Nga Idajet BEQIRI
Presidenti i Republikës Ilir Meta “vrapoi” me furi prej të marri për të dekretuar në krye të Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferrllarin. E bëri këtë akt thjesht dhe vetëm për të sabotuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, institucionin më të rëndësishëm të shtetit, i cili ra më shumë se një vit më parë për shkak “të dënimit të drejtë me vdekje” që i dha proçesi i vetingut.
Ashtu sikurse vrapoi për të emëruar Besnik Muçin dhe ashtu sikurse e joshi dhe e stërjoshi Vitore Tushën me postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, refuzimi i emrimit të së cilës prej mazhorancës socialiste, automatikisht sipas Metës, e hidhte atë plotësisht në prëhrin e tij, turravrapin e ndali te Marsida Xhaferrllari. Qëllimi i vetëm i këtij turravrapi të Metës është kapja me mjete mafioze të këtij institucioni të rëndësishëm të shtetit.
Krijimi i Gjykatës Kushtetuese hedh në koshin e plehrave Ilir Metën, këtë fatkeqësi kombëtare, i cili po e mban peng Shqipërinë dhe shqiptarët me krimet dhe korrupsionin galopant të tij, me antishtetin dhe antiinstitucionet që ka ngritur në sistem së bashku me bandën e Sali Berishës, me qëllim që vendi ynë të vazhdojë të sundohet prej krimit, kriminelëve dhe të pandëshkueshmëve. Përzgjedhjet e Ilir Metës janë edhe të linjës së të qenurit si ai, me cene e difekte serioze në karakter dhe në moral, me prejardhje nga bota më e zezë e krimit. Shqiptarët, që besuan dhe besojnë pafundësisht te reforma në drejtësi, që besojnë deri në verbëri në krijimin e një Gjykate Kushtetuese me integritetin më të lartë moral, profesional dhe kombëtar, me bindjen se garantuesit e kësaj gjëje janë SHBA dhe BE, do të zhgënjeheshin deri në përmasat e gjetjeve të rrugëve më ekstreme për të flakur të gjitha mjetet demokratike jashtë institucioneve të shtetit tipat mafioz dhe antishqiptar si Ilir Meta e kompani.
Përzgjedhja e Marsida Xhaferrllarit prej Ilir Metës, në një kohë që KED e ka renditur atë jashtë kufirit për ta zgjedhur, sepse është e katërta në renditje, kur përzgjedhja bëhej vetëm për tre të parët, dhënia e zero pikëve prej drejtuesëve të KED për besueshmërinë morale të Marsida Xhaferrllarit për të qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese, është akti më kriminal që një President i Republikës mund ti bëj Republikës së Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve. Nuk e dimë çfarë kanë patur parasysh tre anëtarë të KED që e kanë vlerësuar Marsida Xhaferrllarin me zero pikë për besueshmërinë morale të saj, dhe shqiptarët presin urgjentisht transparencën e KED për këtë çështje. Por duke u ndodhur para një të vërtete të madhe, të pohuar nga një dëshmitar okular.
Ky dëshmitar okular, i cili ka parë me sytë e tij gjithçka dhe që ka biseduar sy më sy me protagonisten e ngjarjes, për shkak të pozitës izoluese që ka sot, më autorizoi të pyesim drejtpërdrejtë Marsida Xhaferrllarin: A keni mbajtur ju marëdhënie të ngushta dhe a keni qenë e lidhur me botën më të rrezikshme të krimit në kohën që ishit gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier?
A keni udhëtuar dhe a keni qëndruar ju në ATAKOY të Stambollit në Hotelin Hollidey Inn, në vitin 2000 në Stamboll të Turqisë me një kriminel të rrezikshëm, F.K, sa ditë keni qëndruar aty dhe çfarë ju lidhte juve me të? A jeni takuar ju dhe F.K në Barin e këtij Hoteli me dëshmitarin Izet Haxhiaj dhe çfarë keni biseduar me të?! Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë të poshtërohen dhe të denigrohen deri në këtë shkallë, sa të përtypin këtë akt kaq antimoral dhe të pashembullt të një palo presidenti që e bëri zhele institucionin më të rëndësishëm të shtetit.