanë shkelur kufirin në mënyrë të paligjshme dhe kanë paraqitur kërkesa të pabaza për marrje azili. Ky kontingjent është kontrolluar e kthyer nga Task Forca e Përbashkët Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar për Migracionin.
“Që nga nënshkrimi i Komunikatës, mbi 1 mijë shtetas shqiptarë janë kthyer në Shqipëri. Këto të dhëna përfshijnë shtetas që kanë depozituar kërkesa të pabazuara azili, shkelës të ligjit, si dhe kthime vullnetare, për periudhën nga 13 dhjetori i vitit 2022 deri në javën e parë të prillit 2023.
Ekipet operacionale të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë ngritur një Task Forcë të Përbashkët për Migracionin, e cila shërben si pika kyçe për të koordinuar masat dhe veprimet e posaçme operacionale për menaxhimin e migrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe”, thuhet në njoftimin e djeshëm.
Ky riatdhesim do vazhdojë pasi autoritetet e huaja dhe ato britanike raportuan se në Mbretërinë e Bashkuar kanë depërtuar rreth 13 mijë refugjatë shqiptarë në mënyrë ilegale. Dy qeveritë kanë firmosur marrëveshje për riatdhesimin e refugjatëve shqiptare. Pala britanike ka kërkuar:
1) ngritjen e një komande të re operacionale lundruese me varka të vogla që do të monitorojnë e parandalojnë fluksin e refugjatëve shqiptarë,
2) fond të posaçëm për të ndihmuar oficerët e emigracionit,
3) shfrytëzimin e hapësirave të reja publike për strehimin e 10 mijë refugjatëve që do t’u pranohet statusi i azilantit,
4) dyfishim i punonjësve të verifikimit të kërkesave për azil me qëllim shkurtimin e kohës së verifikimit të proçedurave
5) dislokimin e 400 specialistëve britanikë në Aeroportin e Rinasit që do të bashkëpunojnë me Policinë Kufitare të Rinasit për verifikimin e refugjatëve shqiptarë të kthyer nga Britania e Madhe që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne.