Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në godinën e “Top Channel”, ku është qëlluar me breshëri plumbash dhe ka mbetur i vrarë roja i sigurisë. Roja i sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç, humbi jetën teksa po transportohej për në spital. Ky akt ka tronditur mbarë opinionin publik, ndërkohë që janë zbardhur edhe disa prapaskena që fshihen pas sulmit me kallashnikov mbi “Top Channel”, duke filluar nga sherret për pronësinë, te shitja e aksioneve në parajsat fiskale, linja editoriale dhe hasmëritë e vjetra mes pronarëve, etj.
I pari që i ka hedhur “benzinë zjarrit” të debatit ka qenë avokat Altin Goxhaj, i cili ka reaguar dje në rrjetet sociale lidhur me ngjarjen. Sipas tij, krimi në fjalë nuk do të zbardhet, pasi nëse do të nise hetimi për tragjedinë, do dalin në dritë edhe të tjera skandale të “Top Medias”. Sipas Goxhajt, sulmi mund të lidhet me ndryshimin e pronësisë së medias në fjalë dhe mosmarrëveshje mafioze për detyrime të vjetra apo që prodhon ky ndryshim, ose me ndonjë dosje investigative, ose e fundit fare, me rojën që sipas Goxhajt, ka zero shanse që mund të ketë pasur konflikte.
“Ja përse atentati mafioz tek topi nuk do zbardhet asnjëherë.. sepse po u hap puseta, do qelbte gjithë dynjanë.. Atentati i tipit mafioz për tu dhënë mesazhe pronarëve të vjetër dhe të rinj, duke ekzekutuar qëllimisht rojen për të treguar se e kanë seriozisht, ka 3 opsione: I pari (më i mundshmi se lloji i sulmit ndodhi në formën, vendin dhe kohën përkatëse) që lidhet me ndryshimin e pronësisë dhe mosmarrëveshje mafioze për detyrime të vjetra apo që prodhon ky ndryshim;
I dyti dhe shumë pak i mundshëm, gati mikroskopik, mund të jetë për ndonjë dosje investigative (s’ka asnjë të dhënë për këtë); I treti, me zero shanse, që target të ishte një njeri i pafuqishëm si roja i ndjerë që humbi jetën me 50 L të vjetra në xhep! Pra hetimi për autorët e krimit të poshtër që i mori jetën një fatkeqi (duke e ekzekutuar si peng terrori ndaj targetit real) do duhej të niste me pistën më të mundshme, dmth me atë të ndryshimit të pronësisë përfshi çdo të dhënë dhe marrje në pyetje të çdo kujt që ka lidhje direkte apo indirekte me rolin apo pasojat e ndryshimit të pronësisë.
Pra i bie që të zbardhet deri në detaje edhe vetë procedura e transaksionit real (9 milionë dollarë është shitur një pronë që vlen mbi 50-100 milionë dollarë) por edhe zbërthimi i origjinës së pronarëve që fshihen pas parajsave fiskale dmth ti hiqet kapaku pusetës së pushtetit”, shkruan avokat Goxhaj.
Gazetarja: Tre pistat e sulmit me armë ndaj ‘Top Channel’
Ndërkohë gazetarja e kronikës Anduena Llabani u shpreh dje në një studio televizive se tre janë pistat ku po hetohet për sulmin me kallashnikov ndaj “Top Channel”, ku për pasojë humbi jetën punonjësi i sigurisë. “Pista më kryesore lidhet me investimet e reklamave në Top Channel, ku pjesë të shumë sponsoreve edhe për shkak të disa reality show që kishte televizioni në fjalë. Por nuk përjashtohet as ajo e kohëve të fundit siç është ndryshimi i pronësisë, apo proceset që kanë kaluar në Gjykatën e Lartë lidhur me pronësinë përfundimtare të shoqërisë.
Në fund fare ka edhe një pistë tjetër që është më pak e besueshme, ose zero përqindje e mundshme, vrasja e punonjësit të sigurisë për gjakmarrje i cili prej vitesh punonte në këtë institucion”, deklaroi gazetarja Llabani.
Ja pistat ku po hetohet nga policia
Gjithashtu, teksa koha ecën, janë zbardhur edhe disa nga pistat ku po hetohet nga policia për ngjarjen kriminale. Dyshohet se një nga pistat ku po hetohet mund të jetë “reality show” “Big Brother VIP”. Një tjetër pistë është misioni apo puna e “Top Channel”, megjithëse nuk duket të ketë pasur ndonjë rast të kohëve të fundit.
