Të moshuarit italianë zgjedhin gjithnjë e më shumë Shqipërinë për të kaluar moshën e pensionit, për shkak se pagesën e marrin të pataksuar. Aktualisht, 406 pensionistë nga vendi fqinj janë rezidentë në Shqipëri. Dy prej tyre, Giorgio dhe Marina Natali nga Milano tregojnë arsyet pse zgjodhën Shqipërinë pasi kishin provuar dhe Spanjën e Portugalinë.
Italianët zgjedhin Vlorën për të kaluar pleqërinë! Zyra e emigracionit: Shumë pensionistë kanë aplikuar për leje qëndrimi
Armand Xhelili
Vitet e pensionit kanë vendosur t’i kalojnë si shtegtarë, pas Spanjës e Portugalisë zgjodhën të vijnë në Shqipëri. Çifti nga Milano, Giorgio dhe Marina Natali prej një viti e gjysmë jetojne me qira në Vlorë. Ata tregojnë për Report TV se shteti shqiptar ka krijuar lehtësira fiskale për pensonistët italianë, ndaj kjo është arsyeja kryesore pse erdhën këtu.
“Unë jam nga Milano dhe tani jam në pension. Kam ardhur këtu në Vlorë që nga janari i vitit të kaluar. Ndihem mirë, Vlora më pëlqen ky plazh është i mrekullueshëm. Unë kam qëndruar për tre vite në ishujt Kanarie (Spanje), tre vite në Portugali e tani jam këtu dhe ndihem shumë mirë”, thotë Giorgio Natali.
“Më pëlqen shume të jetoj këtu. Njerëzit, deti, jetën që nuk mund të bëj në Itali e bëj këtu. Italinë e kam në zemër se është vendi im, ndërsa politikanët Jo. Ka shume pensioniste italiane që e bëjnë për shkak të jetesës së lirë. Italia është shtrenjtuar, ndërsa këtu kemi mundësinë te dalim të konsumojmë ushqim të mirë e të freskët, me çmim më të lirë”, tha Marina Natali.
Giorgio u shpreh se merr një pension të mirë, rreth 3 mijë eurosh në muaj. Nëse do të jetonte në vendin e tij do të paguante tatim-fitimi në masën 40 për qind, ndërsa me transferimin në Shqipëri kjo taksë zerohet, pasi shteti ynë nuk takson të ardhurat për pensionistët e huaj.
“Pensionet në Itali variojnë nga 800 euro deri në 6 mijë euro maksimalja, kjo varet edhe nga puna që ke bërë ndërsa unë jam në mes të këtyre shifrave. E gjitha kjo shumë më del të jetoj mirë këtu. Nuk paguaj atë që ne e quajmë “Irpes” pra tatim-fitimi. Pra ta themi troç vijmë këtu sepse nuk paguajmë taksa dhe kjo është arsyeja e parë. Pensionin ma paguan Italia, unë e marr këtu në bankë dhe nuk paguaj taksa dhe kjo më bën të ndihem i lirë”, tha ai.
Trendi i të huajve dhe kryesisht italianëve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pleqërinë është gjithnjë në rritje. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme, vetëm në 5 muaj e parë të këtij viti kanë marrë leje qëndrimi në Shqipëri 165 pensionistë italianë. Ndërsa në total janë 406 me leje qendrimi që kanë të drejtë ta rinovojnë çdo 6 muaj. Çdo pensionist i huaj që vendos të përfitojë nga “taksa zero” duhet të qëndrojë jo më pak se 180 ditë në Shqipëri.
Ndërsa praktika “zero taksa” për pensionistët e huaj zbatohet në një sërë vendesh të botës dhe avantazh në këtë rast, është rritja e ekonomisë pasi të huaj shpenzojnë pensionin e tyre në vendin tonë.