Urdhri i firmosur së fundmi nga tre prokurorë të SPAK që ndalon publikimin e dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, të cilët tashmë janë të penduar të drejtësisë dhe kanë rrëfyer një mori krimesh që kanë ndodhur gjatë dhjetë viteve të fundit në vend ka vërtetuar indirekt vërtetësinë e dëshmive.
Në një farë mënyre, konfirmohet çështja më e nxehtë që trazoi opinionin publik se vrasësi i penduar i drejtësisë Nuredin Dumani, në rrëfimet e tij para hetuesve, ka përmendur emrin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, për të cilin ka thënë se ka porositur vrasjen e vëllait të një ish-deputeti. Këtë e zbuloi gazetari investigativ Artan Hoxha në studion e emisionit Opinion, sipas të cilit, kjo deklaratë e Dumanit nuk është bërë publike në media, por që është regjistruar si dëshmi e tij para hetuesve të SPAK.
Deklaratat e Dumanit dhe Hoxhajt u bënë publike gjatë dy javëve të fundit në media pas rrjedhjes së dosjes nga SPAK te gazetarët e kronikes. Përmes tyre, qytetarët shqiptarë u bënë dëshmitarë të mënyrës së si funksionojnë grupet kriminale në vend si edhe lidhjet e tyre me politikanët.
Prokurorët e SPAK kanë ndërmarr vendimin në fjalë duke paralajmëruar gazetarët se nëse publikojnë të dhënat, do të dënohen me 5 vite burg sipas parashikimeve të nenit 195/a i Kodit Penal.
Si e paralajmëroi Hoxha-SPAK-un
Gazetari Artan Hoxha e paralajmëroi pak ditë më parë Prokurorinë e Posaçme për nxjerrjen e sekretit hetimor, pasi SPAK hodhi poshtë deklarimet e tij dy për dëshmitë e Nuredin Dumanit, që sipas tij, ka thënë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti të PS në vitin 2017 në Lezhë.
Në një intervistë televizive, Hoxha theksoi SPAK duhet të kujdeset se nga i rrjedh informacioni. Gazetari sqaroi se Nuredin Dumani e ka thënë një gjë të tillë dhe deklarata e tij është e regjistruar dhe se janë prova të pakontestueshme. Madje ai zbuloi se ka përmendur edhe emrat e 3-4 deputetëve të tjerë.
“Edhe në rastin e parë kur u dha lajmi se Dumani po bashkëpunon me drejtësinë SPAK ka thënë që nuk është e vërtetë. Në rastin konkret unë e kam thënë që Dumani dhe Hoxhaj dhe persona të tjerë kanë dhënë shumë deklarime. Kanë dhënë deklarime të cilat janë në kuadër të procedimet, ku sigurisht janë bashkuar 18 hetime të mëparshme. Por ka thënë edhe të tjera që janë regjistrua dhe s’janë pjesë e këtij procedimi.
Unë iu referova si shembull, sepse janë përmendur edhe 3-4 deputetë të tjerë. E kam dhënë atë shembull se pse deri tani ky hetim ka pasur probleme. Nuk duhet të kishte rrjedhur informacioni. Dhe është bërë qëllimisht. Kur u bë operacioni nuk i arrestuam dot ata që duheshin. Ata kanë dhënë deklarata dhe duhet të bëhen hetime.
Gjëja që kam thënë se midis të tjerash ai ka folur edhe për persona politikë. Ka folur edhe Berisha. Unë shtova që ka folur për bandat e qeverive. Unë nuk e besoj këtë gjë por ai e ka thënë. Është e regjistruar. SPAK duhet ti verifikojë.
Ai është i besueshëm për ngjarje që ka qenë vetë jo ato që i ka me të dëgjuar. Dhe pse e thashë për ti tërhequr vëmendjen organit të hetimit që duhet ti verifikojë mirë këto dhe pastaj t’’ia japë publikut. Nëse unë i nxjerr ato që ka thënë, cili nga ata do të mbajë përgjegjësi se nga ka rrjedhur.