Presidentit të vetëshpallur të Venezuelës, Huan Guaido, i janë bllokuar të gjitha asetet në pronësi dhe i është ndaluar të dalë jashtë vendit. Prokurori i Përgjithshëm nisi hetimet ndaj liderit të opozitës, për cënim të paqes me nxitjen e protestave të dhunshme kundër presidentit majtist, Nikolas Maduro. Për Guaidon, ky ishte një vendim i pritshëm. “Nuk po e nënvlerësoj rrezikun se mund të burgosem. Për fat të keq ky është një regjim që nuk ofron asgjë të re për popullin venezuelian”.
Xhon Bolton, Këshilltari për Sigurinë i Presidentit Tramp, paralajmëroi përmes Twitter-it se çdo kërcënim ndaj Guaidos do të pasohet me kundërpërgjigje të ashpër nga Shtetet e Bashkuara. Masat ndaj Presidentit të vetëshpallur shihen si një përpjekje e Nikola Maduros për të penguar çdo plan të Washingtonit që synon lidhjen e marrëveshjeve tregtare me autoritetet provizore të drejtuara nga Guaido.
Udhëheqësi majtist tentoi ta paralajmëronte kreun e Shtëpisë së Bardhë se duhet t’i mbante larg duart nga Venezuela, edhe pse me një anglishte që lë për të dëshiruar. Mbështetjen për Maduron e rikonfirmoi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili e quajti të jashtëligjshme ndërhyrjen amerikane në punët e brendshme të Venezuelës.