Ngjarja që të gjithë menduan se Sali Berisha do të shkonte në burg ishte 21-janari, me vrasjen e 4 protestuesve përpara Kryeministrisë. Deklaratat e Ramë se kur të vinte në pushtet do e çonte në burg Berishën i bënë njerëzit që të besonin se për të ishte fundi.
Edhe pse ka tre mandate, qe qëndron në pushtet edhe prej sakrificës sublime të Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit, por nuk të hetoi kurrë ashtu si pati premtuar para gjithë shqiptareve. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Garda e Republikës, Shërbimi Sekret Shtetëror janë nën kontrollin e Ramës prej 10 vitesh, por çuditërisht nuk gjetën dot asnjë provë për të ndëshkuar vrasësit e 21 janarit.
Pra Sali Berisha dhe Edi Rama po e luajnë lojën shumë mirë për të mbajtur njëri-tjetrin në pushtet, në mënyrë që të mbretërojnë të qetë dhe askush të mos ua prekë pasurinë, madje kujdesen që të dy ta shtojnë dita-ditës. Berisha akuzon shpesh herë se kryeministrin Edi Rama se iu shërben oligarkëve, por asnjëherë nuk përmend emra oligarkësh.
Këta personazhe “gjakpirës” që ndryshe quhen biznesmenë të mëdhenj, të cilët privilegjohen nga pushteti politik me qëllim që të shërbejnë për të shërbyer si kanale për të kaluar një pjesë të madhe të parave dhe pasurisë publike, domethënë atë që iu përket të gjithë shqiptarëve tek politikanët në pushtet.
Në këtë proces oligarkët pasurohen, duke u privilegjuar nga pushteti politik me ndërtimin e gjithëfarlloj skemave për t’ i vjedhur shqiptarët, si koncesione, ndërtime në zona turistike, investime në tregti e shërbime që kreditohen nga Bashkimi Europian, si dhe me një numër të madh ligjesh që në fakt janë privilegje në dobi të oligarkëve. Pse Berisha nuk përmend asnjëherë emra oligarkësh? Arsyeja është fare e thjeshtë. Kreu i “Foltores”, financohet nga këto biznese që marrin miliona euro nga tenderët e qeverisë.
Oligarkët e Berishës që favorizon Rama
Mjafton të hedhësh një sy të përgjithshëm të situatës dhe kupton lidhjen e fortë që ka Berisha me Ramën, përmes bizneseve. Kompani të cilat marrin tenderë nga qeveria dhe në fund i hedhin në llogaritë e Berishës. Gazeta “SOT” po përmend disa emra të oligarkëve të Berishës, por ka dhe shumë të tjerë që janë fshehur me kujdes.
Kryeministri Rama është kujdesur që gjatë këtyre 10 viteve të vendosë shtetin në shërbim të bizneseve të tyre, që në fund një pjesë e parave të shkojë në xhepin e tij dhe të Berishës. Qeveria ka punuar në prapaskenë që çdo dëshirë e oligarkëve të Sali Berishës të plotësohej dhe pronat e tyre të shtoheshin. Ata kanë gllabëruar tenderë me vlera marramendëse, kanë përfituar prona gjigante në zona të lakmueshme në bregdet, kanë futur duart në pasuritë e Shqipërisë, madje rezultojnë të jenë investitorë strategjik me firmën e Ramës.
Këta oligarkë janë më të përkëdhelurit nga ligjet e bëra apostafat nga qeveria. Janë krijuar projekte në mënyrë që bizneset e tyre të lulëzonin edhe më shumë. Berisha nuk e godet Pëllumb Salillarin, që është krijesa e tij në fitimin e tenderave të rrugëve. Gjatë qeverisjes së Ramës, ky oligark ka shtuar pasuri marramendëse.
Më pas vjen dhe oligarku Aleksandër Frangaj. Perandoria e tij mediatike, por edhe ajo ndërtuese e ushqyer nga Sali Berisha me paratë e taksapaguesve shqiptarë në kohën kur ishte në pushtet është zgjeruar edhe më shumë gjatë 10 viteve qeverisje të Edi Ramës.
Nga ana tjetër është Samir Mane. Sa prona i kanë rënë “në prehër” oligarkut më të fuqishëm në Shqipëri duke llogaritur vetëm ato të denoncuara në media, apo duke parë dhjetëra VKM- të e ligjet e 10 viteve të qeverisë Rama, por edhe të asaj Berisha që nga viti 2005deri në vitin 2013? Berisha nuk guxon kurrë që t’ia zërë emrin në gojë.
Oligarku Mane detyroi Berishën në atë kohë kur ngrinte TEG-un në Tiranë, që të hartojë dhe zbatojë me prioritet të gjitha projektet rrugore që të çonin te qendra tregtare e tij. Rama u kujdes që porositë të shkonin deri në fund. Madje për t’i vënë kapak situatës, oligarkët Samir Mane dhe Aleksandër Frangaj kanë qenë të ftuar vitin e kaluar në dasmën e Shkëlzen Berishës.
Biznesmenët e kullës
Nga ana tjetër, pazaret me oligarkë në mes, të Berishës dhe Ramës dolën zbuluar së fundmi tek pallati 58 kate në qendër të Tiranës, dhuratë që kryeministri i bëri Berishës me kushtin e vetëm për të shkatërruar opozitën shqiptare.
