Parlamenti ka rihapur dyert për një sesion të ri, por duke trashëguar problemet e vjetra. Tempulli i demokracisë do duhej të ishte arenë e përballjes së ideve, por realiteti flet për te kundërtën, pasi fjalët i lanë më shumë vend aksionit duke i kaluar në plan të dytë hallet e qytetarëve.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka publikuar një raport kritik për sesionin e shkuar duke identifikuar si tipar dallues gjuhën e ashpër denigruese ne ligjërimin parlamentar, incidentet e shumta dhe dhunë fizike dhe shifra rekord në ndëshkimin e deputetëve, 63 në dy muaj.
ISP ka vlerësuar edhe performancën e deputetëve për sesionin shtator-dhjetor 2023 ku rezulton se ne total janë 41 deputetë ose 30% e totalit të deputetëve nuk lanë gjurmë në memorien parlamentare, duke mos pasur asnjë fjalë as në seancat e rregullta shtator−tetor. Lista e deputetëve “pa zë” në këtë sesion parlamentar përbëhet nga ligjvënës të njohur por edhe nga prurjet anonime të zgjedhjeve 2021.
Konkretisht, në listë të deputetëve me 0 diskutime në sesionin shtator−dhjetor 2023 bëjnë pjesë: Agron Çela, Anduel Tahiraj, Anila Denaj, Arben Pëllumbi, Arben Ahmetaj, Arkend Balla, Baftjar Zeqaj, Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj, Enslemvera Zake, Ervin Salianji, Evis Kushi, Flamur Hoxha, Frrok Gjini, Gertjan Deda, Gledis Çeliku, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Ilir Ndraxhi, Ilir Topi, Jurgis Çyrbja, Kasem Mahmutaj, Kastriot Piroli, Klevis Xhoxhi, Laert Duraj, Luan Duzha, Luljeta Bozo, Lulzim Basha, Meri Markiçi, Merita Bakiu, Mesila Doda, Niko Kuri, Nusret Avdulla, Oriela Nebiaj, Orjola Pampuri, Ornaldo Rakipi, Paulin Sterkaj, Petrit Doda, Seladin Jakupllari, Shkëlqim Bullari dhe Shpëtim Idrizi.
Ndërkohë deputetët më me shumë fjalime gjatë sesionit janë Tabaku, Zhupa, Bylykbashi, Berisha dhe Shehu (PD), Dhima dhe Resulaj (PS), të gjithë me nga 5 diskutime parlamentare, kryesisht në seancat e rregullta të periudhës shtator−tetor 2023.
Më tej me nga 4 kontribute në diskutimet parlamentare renditen Agalliu, Dogjani, Leskaj, Bardeli, Korreshi, Gështenja (PD), Vasili (PL) si dhe Balla e Koçi (PS). Siç shihet, deputetët e PS−së kanë qenë shumë më pak aktivë sesa ata të opozitës, ndonëse këta të fundit janë të ndarë në minimumi dy fraksione politike.