Demokracia e Re ka shpallur 28 emrat e parë të kandidatëve për zgjedhjet europiane të 9 qershorit. Një ndër ta është edhe kampioni olimpik Pirro Dhima, presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes.
Pirro Dhima është ish-peshëngritësi i cili ka bërë bujë me deklaratat për origjinën e tij.
Në një intervistë të mëhershme shkaktoi reagime të shumta nga të dyja anët e kufirit.
“Unë jam një grek i lindur në Shqipëri”. Ishte kjo përgjigja që Pirro Dhima i dha gazetares greke Elena Akrita, e cila e cilësonte me origjinë shqiptare.
Për të sqaruar debatin, por edhe periudhën që kaloi në Shqipëri derisa u largua për në Greqi, Pirro Dhima foli në një intervistë të gjatë për një nga mediat e vendit fqinj.
“Unë jam grek i lindur në Shqipëri, në Himarë nga gjyshi te gjyshi nga nëna dhe babai“, sqaron ai.
“Kjo është nderi im dhe krenaria ime” vijoi më tej ai duke u ndaluar më pas te intervista që bëri bujë.
“Zonja Akrita shkroi një artikull në favorin tim dhe e falënderoj për fjalët e saj të mira. Por jo me origjinë shqiptare! Unë jam grek nga gjyshi te gjyshi. Unë nuk kam asnjë lidhje me shqiptarët”, u shpreh ai në atë kohë.