Avokat i njohur, Idajet Beqiri ka shpërthyer në akuza të forta në adresë Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, ndërsa ka paralajmëruar telashe për çiftin e bashkëshortëve të Partisë së Lirisë. Ditën e djeshme Monika Kryemadhi u paraqit për herë të dytë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) teksa mësohet se është marrë në pyetje nga prokurorët lidhur me pasurinë e saj dhe të Ilir Metës. Por sa i takon kësaj ngjarje, dje ka folur edhe avokat Beqiri, i cili është personi që ka kallëzuar në SPAK binomin Kryemadhi-Meta.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Beqiri thotë se prokurorët po shikojnë mundësinë për ta lënë fillimisht zonjën Kryemadhi në “arrest shtëpie”, ndërkohë që zbardh të tjera detaje bombastike për aferat kreut të PL, Ilir Meta dhe deputetes Kryemadhi.
-Avokat, ju keni denoncuar vazhdimisht për përfshirje në afera të dyshuara kriminale të familjes Meta-Kryemadhi. Si e sheh thirrjen e saj në SPAK ditën e djeshme, ku kemi parë më herët dhe nënën e zonjës Kryemadhi e gjithashtu dhe vetë zotin Meta. Çfarë po ndodh në këndvështrimin tënd, thuhet që është thirrur për çështjet e hetimit pasuror?
Akuzat kundër kësaj familje nuk janë një por janë shumë. Faktikisht SPAK është i vonuar shumë por nuk mund të justifikohet me ngarkesën e punës sepse ka dhe çështje që janë vërtetë shumë të ndjeshme për vetë interesat kombëtare, shumë të ndjeshme për vetë interesat ekonomike të këtij vendi, shumë të ndjeshme për interesat e shqiptarëve të cilët presin drejtësi. Nga ana e SPAK është e vonuar thirrja e Kryemadhit dhe komunikimi i akuzave ndaj saj. Jam i bindur që ajo sot merret e pandehur për veprat penale që ka kryer ku më të dukshmet janë fshehja dhe mos deklarimi i pasurive si një person që ka për detyrë t’i deklarojë pasuritë, pastrimi i produkteve që rrjedhin nga një krim dhe që për këtë akuzë ajo duhet të përgjigjet. Këto janë të paktën tre krime që të paktën janë kryer dhe për këtë shkak është thirrur nga SPAK.
A e ka marrë masën e sigurimit apo është dërguar çështja në Gjykatë në mungesë të saj për të marrë një masë sigurimi apo tashmë do ta çoj SPAK, por ky i fundit sot duhet ta kishte dhe masën e sigurimit. SPAK me këtë nuk duhet të veprojësiç ka vepruar deri më sot me zvarritje, por është diçka që ngjall dyshime dhe në fakt, ngjall edhe diskutime e debate se duket sikur SPAK po i bën me plan këto lëvizje. Thotë të marrim në fillim në arrest shtëpie Kryemadhin me qëllim që t’i zgjasim jetën Ilir Metës. E nga që morën këtë tani nga një familje nuk marrim dot dy persona. SPAK nuk është për të bërë politika të tilla. SPAK është i ligjit, ai që ka kryer veprën penale të vihet në bankën e të akuzuarve. Nëse Meta është i sëmurë kemi spitale në burgje. Por nuk të lë njeri që të rrish i sëmurë në burg port ë çojnë dhe në spitale të tjera e madje dhe në ato private kur kanë probleme që nuk i përballon dot shteti.
Kjo nuk do të thotë të mos marrësh masën e sigurisë e të çosh hetimet deri në fund për këto krime nga më të rëndat që kanë ndodhur në këtë vend, duke grabitur pasuritë e shqiptarëve dhe për mos vendosjen e sekuestros mbi këto pasuri, derisa ato t’i fshehin e t’i tjetërsojnë e jam i bindur se kushedi sa bashkëpunëtor do të dalin në krimet që ka bërë Monika Kryemadhi, Ilir Meta e familja e tyre. Madje kanë implikuar edhe mjaftë të tjerë, që iu japin pasuritë për t’i fshehur. Shkoni te rruga Myslim Shyri, e tani e kallëzoj penalisht unë këtë gjë. Monika Kryemadhi e ka marrë një pasuri dhe e ka hedh në emër të një deputete të saj, pasurinë që ka te rruga. Jo vetëm që ka pasurinë të rruga Myslym Shyri, dy pasuri ballë për ballë që nuk i justifikon as ato. I ka vënë në emër të një deputeteje, lesh e lisë ato pasuri.
