Kuvendi ka nisur procedurat për të forcuar luftën ndaj pastrimit të parave. Komisionet nisin këtë javë të shqyrtojnë ndryshimet e reja në ligjin për pastrimin e parave, i cili sjell një sërë risish, pasi futet në lojë Byroja e Hetimit dhe forcohen kontrollet për emrat e lidhur me politikën.
Me ndryshimet që janë bërë, edhe 5 vite pasi të jenë larguar nga funksioni, politikanët do vijojnë të përfshihen te kjo kategori.
Anëtarët e familjes së personit të ekspozuar politikisht janë: bashkëshorti/ja apo bashkëjetuesi/sja e një personi të ekspozuar politikisht; fëmijët dhe bashkëshortët/et e tyre apo bashkëjetuesit/set; prindërit e një personi të ekspozuar politikisht.
Persona të lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi të personit të ekspozuar politikisht për qëllime të këtij ligji janë: individët që janë bashkërisht pronarë përfitues në persona juridikë apo organizime ligjore apo çfarëdo marrëdhënie tjetër të ngushtë biznesi me një person të ekspozuar politikisht; personat të cilët janë pronarët përfitues të vetëm një personi
juridik apo organizimi ligjor, i cili dihet se është krijuar për përfitimin de-facto të personit të ekspozuar politikisht. Të gjitha kategoritë më sipër do futen në skaner.
Ndërkohë më tej sipas ligjit, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i paraqet, në format elektronik, sa herë ndryshohet, autoritetit përgjegjës listën e plotë dhe të përditësuar të personave të ekspozuar politikisht, duke përfshirë detajet e nevojshme për identifikimin e personave, funksionin, datën e emërimit/largimit, personat e lidhur, për 3 vitet e fundit, të hartuar sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë.
Hyn në lojë BKH
Përmes këtij ligji, BKH merr kompetenca për të hetuar pastrimin e parave kur janë të përfshirë pushtetarët të lartë. Sipas ndryshimeve në nenin 22, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave shkëmben informacion me organet e Prokurorisë, Prokurorisë së Posaçme, Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe autoritetet e tjera kompetente të zbatimit të ligjit apo të inteligjencës, për çështjet e pastrimit të produkteve të veprës penale, veprat penale ose veprimtaritë kriminale që gjenerojnë produkte të veprës penale, financimit të terrorizmit, si dhe mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi dy ose shumëpalëshe me to.
Pra pjesë është bërë dhe BKH. Ky organ, po ashtu do të jetë pjesë e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave.
“Komiteti drejtohet nga Kryeministri dhe në përbërje ka ministrin e Financave dhe Ekonomisë, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, prokurorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, thuhet në ligj.
Përmes ndryshimeve në ligj, janë forcuar masat sa i takon transfertave bankare, sidomos jashtë vendit dhe në parajsat fiskale.