Çështja e Izet Haxhisë është futur në ngërç. Pas pranimit të kërkesës për rigjykim nga ana e Gjykatës së Tiranës, çështja e ish-truprojës së Sali Berishës u dërgua pranë Gjykatës së Apelit, e cila pritej të caktonte një trupë gjyqësore për vijimin e procesit.
Problemi qëndron se deri tani janë shortuar 2 trupa gjyqësore, por që të dyja kanë dhënë dorëheqjen nga çështja. Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, zbardhi ditën e djeshme edhe arsyet pse ndodh një gjë e tillë. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Klosi deklaroi se refuzimi i gjyqtarëve vjen për shkak të procesit të vetingut nëpër këmbë. Sipas tij, njerëzit e drejtësisë këto kohë janë të fokusuar tek “halli” i tyre me vetingun dhe nuk duan të merren me një çështje e cila konsiderohet e mbyllur.
“Problemi është që të gjithë duan që të mos ngatërrohen me një çështje që e quajnë të mbyllur formalisht. Ndërkohë që unë mendoj se Izet Haxhia e ka të drejtën e tij duke qenë se nuk ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor ku është dënuar. Ai ka të drejtën e tij të rihapë çështjen e tij, të rishikojë pozicionin e tij lidhur me ngjarjen në mënyrë që ai dënim i rëndë që ka marrë mbase mund të zbutet. Por thash që duhet të ndiqen procedurat, por mesa duket kurrkush në këtë situatë qoftë kur ka një reformë në gjyqësor, kur gjërat nuk janë fort të qarta sepse reforma vetë ka nxjerrë shumë njerëz me probleme, kështu që në përgjithësi njerëzit në gjyqësor e kanë mendjen tek problemet dhe hallet e tyre dhe jo t’i futet prapë çështjes në fjalë.
Mbase ata e mendojnë të zorshme dhe të bezdisur. Kështu që kjo është arsyeja”, tha Fatos Klosi. Sipas tij, çështja e Izet Haxhisë është një çështje që njerëzit e gjyqësorit nuk kanë qejf ta rihapin e të ngatërrohen në të.