Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është këtë fundjavë arrestuar nga policia italiane, pasi është kapur me 20 kilogramë drogë pak ditë më parë. Ish-kryebashkiaku është tashmë përpara drejtësinë italiane, ndërsa ka pasur një histori të gjatë me atë shqiptare. Por mungesa e njohurive të gjuhës italiane ka bërë që Agim Kajmaku dhe nipi i tij të heshtin para drejtësisë italiane në lidhje me arrestimin e tyre në San Benedeto del Tronto për 20 kg kokainë të fshehura brenda vazove në një fidanishte në qytezën Grotamare.
“Presim arsyet”, ka deklaruar avokati, ndërsa Kajmaku nuk ka thënë asnjë fjalë. Nisur nga sasia e kokainës së sekuestruar, gjyqtari e ka lënë burg Kajmakun dhe nipin e tij 33-vjeçar.
“Për masën e sigurisë gjyqtari zgjodhi atë më të rëndën, burgun, duke pasur parasysh ashpërsinë dhe sasinë e drogës së sekuestruar. Jemi në pritje të arsyeve e të vlerësimeve”, ka thënë avokati. Kajmaku bashkë me nipin përdornin një Volkswagen Polo nga një kompani vendase për të udhëtuar, ndërsa kishin bërë një inspektim në fidanishte për dy ditë rresht dhe kishin zgjedhur një numër bimësh të vogla të cilave kërkonin t’u ndryshonin vazon duke vendosur më të mëdha.
Një punonjëse e fidanishtes kishte vënë re edhe shenja të lëna në sipërfaqen e dheut. Kur kjo iu komunikua karabinierëve, nga vazot u shfaqën qese të mbushura me kokainë, por nuk dihet se me çfarë mjetesh do t’i kishin transportuar bimët. Fugoni është vënë re nga hetuesit jo shumë larg fidanishtes ku u zhvillua operacioni antidrogë.
Deputetja e PD: Agim Kajmaku, si qershia mbi tortën e festës së PS
Pas arrestimit në Itali të ish-kryetarit të bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri. Në një postim në Facebook , ajo shkruan se Kajmaku është si qershia mbi tortë e festës së PS, duke ironizuar 31 vjetorin e krijimit të kësaj force politike. Sipas ligjvënëses, arrestimi i Kajmaku vërtetoi denoncimet e PD për lidhjet e Ramës me njerëz që merren me trafikun ndërkombëtar të drogës.“Agim Kajmaku , si qershia mbi tortën e festës së PS. Ajo që ne denoncuam me fakte para dy vitesh, për kryebashkiakun “shembull” të Edi Ramës, u vërtetua sot.
Ai nuk ishte doktor shkencash, por trafikant droge paska qenë. Ashtu sikurse janë vërtetuar, gjithashtu po vërtetohen shumë afera korruptive, apo përfshirje në trafik kombëtar e ndërkombëtar droge, që PD ka denoncuar për njerëzit pranë Edi Ramës, të cilët e mbështetën për të qëndruar në pushtet. Shqiptarët duan ndryshim, duan figura të papërlyera, të pakorruptuar, me të cilët të përfaqësohen e ky vend të eci përpara”, shkruan deputetja e PD.
Arrestimi i Kajmakut, Bushati: Lajm i keq për PS
Ish-deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati ka reaguar për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili u arrestua në Itali me 20 kilogramë kokainë. Ishte ky lajmi i bujshëm që pushtoi mediat këtë fundjavë. Bushati tha se ky është një lajm jo i mirë për Partinë Socialiste. Gjithashtu ai tha se shpreson që në të ardhmen PS ketë figura më dinjitoze që do të japin kontribut te vlefshëm për shoqërinë. “Ka qenë një lajm këto ditë në media.
I shkarkuar nga detyra. I larguar nga Partia Socialiste. Është një lajm jo i mirë për PS. Por prapë është një përgjegjësi personale e biznesmenit në fjalë. Shpresoj qe në të ardhmen Partia Socialiste të ketë figura më dinjitoze që do të japin kontribut te vlefshëm për shoqërinë. Por ka dhe nga këto raste sporadike kur je partia më e madhe në vend”, tha ish-deputeti i Partisë Socialiste Bushati.