Dyshohet se një tjetër pistë të jetë dhe ajo e borxheve dhe fajdeve, apo prishjes së kontratave dhe bashkëpunimi me bizneset. Deri më tani autoritetet ende nuk kanë kapur dhe identifikuar autorët që qëlluan me breshëri plumbash. Autorët e ngjarjes kanë qëlluar nga një automjet i tipit “Range Rover”. Pak orë pas krimit, automjeti është gjetur në Golem në Kavajë, i shkrumbuar tërësisht. Brenda mjetit është gjetur edhe automatiku AK-47 me të cilin dyshohet se autorët kanë sulmuar godinën e “Top Channel”.
Ngjarja kriminale në “TCH”, Hysni Gurra ngre alarmin
Nga ana tjetër, gazetari Hysni Gurra ka ngritur alarmin në lidhje me ngjarjen e rëndë te “Top Channel”, ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj godinës dhe mbeti i vrarë roja i sigurisë. Në një reagim në rrjetet sociale, Gurra shkruan se nëse sulmi lidhet me “Big Brother” ky vend është çmendur totalisht, nëse lidhet me çështje politike, konkurrence apo pazare, atëherë duhet luftuar, duke e konsideruar turp për çdo shqiptar që qëndron indiferent ndaj një situate të tillë.
Gjithashtu Gurra e ka krahasuar këtë ngjarje me atentatin në lokalin në Don Bosko. “Sulmi ndaj ‘Top Channel’ nuk ka asnjë ndryshim nga sulmi ndaj lokalit në Don Bosko. Atje vdiq hallexhiu (banakierja), këtu ka vdekur hallexhiu, roja. Pra, si sulm në vetvete është krejt normal për një vend që sundohet nga një pushtet mafioz dhe i kriminalizuar deri në palcë. Zoti u dhëntë durim familjarëve të personit që ka humbur jetën. Tani, nëse motivet e sulmit lidhen me ‘BB’, ky vend është çmendur totalisht dhe nuk ia vlen të jetosh më asnjë ditë këtu. Nëse motivet lidhen me çështje politike, konkurrence, pronësie/pazaresh këtu duhet ndenjur, duhet luftuar dhe turp për çdo shqiptar që tregohet indiferent ndaj një situate të tillë”, ka shkruar Gurra.
Shitet “Top Channel”
Megjithatë kjo ngjarje vjen pas zërave se televizioni kombëtar “Top Channel” është shitur. Kështu sipas dokumenteve të siguruara ekskluzivisht nga CNA, “TCH” është shitur në janar të këtij viti. Bëhet fjalë për një procedurë shitjeje të miratuar nga aksionerët, çuar në Belize, vend i njohur si një nga parajsat fiskale. CNA publikoi pak ditë më parë edhe dokumentet e shitjes së televizionit kombëtar të familjes Hoxha. Dokumenti i parë është një vendim i aksionarëve i datës 14 janar, i firmosur nga e gjithë familja Hoxha.
Konkretisht për shitjen e televizionit kanë rënë dakord dhe kanë firmosur Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Itan Hoxha dhe Redia Hoxha. Familja Hoxha i ka shitur 100% të aksioneve kompanisë “Ëestern Media Conglomerate Investments LTD” me një çmim prej 9 milionë eurosh. Dokumenti i dytë është një vendim i kompanisë në Belize me përfaqësuese Neidy Leoneli Gonzalez, drejtore e vetme e “Ëestern Media Conglomerate Investments LTD”. Ky vendim që CNA e publikon sot për herë të parë me dokumente ekskluzive nuk shfaqet në faqen zyrtare të QKB-së.
Shitja më parë ka pasur edhe një ndryshim të statutit të kësaj kompanie për të emëruar administratorin me 75% të aksioneve. Shitja ka ndodhur në momentet kur në Gjykatën e Tiranës pritej të zhvillohej gjyqi për aksionet e “Top Channel”. Përplasjet dhe gjyqet për aksionet e “Top Channel” kanë vazhduar prej disa vitesh mes familjes Hoxha dhe bashkëpunëtorëve e bashkortakëve të të ndjerit Dritan Hoxha. /Rigels Seliman