Reforma zgjedhore që pritet të miratohet në shtator, mund të sjellë edhe zbulimin e spiunëve në politikë. Deri më tani është folur shpesh që Kuvendi i Shqipërisë ka qenë i mbushur me spiunë që kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, por asnjëherë nuk ka pasur një verifikim për ta.
Në shtator pritet të nisë fuqishëm puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që, përveç ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe depolitizimit të komisioneve zgjedhore, debat pritet të shkaktojë edhe verifikimi për ish-Sigurimsat. Aktualisht, ligji nuk e ka detyrues nisjen e verifikimit për një individ nëse ka ose jo lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe për pasojë shumë politikanë i janë shmangur verifikimi të figurës, shkruan sot.
Por Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po përgatitet për ndërhyrje në ligjin aktual, me qëllim që verifikimi i politikanëve të jetë i detyruar. Gazeta kontaktoi ditën e djeshme me anëtarin e AIDSSH, Simon Miraka, i cili pohoi se në shtator, kur të nisë puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore do të paraqisni draftin, në mënyrë që të gjithë politikanët të futen në skaner dhe të mos ketë më shmangie, sikundër ka ndodhur gjatë këtyre viteve post komunizmit.
“Po punojmë për projektligjin dhe presim që në shtator kur të nise sesioni i ri parlamentar ta prezantojmë te Komisioni i Ligjeve”, deklaroi Miraka.
Murrizi i vendosur për zbuluar spiunët në politikë
Interesant është fakti se përveç Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili kërkon që verifikimi i figurës së politikanëve të bëhet me ligj, një këmbëngulje deri në rezistencë po bën edhe opozita. Gazeta kontaktoi ditën e djeshme me deputetin Myslim Murrizi, i cili deklaroi hapur se verifikimi i politikanëve që kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, jo vetëm që duhet të ishte bërë me kohë, por ai do të mbështes çdo nismë të kësaj natyre.
Në këtë kontekst, duke qenë se zoti Murrizi është anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, siguroi se do të punojë fort që verifikimi për spiunët në politikë të jetë pjesë dhe votohet në këtë komision, në mënyrë që sistemi të pastrohet një herë e mirë nga këta individë.