Izraeli ndërmori të martën një sulm ajror në portin kryesor të Sirisë, Latakia, i dyti i këtij lloji brenda muajit, tha ushtria siriane, duke i vënë flakën zonës së ë kontejnerëve ku dy burime të portit thanë se Irani mbante municione.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite nuk pranoi të komentonte duke thënë: “Ne nuk komentojmë mbi raportimet e huaja.”
Njoftimet zyrtare siriane nuk përmendnin viktima. Një burim me dijeni për operacionet e portit tha se sulmi goditi një zonë kontejnerësh ku ishin ruajtur ngarkesa të mëdha municionesh iraniane që kishin mbërritur muajin e kaluar.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA citoi kreun e ekipit të zjarrfikësve të Latakias të thoshte se kontejnerët e vënë në shënjestër në sulm kishin vajra dhe pjesë këmbimi për makineritë dhe makinat.
Izraeli ka kryer sulme të shpeshta kundër, siç shprehet, objektivave iraniane në Siri, ku forcat e mbështetura nga Teherani të udhëhequra nga Hezbollahu i Libanit janë dislokuar gjatë dekadës së fundit në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad në luftën civile të Sirisë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz, duke vizituar një bazë të forcave ajrore izraelite nuk foli për incidentin specifik të martën, por paralajmëroi se vendi i tij nuk do të lejonte që Irani të përdorte Sirinë për të kërcënuar Izraelin.