Ambasadorja Yuri Kim është e vetmja që sapo erdhi pranoi Lulzim Bashën si lider “de fakto” dhe “de jure” kryetar të PD.
Sali Berisha në 2013 u largua nga drejtimi i partisë, por për vite me radhë u mundua të bënte rolin e fshehtë të kryetarit të PD. Ambasadorët më parë shkonin në zyrën e tij sesa në zyrën e Bashës.
Ambasadori Donald Lu para se të ikte i shkoi në zyrë Berishës edhe pse ky i fundit kishte lëshuar një numër të madh akuzash ndaj tij. Po ashtu ambasador të shteteve të tjera i shkojnë në zyrë.
Ajo që vihet re është se Yuri Kim nuk e ka takuar kurrë Berishën. Ndërkohë kemi disa mesazhe të forta të saj dhe në shumë raste rezulton se janë mesazhe edhe kundër ish-kryeministrit. Ky i fundit ka sulmuar shpesh herë reformën në drejtësi dhe amerikanët nuk e kanë pranuar.
Rasti më i fundit i përplasjeve mes Berishës dhe SHBA është ai i arrestimit të gjyqtares në Krujë. Ambasadorja Yuri Kim shprehej: “Unë u takova me Arben Krajën 1 vit më parë. E telefonova atë sot për t’i shprehur falënderime dhe inkurajim për hetimet, arrestimet dhe dënimet e fundit të SPAK. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë e shpejtë ose e përsosur, por ne shohim rezultate tani. Le të vazhdojmë të ecim së bashku – hap pas hapi”.
Pra Kim vlerësoi publikisht operacionin e SPAK. Mirëpo ish-kryeministri Berisha doli kundër. “Kam votuar ndryshimet e reformës me shpresën se qytetarët do të merrnin drejtësinë që meritojnë, por u kalua në drejtësinë e partisë. Sot, përzgjedhja për shkak të vetingut nga lart-poshtë, përzgjedhja është politike, siç dëshmoi Komisioni i Venecias, në raportin e tij për reformën.
Duke mbështetur çdo akt të zbatimit të ligjit, nuk mund të pranoj si sukses të madh dënimin e një gjykatëseje që e meriton plotësisht, e cila është po aq kriminele sa kriminelët që ka liruar, në një kohë kur politikanët i kanë prekur këtij vendi mekanizmin elektoral, kalojnë nga SPAK-u pa i hyrë “ferra në këmbë”.
Drejtësia është ndërtuar e gjitha mbi racizmin krahinor, mbi parimin ideologjik të drejtësisë për partinë”, u shpreh Berisha. Ndërkohë një përplasje ndodhi edhe për vetingun. Berisha sulmoi pak javë më parë shefen e KPK, por menjëherë ndaj tij reagoi ambasadorja amerikane duke kërkuar që të ndalen presionet dhe sulmet ndaj reformës.