Lulzim Basha, me mbështetjen e fortë të amerikanëve nga pas, është politikani i parë shqiptar në këto 30 vite, që i tregoi vendin Sali Berishës.
Sali Berisha që prej nisjes së angazhimit të tij në fund të viteve ’80 si pjesë e pandarë e politikës në vend, duke i provuar të gjitha pozicionet politike, iu ka rezistuar politikanëve “të peshës së rëndë”, si Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, apo edhe Edi Rama.
Sali Berisha është njeriu që i ka mbijetuar skandaleve të panumërta, para se të “gozhdohej” në një pozitë që nuk ka qenë kurrë më parë nga vetë Lulzim Basha, politikani që mendonin të gjithë se ishte kukull e Sali Berishës, por që në fund vërtetoi të kundërtën.
Le të shohim faktet që gazeta ka evidentuar në vite. Aktiviteti i Berishës në politikë, nisi me krijimin e Partisë Demokratike, forca e parë opozitare e dalë nga protestat studentore për rrëzimin e diktaturës në 1990, por që përfundoi me një fund të hidhur, pasi Basha mori vendimin që Berisha nuk e shihte as në ëndrra, duke e përjashtuar nga partia që ai vetë krijoi.
Basha e argumentoi këtë vendim se ishte i detyruar ta bëjë një veprim të tillë për të shpëtuar PD nga izolimi, por dhe Berishën e familjen e tij, pa specifikuar nëse bëhej fjalë për një dosje të rëndë që mund ta dërgojë në burg për abuzim me pushtetin apo elementë të tjerë më të rëndë ish-kryeministrin. Lëvizja e Bashës, “çmendi” liderin historik të PD-së, pasi ky i fundit organizoi militantë për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike për ta marrë me dhunë.
Edhe njëherë Basha tregoi forcën e tij, ndryshe nga shumë politikanë të tjerë, duke mos e lejuar këtë gjë të ndodhte , duke i nxjerrë në pah edhe njëherë “fytyrën e vërtetë” të Sali Berishës. Vulën i vuri dhe dorëheqja e papritur e Lulzim Bashës ditët e fundit, pasi kjo lëvizje ka zënë në befasi Berishën.
Ishte lideri historik që i kërkoi vazhdimisht të largohej nga PD pasi e përjashtoi nga Grupi Parlamentar, por Basha nuk e bëri një gjë të tillë. Largimi i tij erdhi pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 Mars.
Kjo dorëheqje nuk konsiderohet si fitore e Berishës, pasi Basha e ka vënë në një pozicion edhe më të vështirë, në luftën me amerikanët. Ai i la Sali Berishës më në fund kauzën e tij reale, bashkimi i demokratëve për luftën e tij personale kundër SHBA.
Mbështetja e fortë e amerikanëve për Lulzim Bashën
Pas fuqisë së Lulzim Bashës në luftën e fortë kundër Sali Berishës qëndruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, por edhe funksionarë të lartë të Departamentit të Shtetit u investuan hapur për ta paraqitur Bashën si preferencë e tyre.
Por mbështetja e Bashës nga SHBA, nisi që në vitin 2011. Aleksandër Arvizu, në atë kohë ambasador i SHBA në Tiranë, nisi të intensifikonte takimet me Lulzim Bashën, duke shmangur Sali Berishën. Në shkurt të vitin 2012, Arvizu i siguroi disa takime Lulzim Bashës në SHBA si kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar një yll në ngritje në politikën shqiptare.
Në vitin 2013, pas rrëzimit të Sali Berishës nga pushteti, Arvizu e konsideroi rrëzimin e Berishës nga pushteti po aq të rëndësishëm sa rrëzimi i Ramiz Alisë në vitin 1992. Betejën e Arvizu, për të ndarë Berishën nga Basha dhe PD-ja e vijoi pasardhësi i tij, Donald Lu.
I gjithë investimi amerikan tek Lulzim Basha, bëri që Basha të fundoste për herë të parë Sali Berishën. Vendimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të përjashtuar Sali Berishën nga kjo parti, u cilësua nga Shtetet e Bashkuara si i guximshëm dhe “meriton respekt”. Ambasada amerikane u shpreh pas lëvizjes së Bashës, se PD-ja ka marrë vendim për ta çuar Shqipërinë përpara.
Gjithashtu Bashës, i erdhi një ftesë zyrtare për në SHBA, nga Amerika në selinë e PD përmes Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, duke i dhënë përmes kësaj ftese një mbështetje të madhe liderit demokrat në këtë “betejën” me ish-kryeministrin Sali Berisha të shpallur “Non Grata”.
