Dreka e thirrur nga Xhelal Mziu me rastin e festave të fundvitit jovetëm që nuk ka shërbyer për të ulur gjakrat brenda Partisë Demokratike, por sërish është bërë shkak për një përplasje brenda vetë demokratëve.
“Molla e sherrit” ka qenë sërish Sali Berisha, pasi këtë drekë, ish-kryeministri e ka “shitur” si bashkim të 2 grupeve të PD, madje e ka cilësuar si një “fillim të ri”. “Drekë në Fermë e thirrur nga deputeti, Xhelal Mziu si fillim i ri për grupin parlamentar të PD-së.
Gëzuar! SB”, shkroi pak ditë më parë Berisha. Por ndërsa kanë kaluara disa ditë nga kjo gosti, gazeta ka mësuar se arkitekti dhe personi që urdhëroi Xhelal Mziun që të shtronte këtë drekë ka qenë kreu i “Foltores”, Sali Berisha.
Sipas informacioneve të sigurta nga dy gjysmat e PD, ajo e drejtuar nga ish-kryeministri dhe ajo e udhëhequr nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, mësohet se Berisha tentoi të përçajë grupin e Bashës përmes “drekës së gabuar”.
Mësohet se disa minuta përpara se të mbërrin deputetët nga të dy fraksionet, u instaluan çimka në tryeza, në mënyrë që deklarata e cilido nga deputetët që nuk i janë nënshtruar “Rithemelimit” të përdoreshin për shantazhe. Po ashtu, mësohet se disa deputetët e nuhatën këtë skenar ogurzi të Berishës, duke vendosur të bojkotonin drekën në fjalë, ndërkohë që të tjerë ligjvënës nga grupi i Alibeajt pohuan se Berisha në takim shtoi presionet dhe kërcënoi me dosje disa demokratë, në rast se ata nuk do t’i bashkohen kauzës së tij.
Pra ndryshe nga sa u trumbetua se do të ishte një drekë bashkimi, gostitja e shtruar nga Mziu me urdhër të Berishës, ishte vetëm një kurth për të joshur dhe shantazhuar deputetët e grupit të Bashës, me qëllim që t’i bashkohen “Foltores”.
Alibeaj flet për kurthe
Por ndërkohë që këtë drekë morën pjesë deputet nga të dyja kampet e Partisë Demorkatike, ra në sy mungesa e Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeajt dhe 13 deputetëve të tjerë të PD zyrtare. Disa orë më pas, pas kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, reagoi për mediat, teksa theksoi se e ka marrë ftesën, por ka refuzuar që të shkojë në një drekë që i ngrihen kurthe dhe prita. “Unë sapo dal nga darka me demokratët e Durrësit dhe po shkoj te darkë me demokratët e degës dy në Tiranë. Për darkën që ju thoni kam pasur një ftesë dhe e kam refuzuar. Sepse kur në ftesa ngrihen kurthe dhe prita nuk i pranoj. Kam aq mundësi sa t’i nuhas dhe t’i refuzoj”, deklaroi Alibeaj.
Reagon Bardhi
Megjithatë, përgjigje për Berishën nga kampi tjetër, ka ardhur edhe nga deputeti Gazment Bardhi, i cili edhe kësaj here nuk ia ka lënë “mangët” duke i thënë se dreka nuk kishte asnjë mesazh politik. “Keqpërdorimi për qëllime politike i një dreke miqësore të organizuar nga kolegu Xhelal Mziu me rastin e festave të fundviti është akt dëshpërimi. Në vaki, festa, apo dasma, të ftuarit nuk zgjedhin dot njëri tjetrin. Ky nuk përbën asnjë fillim të vjetër apo të ri dhe dreka e sotme nuk kishte asnjë mesazh politik! Faleminderit kolegut Mziu për ftesën dhe Gëzuar Festat”, i është përgjigjur Bardhi në rrjetet sociale Berishës. /Rigels Seliman