dhe pse është ndarë në dy pjesë, Partia Demorkatike duket sikur nuk po gjen qetësi. Pas goditjes që ndërkombëtarët i dhanë ish-kryeministrit Sali Berisha, konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britani e Madhe, të cilat e shpallën “non grata” dhe e akuzuan publikisht se është i korruptuar, kreu i “Foltores” po merr “shuplaka” edhe nga brenda partisë që pretendon se e krijoi vetë, në mesnatën e 11 dhjetorit të vitit 1990, si parti e lirisë dhe atdhetarisë.
Sot që flasim Berisha nuk kontrollon shumicën e grupit parlamentar të PD, pasi ka pas vetës vetëm 12 deri në 15 deputet, nga 59 të tillë që janë sëbashku me aleatët. Shumica e deputetëve janë pozicionuar krah kreut të grupit, Enkelejd Alibeaj, ndërsa ka edhe të lëkundur, sikundër ishin ish-deputetët Alfred Rushaj dhe Grida Duma.
Këtë të dy dhanë dorëheqjen javën që shkoi, ndërkohë që të njëjtën skemë largimi po ndjekin edhe deputetët të “Foltores”, si Luçiano Boçi, Belind Këlliçi dhe Zef Hila, të cilët kanë paralajmëruar largimin si deputet, pasi kanë shfaqur ambicien për të kandiduar për kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të 14 majit të vitit 2023, duke braktisur kështu “Foltoren” dhe e çuar në 5 numrin që zbritën nga “qerrja-karroca” e Berishës.
Gazeta “SOT” ka mësuar se ky eksod brenda binomit Partia Demokratike- “Foltore” ka ardhur për shkak të presionit të ndërkombëtarëve, pasi deputetëve demokrat u është kërkuar të braktisin Sali Berisha. Mësohet se deputetët të ndodhur përpara këtij presioni të madh dhe të ndodhur gjithashtu përballë dy zjarreve, zjarrit të Berishës dhe atij të kancelarive të huaja, që e kanë shpallur “non grata” kryefoltoristin, kanë zgjedhur të heqin dorë me lezet nga mandati i deputetit, ku disa kanë shfaqur dëshirën për të garuar në zgjedhjet e ardhshme lokale, siç janë Boçi në Elbasan, Këlliçi në Tiranë apo Hila në Vaun e Dejës, ndërsa disa të tjera justifikohen me arsye familjare, sikundër janë zonja Duma dhe zoti Rushaj.
Pra, ndryshe nga sa trumbetohet, arsyeja e vetme e këtij eksodi brenda PD-së është presioni, që kushdo që është pozicionuar krah Berishës, duhet me doemos ta braktisë atë, pasi krah tij, jovetëm që nuk ka të ardhme, por mund t’iu hapen telashe politike dhe juridike.
Presionet
Gazeta “SOT” po sjell sot për lexuesin detaje se çfarë fshihet pas largimit të deputetëve të PD. Luçiano Boçi është kryetari i Grupit Parlamentar të Berishës dhe nënkryetar i partisë së tij. Formalisht ai është numri dy i partisë së Berishës, çfarë mund të konsiderohet kulmi i karrierës në atë parti, pasi dihet që karrigen e parë nuk e lëshon Berisha. Edhe pse partia është ende në gjendje informale, ai e ka arritur kulmin e karrierës së tij. Një politikan që kap këtë nivel, natyrisht pret zgjedhjet politike të fitojë dhe të marrë postin për vendin që i takon, i cili zakonisht është kryetari i Parlamentit.
Kështu së paku ka shkuar fati i zonjës Topalli, ose më shumë akoma, president, siç përfundoi zoti Topi. Pra formalisht Luçiano Boçi ka arritur majën që mund të arrish nën hijen e Berishës, pa mundim. Por befas, kur u ngjit në maj, lëshoi mandatin dhe po kthehet në shtëpi, të kandidojë për kreun e Bashkisë së Elbasanit. Përse kjo tërheqja e tij nga maja e pushtetit të PD në provincë? Shpjegimi i parë dhe i fundit në fakt është se ka kuptuar që nuk ka “majë”, dhe nuk duket asgjë në horizont nga “maja” ku e ka ngjitur Berisha. Pasi ka prekur “majën” e ka kuptuar se nuk ka asnjë perspektivë dhe se mund të vegjetojë aty në Kuvend, nën presionin e perëndimorëve pse mbështet Berishën dhe nën presionin e berishistëve, pse shkon me Bashën.
Modelet
Mes këtyre dy dilemave, mes qejfit për të qenë me Bashën dhe hallit që është me Berishën, ai ka zgjedhur skemën e njëjtë me Grida Dumen apo Alfred Rushaj, por pak më të moderuar dhe të kamufluar. Po shkon të kandidojë në Elbasan duke dorëzuar mandatin. Po fitoi, është fitore e madhe për të, por dhe po humbi është fitore, pasi shpëton nga presioni për t’u rreshtuar me një palë. Në fakt, i njëjti motiv duket qartë dhe tek kandidimi i Këlliçit. Edhe ai është thuajse në majë të karrierës politike brenda partisë së Berishës, dhe po ashtu nën presionin e SHBA për t’u ndarë prej tij dhe nën presionin e njerëzve të Berishës për të qëndruar aty. Dhe për të mos ikur si njeri meskin “për punët e veta”, siç po ikin të tjerët, po ikin si “luftëtar” për t’u përleshur me “kuçedrën” që u ka marrë Tiranën, kryebashkiakun aktual, Erion Veliaj.
Në fakt nuk është aq shumë motiv fitorja, se ikja një herë për një herë nga apeli i Berishës çdo mëngjes, që numëron kë ka blerë e kush e ka shitur çdo mëngjes. Emigrimi i deputetëve të rëndësishëm të Berishës nga kreu i partisë së tij drejt bashkive, është i njëjtë me motivin e deputetëve të tjerë që ikin në bizneset e tyre. Kanë të njëjtin motiv në sfond, mungesën e perspektivës me Sali Berishën dhe Ilir Metën në krye. Ndryshe nga ata të tjerët, këta që ikin për të kandiduar, ikin me më shumë dinjitet dhe me më shumë finesë. Por në mendja kane thjesht si të kin prej asaj liste. Dhe kanë gjetur një shteg të mirë, i cili dhe nëse nuk i nxjerr në karrigen e pushtetit, i nxjerr në liri nga Sali Berisha.
Nebiaj dhe Doda drejt Parlamentit
Nga ana tjetër, moderatorja Orjela Nebiaj dhe Petrit Doda kanë dorëzuar dje formularët e vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke pranuar zyrtarisht mandatet e deputeteve të lënë nga Grida Duma dhe Alfred Rrushaj. “Përshëndetje! Në përgjigje të interesit tuaj, ju informoj se z. Petrit Doda dhe zj. Oriela Nebiaj e dorëzuan formularin e vetëdeklarimit në KQZ. Formularët e vetëdeklarimit do të publikohen sipas procedurave përkatëse në faqen zyrtare të internetit të KQZ”, thuhet në njoftimin e KQZ. Zonja Nebiaj dhe zoti Doda shihen si mbështetës të ish-kryetarit të PD, Lulzim Basha, çka do të thotë se do forcohet grupi i Alibeajt dhe jo i Berishës./ Gazeta SOT