Në përfundim të takimit që zgjati një orë në selinë e PD Escobar u shpreh se e presin Bashën sa më parë në Ëashington, duke i dhënë përmes kësaj ftese një mbështetje të madhe liderit demokrat në “betejën” që nisi me ish-kryeministrin Sali Berisha të shpallur “Non Grata” nga SHBA
Berisha nuk është entuziast, ende nuk e ka në dorë PD
Vendimi pak ditë më parë i Gjykatës së Tiranës për të njohur statutin e Kuvendit të 11 Dhjetorit të Berishës, ende nuk i ka kthyer zyrtarisht vulën dhe selinë demokratëve të “Rithemelimit”. Sipas ekspertëve, parimisht vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë është i ankimueshëm në Gjykatën e Apelit. Për çdo rast, si të jenë organizata të shoqërisë civile apo parti, janë organet brenda tyre që vendosin për këto.
Gjykata bën vetëm certifikimin. Ky është një gjyq pa palë. Nëse një palë është e interesuar, ka gjithmonë të drejtë të ankohet në apel. Se sa e vlefshme është kjo ankesë dhe se çfarë rezultati do të ketë, varet nga shumë faktorë. Vendimi nuk zyrtarizon partinë e re. Vendimi thjesht detyron regjistrin e partive të regjistrojë. Vetëm kur të jetë regjistruar në regjistër, mund të themi se kush e ka në dorë partinë.
Partia që është e vjetra, kur cenohet nga një vendim, jo vetëm mund të shkojnë në Apel, por të hapin edhe proces të ri. Pra Apeli, mund të rrëzojë Berishën, dhe e gjithë situata merr kthesën e madhe. Kjo është dhe arsyeja që ish-kryeministri Sali Berisha ende nuk ka shpallur fitoren, pasi nuk i ka fituar të drejtat ligjore plotësisht për të rimarrë PD-në.
Berishës, 30-vjet nuk i hyri gjemb në këmbë
Politikanë të peshës së rëndë, si Edi Rama, Ilir Meta apo Fatos Nano nuk ja dolën ti jepnin Sali Berishës asnjë goditje në 30-vjet politikë. Berisha, politikani më dominues në Shqipëri për gati tre dekada, i mbijetoi skandaleve të shumta gjatë dy mandateve qeverisëse të tij, një herë si president dhe një herë si kryeministër, duke dalë i larë në të gjitha rastet,
Ai për vite me radhë ishte i humbur në papërgjegjshmërinë morale e institucionale për trazirat e 97-ës, por askush nuk e dënoi. Edhe vetë ish-kryeministri Fatos Nano doli i humbur përballë Sali Berishës, duke e pranuar pak kohë më parë në një intervistë, se ish-lideri historik i PD-së i mori vitet më të mira të jetës.
“Berisha mund të thotë shumë gjëra, përfshirë edhe 21 janarin, por unë kam të dhëna të kohës, me të dhëna nga njerëz dëshmitarë në zyrën e tij, kur ai është marrë vetë me mbajtjen time në burg.
Dhe me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike”, është shprehur Nano. I vetmi që disi e “goditi” Sali Berishën ishte Ilir Meta. Protestat në vitin 2000, sollën arrestimin e Berishës nga policia dhe pas këtij skenari fshihej kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta. Por arrestimi i tij zgjati vetëm 24 orë.
Njollosja e Berishës dhe skandalet e tij
Mandati i parë qeverisës i Berishës u njollos nga një shpërthim i fuqishëm në ndërmarrjen e demontimit të armëve në Gërdec, në mars të vitit 2008. 26 persona humbën jetën.
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha dorëheqjen, ndërsa pati akuza edhe për familjarët e kryeministrit Sali Berisha, si të implikuar në afera korruptive, por sërish Berisha doli sërish pa u lagur. Ngjarja që të gjithë menduan se Berisha do të shkonte në burg ishte 21-janari, me vrasjen e 4 protestuesve përpara Kryeministrisë. Deklaratat e kryeministrit Rama se kur të vinte në pushtet do e çonte në burg Berishën i bënë njerëzit që të besonin se për të ishte fundi.
Koha tregoi se as kryeministri Rama nuk ia doli të rrëzonte Sali Berishën, ndryshe nga Lulzim Basha që ka shkaktuar për herë të parë në këto 30 vite nisjen dhe fundin e ish-liderit historik të PD-së. /Elmaz Bogdani