Skuadrën e Polonisë do ta mbështesin rreth 1 mijë tifozë të martën në mbrëmje në Air Albania. Disa prej tyre folën për mikrofonin e report tv, ku treguan se prej të dielës po shijojnë ushqimet vendase, dhe rrëfyen se e preferuara e tyre është rakia. Tifozët polakë thanë se skuadra jonë është shumë e fortë, sidomos pas fitores në Hungari.
Ernest Koçi
Të martën jo vetëm Shqipëria luan përballjen e jetës, por edhe Polonia. Edhe pse ndeshja do luhet në Air Albania në Tiranë mund të gjesh edhe tifoz polak që kanë udhëtuar jo pak kilometra. Që nga e diela disa prej tyre po shijojnë qytetin dhe siç duket nga pamjet nuk po ia kalojnë aspak keq.
Tifozi 1-“Mendoj se ndeshja do jetë shumë interesante. Shpresoj që të shohim futboll të bukur.”
Tifozi 2-“Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Ne kemi Levandoskin, por ai nuk fiton dot i vetëm. Kështu që duhet të luajmë si grup, sidomos pas fitores së Shqipërisë me Hungarinë sepse tani jeni të fortë edhe nga mentale. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë, ndeshje futbolli jo ndeshje tjetër (qesh). Do ta shohim, askush s’e di përfundimin.”
Në Shqipëri tifozët polak janë befasuar nga mikëpritja dhe ushqimi, ndërsa merak u kishte mbetur rakia.
Tifozi 1-‘Shqipëria është shumë e bukur për të thënë të vërtetën. Jemi për herë të parë këtu por vëmë re se njerëzit janë të mrekullueshëm. Duken të gëzuar. Jemi këtu që nga e diela dhe kemi vënë re se si ushqimi ashtu edhe njerëzit janë shumë të mirë.’
Tifozi 2- ‘Unë doja të thoja se kam parë këtu njerëz shumë miqësor. Gjithashtu edhe për mua është hera e parë në Shqipëri dhe me siguri do të kthehem sërish këtu. Siç e tha edhe shoku im këtu ka ushqim special dhe rakia është special (qesh). Kemi kujtime të bukura nga dje (qesh sërish). Vazhdoni kështu.’
Arma më e fortë e Polonisë është Levandoski, ndërsa të pyetur nëse e njohin heroin e Shqipërisë Armando Broja tifozët polak përgjigjen:
Tifozi 1-‘Po e njoh Brojën. Njoh gjithashtu edhe Hysajn. Kombëtarja juaj është shumë e fortë. Mendoj se po të mos kishim Levandoskin skuadrat tona do ishin të ngjashme. Do të shohim një ndeshje shumë të fortë nesër.’
Tifozi 2-‘Mendoj se do kemi shumë probleme nesër. E pamë edhe në ndeshjen e parë që nuk është e lehtë. Tani ju keni mposhtur Hungarinë, keni një pikë më shumë dhe forca mentale është në anën tuaj. Kështu që le të fitojë skuadra më e mirë.’
Në fund tifozët polak dhanë edhe parashikimin e tyre për rezultatin e ndeshjes.
Tifozi 1-‘Ndeshja do të përfundojë 3-1 për Poloninë.’
Tifozi 2- ‘Nuk e di, nuk e di. Por po them 2-1 për Poloninë, ose mbase 2-2. Do ta shohim.’
Ndeshja e parë mes dy kombëtareve përfundoi 4-1 në favor të Polonisë, ndërsa të martën në Air Albania vendoset se kush do të shkojë në ‘play-offin’ e Botërorit.
Ne.k./KT/Shqiptarja.com