Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion ka nisur t’i shqetësojë të gjithë. Në janar prokuroria do marrë në dorë dosjet e krimit dhe korrupsionit, por kur të ndodhë kjo asnjë zyrtar në vend nuk e ka të sigurt fatin e tij. Deri më tani ka pasur shumë skeptikë për SPAK, por fakti që dje nisën sulmet ndaj prokurorëve të SPAK tregon se frika ka filluar të përhapet.
Por SPAK nuk do të fokusohet vetëm te pushtetarët e lartë, pasi objekt i punës së saj do të jenë të gjithë ata që janë zhytur në afera korrupsioni dhe krimi të organizuar. Kodi i Procedurës Penale i ka të përcaktuar qartë kompetencat e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme.
“Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon: a) krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e; b) çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal”, thuhet në nenin 75/a. Më tej futen dhe çdo akuzë ndaj presidentit, kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Por pika “a” e nenit 75/a fundos zyrtarët e thjeshtë. Të parët që do të fundosen janë drejtorët në administratë që kanë futur duart në tendera. Neni 258 flet pikërisht për abuzimin me tenderat dhe është kompetencë e SPAK dhe e BKH.
Ja kush rrezikon
Sipas legjislacionit shqiptar, përgjegjësit kryesorë të tenderave janë Sekretarët e Përgjithshëm të ministrive, ndërsa më pas vijnë ministrat, zv/ministrat dhe drejtorët e sektorëve të caktuar. Ndërsa në pushtetin vendor përgjegjës janë kryetarët e bashkive. Fakti që SPAK do nisë punën me tenderat e koncesionet, jep sinjale se do ketë hetime për ministra, ish-ministra, Sekretarë të Përgjithshëm, specialistë të ndryshëm e kryebashkiakë. KLSH ka zbuluar se gjatë 7 viteve të fundit ka pasur mbi 3 miliardë lekë të reja abuzime me tenderat dhe janë kallëzuar penalisht mbi 530 zyrtarë. Por pjesa drastike ja kanë hedhur paq në prokurori, e cila ka pushuar hetimet. Nëse shkojmë më thellë, të rrezikuar janë si anëtarë të PD dhe LSI, ashtu edhe të PS.
Gjatë qeverisjes socialiste ka pasur akuza për disa tendera e koncesione. Më flagranti është tenderi i Unazës së Re, ndërsa po ashtu të dyshimtë kanë qenë koncesionet në shëndetësi dhe në rrugë. Por gjatë qeverisjes së PD shkeljet kanën qenë më flagrante. Rruga Durrës-Kukës ishte çerdhe korrupsioni, ndërsa abuzime pati me tentativat për privatizimin e Albetrol, ARMO, me koncesionin e Rapiscan, apo markimit të karburantit. Ndërsa LSI ka përsipër shumë tendera të dyshimtë, ndërsa po ashtu mban përgjegjësi bashkë me PD për privatizimin e aeroportit apo koncesionin e kontrollit teknik të automjeteve. Pra nëse vërtet hetohen këto tendera e koncesione, atëherë rrezikojnë burgun shumë zyrtarë të lartë.
Gjyqtarët e prokurorët
Të rrezikuar janë sigurisht edhe gjyqtarët e prokurorët të kapur me shkelje. Neni 319 është kompetencë e SPAK dhe ai ka të bëjë me korrupsionin aktiv të gjyqtarit e prokurorit. Pra kushdo është i zhytur në afera nga drejtësia do kalojë te SPAK. Por kambana e alarmit duket se ka nisur për të ngelurit në veting, pasi deri më tani askush nuk ka dalë para drejtësisë edhe pse kanë pasuri të pajustifikuar. Një tjetër kategori janë dhe zyrtarët e akuzuar për shpërdorim detyre. Edhe kjo vepër do jetë te SPAK dhe nga të zgjedhurit vendorë, te inspektorët apo drejtorët do përfundojnë te SPAK. Shumë shpejt do të ngrihet dhe Byroja e Hetimit, e cila do e shtojë dyfish goditjen ndaj pushtetarëve.