Jozefina Topalli ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike, ndërsa ka marrë në mbrojtje ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të kryedemokratit Lulzim Basha.
Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, zonja Topalli deklaroi dje se rikthimi i Berishës në krye të PD është akt patriotik që i shërben vendit. Madje, ajo përshëndeti edhe “Foltoret” e Berishës dhe rimarrjen e Partisë Demokratike për 2 muaj prej ish-kreut të PD, që sipas saj, i bën një tjetër shërbim vendit. “Nuk është demokratike ajo që po ndodh vitet e fundit brenda PD.
Opozita është në një moment kritik të ekzistencës së saj. Humbi tre herë radhazi, por po ndodh një ngjarje e jashtëzakonshme. Shumica e anëtarësisë e ndjen nevojën e reformës së opozitës. Basha faktikisht është i larguar. Asgjë nuk ka në dorë. Nëse verifikohet që një numër i caktuar i anëtarësh mbledhin Kuvendin, deligjitimohet. Kryetar në botë që vijon të qëndrojë në zyrë nuk ka.
Kur kam dëgjuar Bardhin, që dorëzohen 4200 formularë thotë ky ishte blof, jeton në realitet gënjeshtër. Beson se njerëzit nuk kanë as minimumin e inteligjencës.
PD ka nevojë për një zëvendësimi e një lidershipi të korruptuar me një lider që jep shpresë, sikundër është zoti Berisha. Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë lëvizje kaq të fuqishme siç është “Foltorja”, pas asaj të studentëve në vitet ‘90”, deklaroi ajo.
Ndërkohë përmes një statusi në rrjetet sociale, zonja Topalli e ka quajtur nul propozimin e Lulzim Bashës, i cili kërkoi që Kuvendi Kombëtar i PD të mbahet më 18 dhjetor.
Topalli shprehet se Basha bojkotoi anëtarësinë e demokratëve, siç bojkotoi më 30 qershor 2019 zgjedhjet lokale, por anëtarësia vendosi thirrjen e Kuvendit edhe pa të. Më tej ajo theksoi se Kuvendi sipas vullnetit të shumicës së delegateve do mblidhet me 11 dhjetor. Po ashtu, Topalli shtoi se kur thirret Kuvendi, Kryesia nuk ka më kompetenca as tagër dhe sipas saj çdo vendim i saj është nul.