Lidhjet e Sali Berishës me oligarkun rus
Charles McGonigal, ish-drejtori i Kundërzbulimit të FBI në Nju Jork, është arrestuar për lidhjet e tij me Oleg Deripaska, një miliarder rus i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është akuzuar penalisht vitin e kaluar për shkelje të këtyre sanksioneve. 54 vjeçari akuzohet për shkelje të sanksioneve të SHBA-së duke u përpjekur të largojë Deripaskën nga lista e sanksioneve.
Por edhe pse Berisha akuzon Ramën për lidhje ruse, qeveria e tij duke nisur nga 2010 deri në 2013 u ka besuar shoqërive të lidhura me oligarkun rus Deripaska tendera për një vlerë prej 55 milionë eurosh. Të dhënat dalin pikërisht pas deklaratës së Sali Berishës i cili akuzon si zakonisht Edi Ramën se i ka dhënë në 2017 shoqërisë Trema Engineering 2, në të cilën është aksioner i tërthortë oligarku, një koncension PPP për hidrocentralin e Shushicës, ndërsa si gjithmonë mediat e familjes Berisha denoncojnë si një skandal faktin se të njëjtat shoqëri të lidhura me oligarkun, kanë fituar gjatë qeverisjes Rama 3 tendera publikë.
Detajet nga marrëveshjet me oligarkun rus
Shoqëritë nën akuzë quhen Strabag dhe Trema Engineering 2. Strabag është themeluar në 1929 dhe është shoqëria më e madhe e ndërtimeve austriake me seli qendrore në Vjenë dhe një nga më të mëdhatë në Evropë me filiale në të gjithë botën, nga Shtetet e Bashkuara në vendet arabe. Trema Engineering 2 është një shoqëri shqiptare e themeluar në 2001 pronare e të cilës 100% është Strabag.
Skandali sipas Berishës është se një prej aksionistëve të Strabag, dhe si rrjedhojë e Tremës është oligarku rus Oleg Deripaska që zotëron 25.9% të aksioneve të Strabag përmes shoqërisë qipriote Rasteria. Kjo është gjendja të paktën deri në prill të 2022, kur oligarku rus u sanksionua nga Perëndimi, për shkak të luftës në Ukrainë, duke dalë nga pjesëmarrja e aksioneve në Strabag dhe rrjedhimisht edhe nga Trema. Emri i Oleg Deripaska, bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit, u bë popullor në Shqipëri këto ditë sepse bëhet fjalë për oligarkun rus, i sanksionuar nga amerikanët që në vitin 2016 dhe Bashkimi Europian në 2022.
Për të cilin përfundoi në burg agjenti i FBI-së Charles McGonigal, miku i Edi Ramës me të cilin ka bërë disa takime. Për konçesionin PPP të centralit të Shushicës, Trema Engineering kontrollon 33 % dhe gara është fituar në janar 2017, 9 muaj para se agjenti i FBI-së të takonte për herë të parë Edi Ramën, takim i bërë me 9 shtator 2017. Dy shoqëritë e kane lidhje me oligarkun kanë fituar 9 gara nga 2010 deri në 2013 për një vlerë totale prej 55 milionë eurosh. Ato janë rehabilitime rrugë, ujësjellësa, aeroporte, gjykata e krimeve te renda, si dhe burgu i Fierit.
Lidhjet e “trekëndëshit të Bermudës” me skandalin “Mcgonigal”
Pra edhe pse Berisha e Meta sulmojnë Ramën, në prapaskenë bashkëpunimi i tyre është shumë i fortë. Përveç lidhjeve të tyre me oligarkun rus, Berisha tha se nuk njeh asnjë prej emrave që dalin në doje, por së fundmi i doli një foto ku drekonte me Agron Nezën dhe Dorian Duçkën. Por jo vetëm kaq, në skenë ka dalë edhe Shkëlzen Berisha. Sali Berisha prej disa ditësh e sulmon Dorian Duçkën, por në fakt ky i fundit ka udhëtuar me djalin e tij me avion. Në një foto të publikuar në media, Dorian Duçka shihet krah Shkëlzenit në bordin e një avioni.
Ndërkohë Berisha e cilësonte Dorian Duçkën si kokën e mafies. “Kam shumë të dhëna për të dhe ai përbën një figurë nga më të errëtat të mafias ndërkombëtare. Ata që qëndrojnë mbrapa tij janë grupe shumë të fuqishme që kanë synuar korruptime në nivelet më të larta të elitës perëndimore. E vërteta është se Dorian Duçka, këshilltari privat i Edi Ramës ka të dhëna të padiskutueshme që është i implikuar në këto procese dhe ato do të dalin”, deklaroi Berisha pak ditë më parë.
Meta drekon me Agron Nezën
Përveç Sali Berisha dhe djali i tij, Shkelzeni, edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, duket se është i përfshirë në skandalin McGonigal. Ndonëse Ilir Meta mohoi njohjet me Agron Nezën dhe shiti kushëririn e tij Dorian Duçka, ai shfaqet në një foto me ta. Agron Neza dhe Dorian Duçka, të identifikuar si personat ‘A’ dhe ‘B’ në dosjen e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal kanë darkuar gjithashtu me kreun e Partisë së Lirisë.