Drejtori i informacionit në Syri TV, Bledian Koka, ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin e Juli Xhorkaxhi në Top Channel. Gjatë debatit në studio për zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, ai ka zbuluar për herë të parë se Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, ka bërë pagesa drejt “Rithemelimit” të Sali Berishës duke shfrytëzuar kështu të drejtën e firmës që ai ka mbi financat e Partisë Demokratike.
Sipas Kokës i cili njihet si një nga gazetarët më brenda lëvizjes së Berishës, Bardhi shpesh herë i ka çliruar financat e PD për pagesa në hesap të Rithemelimit, pasi ai, (Sekretari i Përgjithshëm i PD), e njeh që si PD e vërtetë. Kujtojmë se pavarësisht këmbënguljes dhe “lutjeve” dëshpëruese, (Zyrtarisht, personalisht dhe publikisht), të kandidatit të PD për Tiranën, Roland Bejko, në zgjedhjet e 14 majit, Bardhi refuzoj të përkrahte financiarisht fushatën e kandidatit zyrtarë të partisë e cila është pronare e financave dhe jo Bardhi.
Pretendimi i këtij të fundit sipas deklaratave të Bejkos ka qenë se partia nuk ka para, as për publicitetin televiziv të fushatës së Bejkos. Alfapress.al është interesuar te zyrtarë të partisë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të PD për faktin që zbuloj gazetari Bledian Koka dhe “justifikimi” ishte se pagesat janë bërë për dritat dhe ujin e godinës së PD, (SHQUP), e cila vazhdon të mbahet e uzurpuar nga Rithemelimi i Berishës.
Sipas tyre nëse do të ndërpriteshin pagesat e ujit dhe dritave për godinën ku është akomoduar në mënyrë të jashtëligjshme Rithemelimi dhe Berisha, atëherë ato do ti kushtonin më shtrenjë partisë, pasi shtoheshin edhe kamatat.
Pas kësaj Alfapress.al u interesua te Task Force e CEZ dhe na rezultoi se nëse dritat nuk paguhen brenda dy muajve, (për kaq funksionon tolerimi me kamatë), ato priten për çdo banesë, biznes dhe institucion. Dritat e selisë qëndrore të PD edhe pas vendimit të Apelit për legjimitetin e partisë, kanë qenë 24 orë ndezur.
Energjia e paguar rregullisht nga paratë e PD me firmën e Gazmend Bardhit, është përdorur për të mundësuar aktivitetet dhe konferencat e shumta të Sali Berishës në të cilat më së shumti ka sulmuar, akuzuar dhe shpifur po atë PD dhe lidershipin e saj.
Por “më e bukura” është se Berisha dhe Rithemelimi nuk e njohin fare këtë PD që rezulton tu ketë paguar nëpërmjet Bardhit energjinë me të cilën ndizen mikrofonat nga të cilët Berisha çfarë nuk nxjerr nga goja pér Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn dhe këdo që nuk i bindet atij brenda PD.
Nuk po flasim pastaj për motivin që e ka shtyrë Bardhin që të bëjë këto pagesa, i cili sipas gazetarit Bledian Koka është fakti se ai mendon se Rithemelimi është PD “e vërtetë”.
Koka: Në dijeninë time zoti Bardhi financat i ka çliruar, herë pas here edhe për atë që është Partia Demokratike e Rithemelimit, sepse realisht zoti Bardhi i njeh që ata janë njerëzit që funksionojnë realisht për Partinë Demokratike dhe demokratët. Pra disa prej pagesave, pagesa bazike, pagesa e energjisë etj etj janë disbursuar nga zoti Bardhi për llogari të asaj që është Partia Demokratike, por nuk është çështje e 1 mln eurove këtu siç është buxheti i PD.