Akuzat e medias austriake “Kronen Zeitung” se presidenti Ilir Meta ka paguar 700 mijë dollarë në një kompani “offshore” qipriote për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Donald Trump si presidenti i 45-të të SHBA në 20 janar 2017 në Uashington është rikthyer në qendër të vëmendjes teksa dje ish-deputeti i opozitës Halit Valteri paditi në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion kreun e shtetit shqiptar duke pretenduar se ka prova kundër tij dhe se financimi i lotimeve është kryer me para korruptive.
Për t’u rikthyer te artikulli “Thellësisht i korruptuar” i datën 15 maj të medias së njohur të kryeqytetit Vjenë, historia në fjalë merr përmasa serioze teksa flitet se një shtetas shqiptar është larguar nga atdheu i tij për t’u fshehur nga frika e eliminimit në Austri. Ai ka kontaktuar gazetën “Kronen Zeitung” ku ka rrëfyer historinë se si presidenti Meta aktivizoi një jurist për të derdhur 700 mijë dollarë në llogarinë e kompanisë “guaskë” “Dorelita Limited”, e cila rezulton se e ka bazën e aktivitetit në Qipro.
Madje, “Kronen Zeitung” shkon dhe më tej duke thënë se janë paguar edhe 50 mijë për të ndihmuar kryetaren e LSI dhe bashkëshorten e presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhe që të realizojë ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë, kjo media e njohur në Austri nuk i ka publikuar emrat e informatorit dhe avokatit të pajtuar nga LSI për të kryer transferimin e 700 mijë dollarëve në llogarinë e “Dorelita Limited”.
Gjithashtu, kjo media paralajmëron se ky lajm mund të trondisë terrenin politik në Shqipëri.
Artikulli i plotë i “Kronen Zeitung” për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin
‘Thellësisht i korruptuar’, dëshmitari kyç kërkon mbrojtje në Vjenë: drithërima për Presidentin
Akuzat e një dedektivi, i cili është fshehur në Austri nga frika e kërcënimeve me vdekje rëndojnë ndaj kreut të shtetit shqiptar. Inaugurimi i Donald Trump luan një rol të rëndësishëm në këtë gjë. Lotët më rrodhën në faqe, duart më dridheshin, zëri im po më dridhej. Frika e një informatori nga autoritetet shqiptare është e ndjeshme gjatë një takimi me “Kronen” në një vend sekret. E kaluara: Informatori u arratis në Austri për shkak të akuzave dhe frikës së një tentative vrasjeje. Këtu ai duhet të ketë marrë statusin e mbrojtjes.
A mund të dridhet skena politike e Shqipërisë?
Ajo se çfarë informatori tregon në praninë e avokatëve të dalluar vjenezë të bën ngrihesh në këmbë dhe të dëgjosh. Dëshmia mund të shkundë skenë politike shqiptare dhe të rrëzojë askush tjetër se presidentin. Ilir Meta (53 vjeç) ka mbajtur shumë funksione gjatë karrierës. Ai themeloi partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilën e drejtoi deri në 2017.
Ai ishte Kryetar i Parlamentit për disa vite (2013-2017) dhe tashmë President i Republikës së Shqipërisë. Që nga ajo kohë erdhën paratë, të cilat dëshmitari kyç i përshkruan si ‘thellësisht të korruptuara’. Në mënyrë që të merrte pjesë në inaugurimin e Donald Trump si president i SHBA dhe zyrtarëve të tjerë republikanë në 2017, ata raportohen se lobuan në mënyrë intensive nëpërmjet një kompanie ‘guaskë’ qipriote.
Është e paqartë se kush pagoi udhëtimin drejt Uashingtonit
Për shkak se në 20 janar 2017 Meta shpërndau një foto të tijën me disa kolegë të partisë në ceremoninë e betimit të Donald Trump si president i 45-të amerikan përpara Kongresit të SHBA në Uashington. Në mënyrë që të siguronte akses në ceremoninë e betimit të administratës Trump, ata lobuan nëpërmjet një kompanie “offshore” qipriote.
Vlera është 700 mijë dollarë. Deri më sot, është e paqartë se kush e kryer këtë pagesë. Meta vetë pretendoi se u ftua nga republikanët amerikanë. Sipas dokumenteve ligjore amerikane, 700 mijë dollarë nga një jurist pranë Ilir Metës rrodhën në llogarinë e kompanisë “offshore” “Dorelita Limited”. Pak javë përpara inaugurimit të Trump, u firmos një kontratë midis LSI dhe juristit, e cila garantoi pjesëmarrjen në ceremoni. Pak pas kësaj, Meta u bë president i Republikës së Shqipërisë.
