Nga Elton Qyno
Dëshmitari i vetëofruar në Prokurori ka treguar një version krejt të kundërt nga Albert Veliu (Babalja), duke pretenduar se e vërteta absolute e këtij audio-përgjimi është fund e krye një trillim i orkestruar mes tij dhe vetë Babales. Qëllimi i vetëm, sipas tij, ka qenë fitimi i një shume parash, dhe asnjë gjë tjetër, pa e menduar mirë dhe gjatë se çfarë impakti do sillte ky audio-përgjim me aktorë, në jetën politike të vendit.
Shuma e këtij shpërblimi dhe emri i këtij personi të vetëofruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda tashmë dihet nga prokurorët, të cilët pritet që brenda 1 jave të japin një rezyme të qartë mbi këtë audio-përgjim, personazhet e tij, aktorët që e kanë financuar dhe ata që kanë qëndruar në distancë.
Personazhi i vetëofruar ka shmangur totalisht vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, duke pohuar se ai është kthyer viktimë e hakmarrjes personale e Albert Veliut dhe dëshirës për të fituar para nga kjo histori përgjimi, që u denoncua nga PD si një rast flagrant i implikimit të Geron Xhafaj në trafikun e drogës nga Vlora në drejtim të brigjeve Italiane.
“Shqiptarja.com” mëson se ky person i vetëofruar është i papunë, rreth 45-vjeç dhe jeton në Novoselë, fshat që ndodhet buzë lumit të Vjosës, ku ndahet vija administrative mes Fierit dhe Vlorës. Me probleme të theksuara ekonomike dhe familjare, ky njeri ka rënë dakord të luajë rolin e Agron allias Geron Xhafaj në audio-përgjimin, tashmë të shumë përfolur dhe që trazoi jetën politike të vendit. Me Albert Veliun, që PD e etiketoi si dëshmitari “X”, ky person ka njohje, për më tepër ka dyshime se ka lidhje farefisnie.
Banori i Novoselës u ka pohuar prokurorëve të Krimeve të Rënda se është njeriu që ka aktruar në atë audio-përgjim, duke bërë rolin e Agron Xhafaj. Sigurisht që marrja përsipër e këtij roli do të sillte një shumë financiare në xhepat e banorit të Novoselës, para këto që nuk kanë mbërritur ende tek ai. Në dëshminë e dhënë para anëtarëve të grupit hetimor dëshmitari i vetëofruar ka theksuar se ‘Babalja’ i ka premtuar një sasi të konsiderueshme lekësh, nëse e bënte këtë shërbim.
Ai mësohet se u ka treguar prokurorëve dhe emrat e personave se nga do vinin këto para dhe me cilin person ishte lidhur i njohuri i tij Albert Veliu (Babalja), por ka sqaruar se sapo të bënin këtë audio-përgjim dhe ta dorëzonin te personi që e kishte kërkuar, do vinte dhe shpërblimi i parave. Në fakt kjo bisedë e improvizuar është rregjistruar dhe më pas ‘Babalja’ e ka dorëzuar, ku disa muaj më vonë ajo është shfaqur nga selia e PD, në të gjitha mediat e vendit.
Por ajo që priste dëshmitari i vetëofruar, ishin paratë që ‘Babalja’ i kishte premtuar dhe që sipas tij, nuk kishin mbërritur ende te xhepat e tij. Ky person u ka treguar prokurorëve se sasinë e parave dyshonte se e kishte marrë të gjithën ‘Babalja’, i cili tashmë është larguar nga Shqipëria dhe ka kërkuar azil politik në Kosovë, së bashku me djalin e tij. Me dyshimet se sasinë e parave e kishte marrë të gjithë për vete ‘Babalja’, ai ka vendosur të paraqitet në ambientet e prokurorisë duke treguar të vërtetën.
“…më premtoi para, por nuk më dha asgjë…”- mësohet t’u ketë treguar prokurorëve. Personi që mbante kontakte ‘Babalja’ ishte gazetari Jetmir Olldashi, i cili ka pranuar publikisht se kishte kryer disa takime me ‘Babalen’ në Tiranë dhe në Vlorë. Ka qenë ose jo, gazetari Olldashi ndërlidhësi mes ‘Babales’ dhe figurave politike të PD për të inskenuar një audio-përgjim të tillë, kjo nuk dihet dhe nuk jepet e qartë deri më tani nga anëtarët e grupit hetimor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Nga burimet, ende nuk na është përcaktuar se sa do ishte shpërblimi financiar që do merrte ‘Babalja’ dhe dëshmitari i vetëofruar për këtë përgjim të inskenuar, i cili kishte marrë përsipër të aktronte Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Skenari ishte i qartë dhe se gjithçka po përgatitej për të krijuar një situatë politike, me qëllim goditjen politikisht të familjes së ministrit Xhafaj, duke e etiketuar vëllain e tij si person që drejton grupet kriminale të trafikut të drogës në Vlorë dhe që mbështetet fort nga strukturat policore të drejtorisë së Vlorës. Pritet që brenda javës së ardhshme Prokuroria e Krimeve të Rënda të dalë me një konkluzion përfundimtar lidhur me hetimet e këtij rasti, duke sqaruar misterin e audio-përgjimit që trazoi jetën politike të vendit.