SHBA dhe Bashkimi Evropian janë gjendur para një zhvillimi të papritur me refuzimin e qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me ta lidhur me depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe normalizimin e raporteve me Beogradin. Edhe pse ato prisnin që pala serbe të ishte më jo konstruktive, në të vërtet janë ndeshur me problemin e palës shqiptare.
Kjo ka bërë që komuniteti ndërkombëtar të bashkohet me vendosmëri për ti vendosur sanksione Kosovës nëse deri më sot nuk ka një përgjigje të qartë nga Kryeministri Albin Kurti.
Gazeta TemA mësoi nga burime diplomatike se dështimi I marrëveshjes do të ketë fillimisht këto pasoja.
Faza e parë:
1. Ngrirja e fondeve nga BE.
2. Ngrirja e procesit të liberalizimit të vizave.
3. Ngrirja e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
4. Ngrirja e fondeve amerikane.
5. Ngrirja e programeve për FSK-në.
Faza e dytë:
1. Qëndrimi pasiv ndaj fushatës serbe për çnjohje.
2. Riorganizimi i pranisë ushtarake ndërkombëtare, reduktim serioz i kontingjentit amerikan.
3. Përjashtimi i Kosovës nga disa organizata ndërkombëtare.
Më tej planifikohen dhe ndëshkime ndaj personalitete politike.
Sanksionet individuale ndaj kryeministrit Kurti dhe ministri Svecla:
Në rast se gjendja në terren përkeqësohet dhe çon në një rrezik serioz të sigurisë së përgjithshme, duke përfshirë rrezikimin e trupave të KFOR-it, kryeministri Kurti dhe ministri Svecla mund të shpallen non grata me arsyetimin se paraqesin kërcënim për sigurinë dhe paqen.
Bashkësia ndërkombëtare është po ashtu e pakënaqur me qëndrimin e opozitës në Kosovë, pasi opozita nuk po arrin ta kuptojë thellësinë e seriozitetit të situatës dhe rrezikun real për Kosovën. Opozita pritet të dalë dhe të deklarohet qartë nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog.
Fakti që opozita nuk e bën këtë, gjeneron mosbesim dhe projekton oportunizëm. Përshtypja e komunitetit perëndimor është se opozita tashmë ka përgatitur komunikata për shtyp duke akuzuar qeverinë për pranimin e Asociacionit. Kjo sjellje është thjesht e rrezikshme. Nëse Kosova dështon të përmbushë obligimet e saj, rrezikon të ardhmen e saj.
Ky qëndrim është zyrtar dhe po qarkullon në mjediset diplomatike të 27 vendeve të Bashkimit Evropian plus SHBA, si qëndrim i përbashkët për tu koordinuar në situatën në Kosovë.
Kosova kurrë nuk ka qenë në një pozitë kaq të keqe ndërkombëtare për shkak të qeverisë së saj.
Koha për të shpëtuar Kosovën nga qeveria e saj!