Operacione kirurgjikale kozmetike të dyshimta nga Zonja e Parë
Që kur pagesa e lobimit është e vështirë për t’u shitur në pozicionin e tij, kontrata u mbyll. Por një kontratë e re u përgatit për “Dorelita Limited”, e cila nuk ka asnjë aktivitet biznesi. Në listën e dyshimtë të shpenzimeve janë dhe 50 mijë euro në muaj për takimet me senatorë amerikanë, darka, udhëtime dhe ndërhyrje kozmetike për zonjën Meta, Monika Kryemadhi. Ajo mori drejtimin e LSI pasi bashkëshorti i saj u zgjodh president në 28 prill 2017. Në çdo rast, akuzat rëndojnë shumë dhe prezumimi i pafajësisë zbatohet për çiftin politik.
Lidhja me “McKeon Group” dhe dyshimet se Meta është pas “Dorelita Limited”
‘Dorelita Limited’ është kompania offshore nëpërmjet të cilës Ilir Meta, sipas denoncimit të gazetës austriake, ka paguar 700.000 dollarë për lobim. Kompania rezulton me zyra në Qirpo, ndërsa data kur ka filluar aktivitetin e saj është 14 nëntor 2013. Sipas të dhënave të publikuar në faqen e saj zyrtare, aktivitetin e fundit kompania e ka pasur në prill të vitit 2021.
Në janar 2017, LSI firmos një kontratë bashkëpunimi me kompaninë “McKeon Group”, e cila operon në fushën e konsultimit dhe lobimit duke patur sukses dhe në Kongresin e SHBA (Capitol Hill). Pala juridike që përfaqësonte Metën dhe LSI ishte avokati greko-amerikan Iraklis Fidetzis, i cili njihet si jurist me shumë dritëhije. Në shkurt, Meta vendos të mbyllë kontratën me “McKeon Group” duke i dhënë 15 mijë dollarë në muaj. Megjithatë, bashkëpunimi mes palëve nuk mbyllet këtu, por çuditërisht në 24 mars 2017, lidhet një kontratë e re me “McKeon Group” dhe një kompanie qipriote “offshore” e quajtur Dorelita Limited”.
E çuditshme është se pronar i kësaj kompanie rezulton po avokati i Metës në kontratën e parë, Fidetzis. Madje, ky i fundit ka një raport prej kohësh me ish-deputetin dhe ish-ministrin e Shëndetësisë së LSI, Vangjel Tavon. Këto të dhëna kanë ngjallur dyshimin se kjo kompani “fantazmë” drejtohet nga vetë presidenti Meta. Për sa i përket kontratës së re, palët bien dakord që bashkëpunimi të zgjasë 6 muaj dhe të paguhen në muaj 50 mijë dollarë në llogari të “McKeon Group”.
”Dorelita Limited” i paguan dhe muajin shkurt, edhe në shkurt marrëdhënie ekonomike ishte midis LSI dhe “Mckeon Group”. Sipas të dhënave, avokati greko-amerikan Fidetzis ka paguar 90 mijë dollarë vetë për kompaninë amerikan të lobimit dhe 600 mijë të tjerë janë paguar nga kompania guaskë “Dorelita Limited”.
Takimet me kongresmenë dhe senatorë amerikane
Pas firmosje së kontratës së bashkëpunimit në 24 mars, kompania lobuese amerikane në Kongresin e SHBA vihet në veprim për të lobuar në emër të LSI. Në periudhën 11-28 prill, “McKeon Group” realizoi në total 28 kontakte në organet e Senatit, Kongresit dhe Sigurisë Kombëtare për të prezantuar klientët e ardhur nga kompania “guaskë” “Dorelita Limited”.
Nga 11 prilli deri më 28 prill, një ditë para se Ilir Meta të zgjidhej President në Kuvend me 87 vota pro, McKeon Group deklaron se ka realizuar të paktën 28 kontakte në Senat, Kongres dhe me “Homeland Security” për t’u prezantuar klientët e vet, që qëndrojnë pas kompanisë “Dorelita Limited”. Interesant është fakti se Meta u zgjodh president në 29 prill 2017. “McKeon Group” zhvillojnë një sërë takimesh me kongresmenët Ed Royce, Bob Goodlatte, Michael Mçaul; senatorët Bill Cassidy e Mike Lee.