Pas debateve të shumta në publik, mbi cilësitë e rrezikshme të kokteilit “Molotov”, Jari e pa të udhës të ndërhyjë në këtë debat fillimisht si ushtarak, pastaj dhe si politikan i lartë:
“Të nderuar demokratë,
Jari ju sqaron!
Siç e keni vënë re këto ditë, komunistët në pushtet, po përpiqen të na poshtërojnë dhe mjetet tona luftarake.
Ata po përpiqen të quajnë bomba “Molotov”, bombat që ne kemi përgatitur në mënyrë artizanale në SHQUP.
Këtë e bëjnë me vetëdije, ngaqë Molotovi ishte komunist i lartë i Bashkimit Sovjetik dhe të na akuzojnë ne, se po përdorim bomba komuniste kundër tyre.
Nga përvoja ime si ushtarak, ju garantoj se bombat tona nuk janë “Molotov”.
Ajo është një patentë specifike e shpikur nga ushtarakët e PD, për t’u përdorur në protesta të tilla.
Nuk kam ndërmend ta bëj publike formulën tonë sekrete, por ajo është një bombë inteligjente, që djeg dhe shkatërron vetëm socialistët.
Pra, është e kundërta e bombës “Molotov”, që ka qenë kundër fashistëve.
Kjo bombë e prodhuar në kushte specifike, me bazë benzinën, është eksperimentuar disa herë nga PD në vite, dhe tani kemi arritur në përsosmërinë e formulës, pasi ajo djeg vetëm gjëra që kanë lidhje me PS-në, dhe nuk dëmton popullin e thjeshtë, kalimtarë apo dhe protestues të PD.
Ju e patë në një moment, kur bomba preku një demonstrues, ajo u fik menjëherë, pasi ajo është bombë inteligjente, se e ka shpikur Muli, dhe i njeh protestuesit e PD, ndaj duhet përdorur pa frikë
Këtë armë tonën sekrete, ne e kemi certifikuar dhe e kemi pagëzuar me një emër tonin, që sot dua ta bëj publike.
Ajo nuk quhet koktejl “Molotov”, por “Mulitov”, pasi njeriu që e porositi pranë grupit të ushtarakëve ishte Muli.
Ai propozoi disa ndryshime në përbërje të “Molotovit”, siç është shtimi i sheqerit, futja e nitratit në doza të tjera dhe disa elementë të tjerë sekretë, që i rrisin inteligjencën bombës.
Ndaj askush nuk mund të na ndëshkojë se përdorim “Molotov”, pasi bomba jonë quhen “Mulitov”, dhe është patentë e PD.
Nuk ka asnjë bazë ligjore dënimi për të, pasi ajo është ende e parregjistruar dhe ne nuk kemi ndërmend ta shesim patentën.
Ndaj përdoreni pa frikë në çdo protestë.
I juaji, Jari!”