Një inxhinier mjedisi në profesion, Matteo Trisi është një nga italianët e shumtë që edhe këtë vit po i kalon pushimet verore në Durrës.
Ishte miqësia me një student shqiptar në periudhën e universitetit, vite më parë, që zgjoi tek ai dëshirën për të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët në gjithçka. Shpesh e gjen të ulur diku buzë detit me fjalorin italisht-shqip në dorë, duke mësuar fjalë të reja apo shkruar mbi vendin tonë.
“Kam qenë këtu për herë të parë në vitin 2015 pasi takova Indritin në universitet në Itali në Ankona dhe avash avash unë fillova të studioj për Shqipërinë, kulturën, traditat, gjuhën shqipe. Qëkur isha për herë të parë rashë në dashuri me Shqipërinë… Shqiptarët janë një popull shumë i bukur. Shokët më të mirë janë shqiptarë si këtu dhe në Itali si emigrantë”, tha Matteo Trisi, inxhinier mjedisi.
“Ai ka studiuar shqipen dhe historinë shqiptare dhe e njeh më mirë se unë, po dhe se shumë persona që e kanë studiuar atë. Ka lëvizur pothuajse në të gjithë Shqipërinë dhe njeh 99% të vendeve këtu. Ka krijuar eksperienca që s’i ka as në Itali. Kemi 18 vjet që njihemi dhe ai për mua është si një vëlla, vëllai shqiptar që nuk kam pasur”, tha Indrit Tefericci.
I dashuruar pas vlerave dhe bukurive shqiptare, Mateo është kthyer në një ambasador të Shqipërisë tek të njohurit e tij të shumtë.
“Janë një dëshmi shokët e vet që kanë ardhur sot, po kanë ardhur shumë herë shokët dhe kolegët e tij të punës, ose të tjerë të organizuar sepse kishin Mateon si pikë referimi këtu”, tha Indrit Tefericci, inxhinier në Itali.
“Ata janë shokët e mi italianë që erdhën sot në mëngjes. Italianët shumë duan të vijnë në Shqipëri. Ka shumë lajme për Shqipërinë në Itali dhe italianët tani po e zbulojnë Shqipërinë si vend turistik”, tha Matteo Trisi.
“Po, është hera jonë e parë këtu dhe na pëlqen shumë. Pamë pak portin, rrugën dhe sheshin kryesor, kalanë dhe Amfiteatrin Romak. Shpresojmë që bashkë me Mateon dhe Indritin të shohim gjëra të tjera në Durrës”, tha italiani.
“Edhe në Tiranë”, ndërhyri partnerja e tij.
Ai i udhëheq miqtë e vet nëpër galeritë e Amfiteatrit Antik ku u tregon historinë e monumentit dhe të simbolikës së flamurit shqiptar si një ciceron i vërtetë.
Jo vetëm për pushime, por sa herë që ka pak kohë të lirë, Mateo e mban frymën në Shqipëri dhe beson se nuk do të jetë e largët dita kur do të vendosë të jetojë këtu, në vendin që flet gjuhën e miqësisë dhe mikpritjes së vërtetë për të huajtë.
“Është si shtëpia ime. Shpresoj të vij këtu dhe për të jetuar në një ditë të afërt”, tha Matteo Trisi.