Përplasja e madhe në Partinë Demokratike e ndau forcën më të madhe të opozitës në dukje në dy kampe, pro dhe kundër Bashës, pro dhe kundër Berishës.
Nga një vështrim i thjeshtë mund të vësh re se e përbashkëta që mblodhi politikanë të njohur rreth Sali Berishës ishte Lulzim Basha, për arsye nga më të ndryshmet, që nga parimet deri tek interesat. Por çfarë fshihet në prapaskenë?
Gazeta ka vënë në sitë të gjithë besnikët që nuk e braktisën Sali Berishën edhe në momentin e tij më të vështirë dhe më të pamundur, fitoren e luftës që iu ka hapur amerikanëve pas shpalljes “Non Grata” i përfshirë në korrupsion gjatë kohës që kishte qenë kryeministër i Shqipërisë duke shfrytëzuar postin e tij.
Nëse këto personalitete të larta, në pamje të parë gdhihen dhe ngrysen vetëm me Sali Berishën në mëndje dhe në zemër, “shpirtërisht” i shqetëson diçka. Tek besnikët e ish-kryeministrit shohim politikanë që kanë mbajtur për vite me radhë në periudhën e qeverisjes së Sali Berishës poste të larta, nga Tritan Shehu, Flamur Noka, Aldo Bumçi, etj. Gjatë kësaj periudhe besnikët e Berishës janë përmendur në shumë çështje të rënda, si Gërdeci, 21 Janari, e deri tek vrasja e Azem Hajdarit.
Mes këtyre politikanëve që rrethojnë ish-kryeministrin, është edhe Arben Imami, i cili akuzohet i përfshirë me familjen Berisha për Kompleksin Partizani, dosje, e cila para disa ditësh u hap nga SPAK. Këtë të fundit, Berisha e caktoi si drejtues të fushatës në Shkodër.
Dosjet e Aldo Bumçit dhe Tritan Shehut
Faktet që evidentoi gazeta i ka përmendur dhe analisti Frrok Çupi. Ai u shpreh se ka disa personalitete në PD që nuk mund të largohen. Çupi nxjerr emrin e ish-ministrit të Sali Berishës, Tritan Shehun duke i nxjerrë dhe skandalin e drejtimit te ndërmarrjes Shqiponja, ku për Çupin ishte e gjitha kontrabandë.
“Është tjetër gjë sa merr nga Partia Demokratike dhe sa jep, njerëz të tillë si Pollo, Tritan Shehu, Jozefina Topalli, Ceka, Gramoz Pashko, Azem Hajdari, të gjithë kanë ikur. Këta janë dhënës, ndërsa disa prej këtyre të tjerëve janë marrës dhe nuk mund ti krahasosh në vija paralele. Këta personalitete, kanë të njëjtat gjynahe që ka Partia Demokratike, psh Tritan Shehu nuk mund të ikë nga Partia Demokratike, sepse i ka mëkatet bashkë me Sali Berishën dhe gjithë njerëzit e tjerë në PD.
Tritan Shehu nuk ka suksese, ka mëkatet e shqiponjës. Ai ka qenë president i ndërmarrjes Shqiponja dhe ishte e tëra korrupsion dhe e gjitha kontrabandë”, ka thënë Çupi. Ai përmend dhe Genc Pollon i cili bashkë me Tritan Shehun u shfaq në foltoret e Sali Berishës. Ai tha se Berisha e mban peng, pasi është dëshmitar i vrasjes së Azem Hajdarit. “Genc Pollo nuk mund të ikë nga Partia Demokratike sepse është dëshmitar i vrasjes së Azem Hajdarit. Mëkate të mëdha që kanë ndodhur në Partinë Demokratike”, u shpreh Frrok Çupi në një intervistë.
DASH piketon aleatët e Berishës
Departamenti Amerikan i Shtetit, e përforcon edhe më shumë presionin me dosje brenda Partisë Demokratike. Teksa SHBA sqaroi arsyet dhe rrethanat e “fundosjes” së familjes Berisha si e korruptuar, flet për aleatë të përfshirë në korrupsion të Berishës, të cilët ky i fundit i ka mbrojtur dhe është gati t’i mbrojë sërish nga ndëshkimi ligjor. Në 19 maj 2021, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, teksa shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij “Non Grata” për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë, thekson se Sali Berisha “është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies”.
Pra, duke renditur këto fakte, ka disa arsye që disa ish-ministra e ish-funksionarë të lartë që kanë qeverisur bashkë me Sali Berishën vazhdojnë ta mbështesin akoma me një forcë edhe më të madhe një person “Non Grata”.
Është e vështirë për të mos thënë e pamundur ajo që romantikët e PD-së mendojnë se rrëzimi i Bashës do të sjellë hapjen e PD-së, qoftë edhe duke kaluar përmes disa fazave dhe zgjedhjen e një kryetari real që do të mbledhë partinë, do të frymëzojë fillimisht bazën dhe do të krijojë frymën e duhur për të ardhur në pushtet.
Historia e PD-së nga 1992 e deri tani ka treguar të kundërtën. Prandaj skemat që po luhen në PD, çojnë se njerëzit që ka rreth vetes Sali Berisha i mban lidhur diçka edhe më e fortë./NGA ELMAS BOGDANI