Jari sot u zgjua në orarin e fiqve dhe kujtoi me nostalgji kohën kur qeveriste me përkushtim Republikën e Doktorit si president, dhe e niste ditën me shijimin e frutave të Pallatit të Brigadave.
Ora ishte plot 11:00 dhe sapo hapi syte, lexoi tek një prej portaleve të zemrës, që Ylli Manjani i kishte dalë kundër Genc Pollos dhe Lulit për ngjarjen e Brukselit.
U kujtua menjëherë që ai e kishte ngritur në qiell “Kuqon” në mesazhin për demokratët, dhe vendosi që të shpikte një gjë të re për të harruar shijen e keqe të mburrjes së djeshme.
Dhe, pa humbur kohë, u shtrua të shkruajë mesazhin e mëposhtëm:
“Të nderuar miq, Jari ju sqaron!
Siç e keni vënë re të gjithë, ditët e fundit qeveria e krimit i ka shtuar sulmet e saj kundër opozitës, duke pasur si qëllim kryesor diskretitimin e liderit të saj Lulzim (Sali) Basha (Berisha) dhe familjeve të tyre.
Në përgjigje të kësaj ofensive, Doktori, Luli dhe gjithë ne të tjerët, kemi mobilizuar artilerinë më të rëndë të partisë sonë, që e ruanim për ditë të zezë, që nga Sali Lusha, Florenc Hoxha e Albert Veliu, e deri tek Jetmir Olldashi, Basri Çollaku, dhe beteja ka qenë përgjithësisht e ekuilibruar.
Por gjatë këtij debati të ashpër për jetë a vdekje, që vazhdon edhe tani që po shkruaj, me qeverinë e korruptuar të Edi Ramës, më ka bërë përshtypje një aftësi e çuditshme e kryetarit de jure të opozitës, që nuk e kisha vënë re më parë.
Këtu nuk e kam fjalën për bindjen e tij ndaj urdhërave të Doktorit, sepse atë e kemi pasur të dy njësoj, dhe me tepri, që ditën kur kemi shkelur në oborrin e Partisë Demokratike, pas një karriere të ngjashme në fushën e shërbimeve (të dy kemi punuar më parë si kamarierë).
Në këtë kuptim, nuk më çudisin konferencat e tij të shtypit dhe fjalori i egër ndaj qeverisë.
As më bëjnë përshtypje tezat e tij revolucionare kundër Edi Ramës dhe betimet se nuk do të ketë kurrë zgjedhje në Shqipëri, sa kohë të jetë ai kryeministër.
Sepse një gjë të përafërt do të kishte bërë edhe Doktori, po të mos e kishte lëshuar me dëshirë karrigen e kryetarit të Partisë Demokratike.
Por e vetmja gjë që më çudit në këtë histori, është se si ka mundësi që edhe në këtë situatë konflikti me qeverinë, Luli ka ditur të fitojë prapë.
Ai vërtet dërgoi “Kuqon” në Bruksel të bënte atë që bëri, por vetë shkoi dhe mbajti një fjalim për nevojën e digitalizimit dhe se si mund të luftohet korrupsioni përmes digitalizimit.
Pra, ai nuk bëri asgjë banale si ato të Pollos dhe as që foli për bojkot.
Thjesht foli për të ardhmen e opozitës, e cila lidhet me të ardhmen e IT-së dhe digitalizimit.
Pra, kur të gjithë mendojnë se opozita nuk do hyjë në zgjedhje dhe se problem kryesor është “Babalja”, Luli di të dalë nga banaliteti dhe flet për vizionin e ardhshëm të opozitës, që bazohet tek digitalizimi.
Tani e kuptoj përse Kunati gjithë investimet i ka në teknikën digitale.
Kjo do të thotë se Luli qysh tani po hedh themelet e investimeve të nesërme.
Ky është lideri që di të fitojë në çdo rrethanë.
Dhe, megjithëse nuk ma bën goja ta them, kjo është një zotësi e lindur, ku Luli tregon se ia kalon edhe vetë Doktorit.
Ndaj nuk duhet t’i humbim asnjëherë shpresat prej tij, sepse siç thotë populli ynë, Luli e nxjerr lekun edhe prej gurit.
I juaji, Jari!”