Jo vetëm i ka vënë por për fatin më të keq as sot nuk iu vihen tatime. Është pasuri e patundshme dhe biznese bashkë, që i shesin dhe i blejnë goxha njerëz. Ndaj SPAK nuk duhet t’i lërë derisa të tjetërsojnë pronat në Londër, Zvicër, Kongo, në Qipro, lekët në emër të të tjerëve, e po vendoset dhe eurot e dollarët e të tjerat me radhë. Vazhdojnë tjetërsimet pafund dhe me qëllim që të dalin sikur nuk kanë gjë që faktikisht të gjitha i kanë këta e të tëra po i transferojnë në duar të tjera. E më pas bëhet më i vështirë dhe konfiskimi i pasurisë që t’i kthehen Shqipërisë dhe shqiptarëve.
-Avokat, çfarë po ndodh me Ilir Metën nga ana tjetër, ky hetim pasuror prek dhe Metën apo është çështje individuale e Monikës?
Monika nuk është e pleksur në këto afera korruptive kaq shumë sa Ilir Meta. Monika, përveç operacioneve estetike që është e dukshme dhe as e justifikon dot, problemet e tjera Monika i ka te krimet ordinere. Ordinerë në kuptimin që mora 20% të pushtetit unë si LSI, tani çdo njeri që do të punësohet, do të vij dhe të sjellë këtë shumë të caktuar të lekëve dhe 20% të të ardhurave mujore dhe të vjedhjeve që do bëjnë në Tatime e Dogana do t’ia bjerë Monikës.
P.sh., do të bëhesh ti polic, bjerë kaq lekë që të shkosh polic në x vend, për çdo punësim shefe kuadri ishte Monika Kryemadhi. Ndërsa Ilir Meta në çdo pore të ekonomisë së vendin tonë, në çdo privatizim që është bërë, në çdo lloj koncesioni. Ilir Meta ka marrë pjesën e tij të luanit në çdo sektor e të gjitha i ka bërë në kuadër të shpërdorimit të detyrës, si ish-kryeministër, si ish-ministër i Ekonomisë, si ish-ministër i Jashtëm, si zv. Kryeministër, si President.
Edhe pasaportat e dekoratat i ka shitur me lekë, ai është i mbytur në të gjitha anët. Porblemi është se të lësh një super të mbytur e një super të korruptuar, më i korruptuari i këtij vendi pas Seli Berishës dhe familjes së tij. Prandaj po lihet të bilbilosë për të gjetur rrugët e tij, për të manipuluar provat, dëshmitarët e për t’i kërcënuar ato e për t’i kaluar pasuritë në duart e të tjerëve duke i tjetërsuar, kjo është e pafalshme për SPAK.
-Avokat, me çështjet ligjore të Berishës çfarë do të ndodhë, ME DOSJEN ‘Partizan’, e shohim Berishën ende të izoluar?
Po e vonojnë thjesht dhe vetëm, SPAK-u pasi qëkur u dha masa e detyrim paraqitje dhe 200 faqet e dosjes aty nuk kishte më nevojë për asnjë hetim tjetër, pasi ishte e mbarur çështja, dërgojë që të gjykohet. Fakti që e zvarrisin çështjen, fakti që e lënë të vazhdojë te kafazi e të jap sa më shumë mesazhe kundër njeriu tjetër që nuk është në linjën e tij dhe të anatemojë çdo gjë që është shqiptare dhe të vazhdojë rrugën e djallëzisë e kundër shqiptarëve.
Intervistoi: Rigels Seliman