Mazhoranca ka kopsitur dosjen për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Edhe pse jemi në sezonin e pushimeve, puna e komisionit hetimor të ngritur për këtë çështje, nuk është ndalur. Ndonëse ngritja e Kushtetuese do të dojë pak kohë, mazhoranca po punon fort që shkarkimi i Metës nga Parlamenti të mbyllet brenda shtatorit. Sipas burimeve të gazetës, komisioni hetimor përveç shqyrtimit të shkeljeve të presidentit, u ka dërguar shkresë edhe 8 institucioneve më të rëndësishme në vend për tu kërkuar më tepër informacione. Më konkretisht, komisioni hetimor i ka dërguar shkresë Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme në lidhje me krimet zgjedhore.
Komisioni ka kërkuar informacione nga këto 3 institucione për të ditur se si ndikoi shtyrja e datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit dhe se sa ka ndikuar kjo në nxitjen e dhunës. Një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në lidhje me aktet që 4 anëtarët morën për të refuzuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Por mazhoranca ka kërkuar informacion edhe nga Presidenca, ku kërkoi sqarime pse e mori këtë akt për të shtyrë 30 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Pak ditë më parë, institucioni i Presidencës kthehu përgjigje, ku theksoi se vendimi për shtyrjen e datës së zgjedhjeve erdhi për tu dhënë më shumë kohë palëve politike që të ulen në tryezën e dialogut për të zgjidhur krizën politike. Por një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Kolegji Zgjedhor, i cili ishte institucioni që e nuk i dha fuqi ligjore dekretit të presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kolegji ishte ai që la në fuqi 30 qershorin, ku si fakt për këtë ishte edhe kërkesa e Idajet Beqirit për të çregjistruar partinë e tij si subjekt zgjedhor. Por kjo kërkesë u rrëzua nga Kolegji. Informacione i është kërkuar edhe Qendrës së Botimeve Zyrtare, për të marrë më shumë informacione se përse dekreti i presidentit për shtyrjen e 30 qershorit u botua në Fletoren Zyrtare. Një tjetër institucioni që i është kërkuar informacion është edhe Autoriteti i Mediave. Komisionit Hetimor i është kthyer përgjigje nga të 8 institucionet, të cilat janë grumbulluar nga protokolli i Parlamentit.
Strategjia e Komisionit të Venecias: Për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, komisioni hetimor iu drejtua me 8 pyetje Komisionit të Venecias për të marrë një opinion në lidhje me këtë nismë për shkak se është një procedurë parlamentare që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Ekspertët e huaj do të vijnë në Tiranë në datën 9 shtator dhe do të qëndrojnë në vendin tonë për një vizitë dy ditore. Gjatë vizitës delegacioni i Komisionit të Venecias do të organizojë takime me Presidentin e Republikës Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, përfaqësues nga qeveria, KQZ, Komisioni i Posaçëm Hetimor, përfaqësues të opozitës dhe anëtarë të shoqërisë civile. Seanca e radhës plenare e Komisionit të Venecias është në datën 8 tetor, por duke qenë se nga autoritetet shqiptare i është kërkuar që të sjellë sa më shpejt që të jetë e mundur opinionin nisur nga ndjeshmëria e çështjes në vendin tonë. Duke e marrë në konsideratë këtë kërkesë, delegacioni i Komisionit të Venecias do të dalë me një raport paraprak që në muajin shtator. Më pas, opinioni i dalë nga Komisioni i Venecias do të jetë në dorën e Kuvendit dhe do të shfrytëzohet nga mazhoranca pa humbur kohë. Kështu, nëse opinioni i ndërmjetëm i dhënë nga Venecia do t’i japë të drejtë mazhorancës, duke bërë “fajtor” presidentin Ilir Meta, ajo do të vijojë pa humbur kohë me procedurat e shkarkimit të kreut të shtetit. Sipas të gjitha të dhënave pritet që presidenti Meta të shkarkohet në shtator. Dhe fill pas vendimit të Parlamentit çështja do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese, e cila pasi të jetë funksionale dhe do të thotë fjalën e fundit. /Elisjeda Kiko