Shkëlzen Berisha alias Ilir Shtufi, qëndron pas kompanisë që do të ndërtojë kullën pas teatrit të Operas dhe Baletit. Ky oligark i ka strehuar Shkëlzen Berishës të birin në një vilë në Rolling Hills me një qira modeste. Gjatë qeverisjes të Ramës, kompanitë e Shtufit kanë përfituar shuma të konsiderueshme në tenderat e rindërtimit, tendera të tjerë, leje ndërtimi si dhe leje për parqe fotovoltaike.
Nga ana tjetër oligarku tjetër, Agim Zeqo, ortaku i Shkëlzen Berishës që qëndron pas kullës ‘Mali i Tiranës” i ka dhënë 200 mijë dollarë ish-kryeministrit Sali Berisha. Ishte avokati Idajet Beqiri, i cili tha se Berisha shkoi për kurim në Vjenë të Austrisë, ku u shtrua në spital dhe shpenzimin për të gjithë shërbimin mjekësor që afërsisht kapi vleftën e 200 mijë dollarëve, e pagoi pikërisht pronari që ka ekskluzivitetin e Red Bull-it, Agim Zeqo.
Gjithashtu Berisha nuk sulmon as oligarkun Gerian Kuka, të përfshirë në disa makinacione me pasuritë të identifikuara nga SPAK, që janë përfituar më pas nga ish-zv/kryeministri i shpallur në kërkim, Arben Ahmetaj. Gerian Kuka, rezulton të jetë në dosjen voluminoze të SPAK dhe është bërë pjesë e lupës verifikuese të dy prokurorëve Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai.
Por pavarësisht se emri i tij është përfshirë në skema të dyshimta me Arben Ahmetajn, në muajin Shkurt 2023, kryeministri Edi Rama, ka miratuar një projekt 18 milionë eurosh, ku fitues me 30 për qind të aksioneve është Gerian Kuka. Ndërsa pjesa tjetër e 40 për qind të aksioneve të investimit zotërohet nga një biznesmen tjetër në Korçë dhe 30 për qind të tjera nga Ilir Shtufi, ortakut të Shkëlzenit.
Oligarkët dhe politika
Gjithashtu, edhe Bashkim Ulaj, një prej oligarkëve më të mëdhenj një vend rezulton me lidhje tw ngushta me Ramwn e Berishwn. Ai është pronari i “Gener 2”, një prej kompanive gjigante në vend, përfituese e shumë koncesioneve që nga koha e ish-kryeministrit Sali Berisha e deri në qeverisjen e kryeministrit aktual.
Ulaj ka shtrirë “tentakulat” e tij duke marrë në dorë të gjitha punët publike që kanë në themel paratë e shtetit dhe që jepen me të dyja duart nga ana e kryeministrit Edi Rama, kundrejt përfitimeve personale për këto ndere të bëra. S’ka rrugë, HEC, pallat, resort turistik në çdo cep të Shqipëri, që të mos jetë prapa tij oligarku klient i kryeministrit.
Është e sigurt tashmë që Bashkim Ulaj, oligarku klient i Sali Berishës, tani klientelë e kryeministrit Edi Rama ka zaptuar të gjitha koncensionet në Shqipëri. Kujtojmë se ky oligark ka vendosur në dispozicion të Berishës një zyrë gjigante në kullën e tij pranë Stadiumit Air Albania, pa e ditur kush i paguan qira dhe sa kushton. Kemi të bëjmë me një përdorim tipik të pushtetit për pasurimin e familjes, veprimtari kjo e theksuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në njoftimin e për shpalljen non grata të Berishës dhe familjes së tij.
Nga ana tjetër, Sali Berisha, Liri Berisha, e bija Argita dhe bashkëshorti i saj Jamarbër Malltezi kanë ‘blerë’ apartamente tek pallati i ndërtuar nga Bashkim Ulaj tek Rruga ‘Mustafa Matohiti’, herë pa deklaruar vlerën e tyre dhe herë duke deklaruar vlera, të dyshuara si fiktive. Berisha s’mund të denoncojë as Klodian Allajbeun, oligarkun e spitaleve private. Ai nuk mund të nxjerrë asnjë fjalë nga goja e tij për koncesionin famëkeq të hemodializës, sepse Allajbeu është ortak me Shkëlzen Berishën në biznesin e famshëm të boronicave.
Madje në skenë për fuqizimin e bizneseve të oligarkëve të Berishës del dhe emri i Fatmir Bektashit. Është pikërisht ky biznesmen që me firmën e tij të ndërtimit, futi duart tek afera e Kompleksit Partizani, e cila tani është marrë nën hetim nga SPAK.
Si oligark i Berishës, por tashmë dhe i Ramës është dhe Lenc Gjikuria alias Aleksandër Frangaj. Pra ky oligark është mbulesa e pronarit të Frangajt, i cili siç e shpjeguam më lart është favorizuar si nga Berisha, por edhe nga Rama. Thuhet se Gjikuria me ndihmën e kryeministrit“ka futur duart” tek fondet e BE të bujqësisë, por edhe te projekte të tjera. /Elmas Bogdani