Pas vdekjes se tmerrshme te kosovarit Xhafer Osmani, nga fshati Pestovë i Vushtrrisë, familja e tij nuk ka hapur ende dyert e mortit pasi ka dyshime se trupi i djegur ne Fushe Kruje, nuk eshte i te afermit te tyre.
Ja reportazhi i Ekspress:
Në fund të muajit prill, ishte nisur për një udhëtim në Shqipëri. Por, gjashtë ditë më vonë (më 5 maj), olicia shqiptare në Fushë-Krujë kishte gjetur një veturë të djegur brenda së cilës ndodhej edhe një trup i pajetë dhe i djegur, që dyshohet të jetë i 57-vjeçarit nga Vushtrria.
Ai dyshohet se fillimisht është torturuar ose është vrarë dhe më pas bashkë me veturë u është vënë zjarri Mediat në Shqipëri, atje ku janë gjetur trupi i djegur bashkë me veturën e Xhafer Osmanit, kanë njoftuar se krimi mendohet të ketë lidhje me raportet intime mes viktimës dhe një femre.
Një bashkëfshatar i Xhaferit tha se ai nuk ishte i martuar. Gazeta Express gjatë ditës së sotme ka qëndruar në shtëpinë e familjes Osmani nga Pestova e Vushtrrisë, por ata kanë refuzuar të tregojnë për momentin e fundit me të dhe arsyen që Xhaferin e kishte çuar të udhëtonte në Shqipëri.
Edhe pse dyshohet se trupi i pajetë është i Xhafer Osmanit, vendimtare do të jenë rezultatet e ADN-së. Në pritje të rezultateve është edhe komplet familja Osmani, ata ende nuk kanë hapur të pame për Xhaferin.
Vdekja dhe rrethanat misterioze në të cilat u gjend Xhafer Osmani vazhdon të jetë e mjegullt edhe për familjen. Madje ata nuk e dinë as kur do të kthehen mbetjet mortore për ta kryer ceremoninë e varrimit.
“Çka dini ju dimë edhe ne, nuk dimë asgjë me të tregu drejt”, tha njëri nga vëllezërit e Xhaferit. “Na çka po nijmë në media, ma shumë po dinë të huajt se tontë”, shtoi një anëtar tjetër i familjes Osmani.
Ai tha se nuk e kanë hapur ende të pamën deri të marrin rezultatin e ADN-së. “As karrige s’kemi qit se hala s’po e dimë 100 përqind që është Xhaferi”, thotë vëllai i tij duke refuzuar të rrëfejë më shumë për rastin.
Sidoqoftë, Xhafer Osmani është gjetur i djegur në veturë mesditën e ditës së shtunë në fshatin Derven të Fushë-Krujës në Shqipëri. Në vendin e ngjarjes janë parë copa eshtrash të njeriut të djegur.
Express ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahitin. Zahiti tha se më 4 maj familjarët e kanë raportuar si të zhdukur një person që ka identitetin e njëjtë me trupin e pajetë që u gjend në Fushë-Krujë.
“Më 4 maj, në orët e vona dikush nga familjarët e ka raportuar si të zhdukur në polici një person dhe të shtunën e kanë gjetur në Fushë-Krujë, dyshohet që bëhet fjalë për personin e njëjtë”, tha Zahiti për Express. Xhafer Osmani kishte dalë nga shtëpia më 29 prill, ndërsa më 5 maj ishte gjetur i vdekur.
Ekspertiza pritet të konfirmojë edhe nëse viktima është vrarë me armë apo me mjete të tjera, para se t’i vihej flaka.