Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti shpallet fituese absolute e çmimit të parë në Edicionin e dhjetë të Konkursit Kombëtar të Poezisë “L’arte in versi”, në seksionin e Poezisë në Gjuhë të Huaj me poezinë në gjuhën angleze të titulluar “The weeping willow” (Shelgu lotues).
Konkursi, ku u paraqitën 1675 krijime është një nga më prestigjozët në panoramën italiane dhe pati patronatin moral të këtyre institucioneve: Asambleja Legjislative e Rajonit Marche, Komunat e Anconës, Jesit dhe Senigallias, Universiteti i Urbinos “Carlo Bo” etj., si dhe enteve kulturore të mëposhtme: Qendra e Studimit “Sara Valesio” e Bolonjës, Enciklopedia Online e Poezisë dhe AlmanHaiku – Almanaku i poezisë Haiku.
Ky vlerësim i jep të drejtën autores shqiptare Irma Kurti të botojë (gratis) një libër me poezi me Shtëpinë Botuese Ivvi Editore në Salerno.
Komisionet e jurisë, të diferencuara sipas seksioneve të ndryshme përbëhen nga poetë, shkrimtarë, kritikë letrarë, gazetarë e promovues kulturorë nën drejtimin e Michela Zanarellës.
Konkursi kombëtar “L’Arte in Versi”(Arti në vargje) që organizohet nga Shoqata Euterpe në Jesi (Ancona), është i ideuar, themeluar dhe drejtohet nga poeti e kritiku letrar Lorenzo Spurio.
Kjo është hera e tretë që Kurti vlerësohet me çmim të parë gjatë vitit 2022. Në muajin shkurt në Konkursin letrar “Frazat më të bukura të dashurisë” në Romë ajo u u klasifikua në vendin e parë me poezinë “Një ditë do të më tregosh”; gjithashtu në Konkursin e shpallur nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli u shpall fituesja e vetme në seksionin e romanit të pabotuar në gjuhën italiane me titullin “Vite chiuse a chiave – Jetë të mbyllura me çelës”./DiasporaShqiptare.al/